Formula që ia zgjati jetën Isa Mustafës, profesori: Ky ishte kurthi më i madh në historinë e LDK-së

Politika

Formula që ia zgjati jetën Isa Mustafës, profesori: Ky ishte kurthi më i madh në historinë e LDK-së

Nga: N.Sh Më: 10 mars 2021 Në ora: 19:10
Isa Mustafa

Kur kanë mbetur edhe katër ditë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, po rritet edhe numri i kandidatëve për këtë post.

Deri më tani, janë katër figura të LDK-së, të cilët kanë shfaqur interesin për të parin e kësaj partie.

Lutfi Haziri, Anton Quni, Lumir Abdixhiku dhe i fundit që e shpalli kandidaturën ishte Besian Mustafa.

Më 14 mars, këtë do të jenë përballë njëri tjetrit në procesin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, i cili do të ketë mandat 2 vjeçar.

Profesor dr. Enver Bytyçi thotë se, në Kosovë më lehtë zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sesa zgjedhjet për një kryetar të ri të një partie politike. Ndërkohë që në Shqipëri sipas tij, janë të vështira të dy proceset.

“Lidhja Demokratike është para një sprove të madhe, do ta quaja vendimtare në jetën e saj. Nga ky moment varet nëse ajo do të mbijetojë dhe do të rikthehet në skenën politike si faktor i rëndësishëm, apo do të shkojë drejt vetasgjësimit të saj. Me qëllim që Lidhja Demokratike e Kosovës të rikthehet përmes një katarsisi të pastër, duhet që ajo të bëjë paqe me veten. Të bësh paqe me veten do të thotë ta kërkosh shkakun e dështimit te vetja. Por fatkeqësisht kjo gjë nuk po ndodh. Isa Mustafa u përpoq ta kalojë përgjegjësinë e humbjes së 14 shkurtit te Avdullah Hoti, me pretekstin se ai nuk ishte në listë dhe as kryesues i listës. Kësisoj ai, megjithëse deklaroi dorëheqjen, është përsëri aty, luan rol kryesor në procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri. Madje dëshiron ta imponojë kryetarin e ri të LDK-së. Nëse Mustafa me 14 mars në Kuvendin e LDK-së do të vendosë dorën e tij të pistë dhe do të ndikojë në zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, atëherë Lidhja Demokratike duhet të llogarisë që të përballet me dështime të reja të radhës”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, kjo do të thotë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të llogarisë edhe në të ardhmen ndonjë konkurrim me LDK-në. Kjo do të thotë se Lidhja Demokratike do të vazhdojë të gërryhet edhe më tej.

Image
Prof. dr. Enver Bytyçi

“E vetmja terapi është që përgjegjësit kryesorë të kësaj situate me në krye Isa Mustafën të kërkojnë ndjesë publike dhe të vetëlargohen nga partia, të cilën e themeloi dhe i dha emër Ibrahim Rugova. Ndryshe nga Jusuf Buxhovi, unë mendoj se LDK-në e themeloi Dr. Rugova, sepse ai e kishte përgatitur me kohë themelimin e saj, duke e shndërruar Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës në një parti politike të pashpallur. LDK thjesht u shpall më 23 dhjetor 1989. Nëse Isa Mustafa dhe nënkryetarët e tij mbajnë përgjegjësi për çka ndodhi më 14 shkurt, atëherë vetvetiu zgjedhja e kryetarit të ri dhe procesi në fjalë thjeshtohen. Më së pari duhet votuar ndryshimi në statut i nenit absurd për të marrë 50 përqind të firmave për kandidim, ose ndryshe mbetet kryetar ai që ishte. Kjo formulë anti-demokratike ia zgjati jetën Isa Mustafës. Ky ishte kurthi më i madh në historinë e Lidhjes Demokratike”, pohon profesori.

Ai shton se, me plotësimin e këtyre dy kushteve, marrjen e përgjegjësisë së humbjes së thellë nga kryetari, nënkryetarët dhe një pjesë e kryesisë që ka mbështetur kryetarin, si dhe heqja nga statuti i pengesave për kandidim, janë parakushte për reformim dhe rikthim të LDK-së.

“Nëse ndodh kjo njëmendësisht e jo formalisht, atëherë kryetar i LDK-së do të zgjidhet një nga kundërshtarët e vijës politike të ish-kryetarit. Dhe ndër këta ish-kundërshtarë unë shquaj si më të spikaturin, Lumir Abdixhikun. Por ka edhe të tjerë. Anton Çuni përshembull. Por mundet që kryetar të jetë edhe ish-presidenti, Prof. Dr.  Fatmir Sejdiu, i cili mund të krijojë më shumë konsensus në anëtarësinë e Lidhjes Demokratike. Në kushtet kur Vjosa Osmani ka ndërmend të marrë postin e kryetarit të shtetit, duhet përjashtuar mundësia e kthimit në këto rrethana të saj në Lidhjen Demokratike. Ajo do të ishte garancia më e madhe e rikthimit të LDK-së. Por e shoh të pamundur që Vjosa të vendosë për LDK-në para ofertës për të marrë detyrën e presidentes së Republikës”, pohon ai.

Profesori thekson se, që gjithçka të shkojë në normalitet duhet që Isa Mustafa të mos ketë asnjë ndikim.

“Duhet që mbështetësit e tij në kryesi të mbajnë përgjegjësi dhe jo të tentojnë të kapin kreun e LDK-së. Duhet që nënkryetarët të ulin kokën e të turpërohen për rolin destruktiv që luajtën dhe mbështetjen e palogjikë të akteve anti-demokratike në parti. Anti-demokratët e LDK-së nuk duhet ta marrin drejtimin e saj. Kjo do ta thellonte krizën dhe do ta çonte Lidhjen Demokratike në humnerë. Edhe nëse Isa Mustafa dëshiron që ta fundosë plotësisht LDK-në, duhet që anëtarësia dhe forcat progresive në këtë parti të përballen me të dhe ta shpëtojnë atë nga shuarja e saj e plotë në modelin e partisë së Fatmir Limës. LDK është vlerë e pazëvendësueshme e Kosovës. Ajo duhet të rikthehet. Por këtë nuk e bëjnë dot të korruptuarit brenda kësaj partie ose servilët apo ish-servilët e Hashim Thaçit dhe të Serbisë”, përfundon profesor dr. Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat