“Të akuzuar për vrasjen e anëtarëve të LDK-së”, ja skandali i radhës nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Politika

“Të akuzuar për vrasjen e anëtarëve të LDK-së”, ja skandali i radhës nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Nga: P.R Më: 10 mars 2021 Në ora: 21:53
Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi që nga 5 nëntori i vitit të kaluar po qëndrojnë të burgosur në Hagë.

Ata ndër tjerash, akuzohen nga Gjykata Speciale edhe për vrasjen e anëtarëve të LDK-së.

Edhe pse në Kosovë njihen për pasurinë e madhe që kanë krijuar sidomos pas luftës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli po kërkojnë para për mbrojtjen e tyre, ani pse edhe Qeveria e Kosovës ka krijuar fond të veçantë për përkrahjen e tyre.

Fondacioni për “Përkrahje e Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit” dhe Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen e Kadri Veselit”, janë dy fondet që kërkojnë para për dy të akuzuarit e Speciales.

E krejt këtë, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu, e quan një skandal të radhës.

Image
Rexhep Shahu

“Është e drejta e gjithkujt me lypë, me lypë bukë, me lypë mëshirë, me lypë pare, me lyypë xhixha, me lyps ari, flori. E lypmja thotë populli faqen e zezë e ka por nuk të len pa gjë. Me lypë pare në popull Hashim Thaçi e Kadri Veseli e të tjerët, për me ble lirinë e drejtësinë e pafajësinë e tyre kjo më duket skandal”, thotë Shahu për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, pafajësia nuk mund të blihet me para.

“Nëse liria e drejtësia e pafajësia e politikanëve të Kosovës që janë në Gjykatën Speciale u blika me pare, atëherë nuk ka kauzë, atëherë kanë shkue në burg për thyerje të rregullave të qarkullimit rrugor. Nëse ka kauzë, nëse ka drejtësi, ata duhet të mos e blejnë pafajësinë, drejtësinë, të mos e blejnë të drejtën. E drejta nuk ka nevojë për avokat, nuk ka nevojë të blihet e drejta nëse e ke të drejtën me vete. Nëse duhet ta manipulojmë të drejtën atëherë fusim në lojë paret e xhixhat”, thekson Shahu.

Më tej, publicisti Shahu e ka quajtur të pandershme edhe fushatën “Liria ka Emër”.

“Me burgosjen e Hashimit e Kadriut, u bë me pas një fushatë jo e ndershme duke thënë se liria ka emër sikur liria kishte emrat e tyre. Por u zbeh ajo fushate e pandershme. Tani po më duket kjo fushata e dytë më e pandershme. Ata dashje pa dashje mbeten me UÇK-në, mbeten përfaqësues të UÇK-së dhe dua ta besoj se nuk kanë nevojë për pare me e ble të drejtën e pafajësinë sepse ata zvogëlohen”, shprehet Shahu.

“Me u denue është më e ndershme se me dalë prej burgu më pare sepse kurrë më kurkush nuk u beson se kanë pas të drejtën me vete. Nëse e blejnë të drejtën atëherë njerëzit do të thonë se ata kanë qenë të fajshëm por e kanë ble me pare pafajësinë. Dhe nuk i beson pastaj askush pafajësisë së tyre. Ata e kanë bastin me popullin shqiptar në Kosovë nuk e kanë me askënd tjetër”, përfundon për “Bota sot”, publicisti Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat