“Gëzimi gjysmak” dhe dorëheqja e Meliza Haradinaj-Stublla

Politika

“Gëzimi gjysmak” dhe dorëheqja e Meliza Haradinaj-Stublla

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 11 mars 2021 Në ora: 11:01
Meliza Haradinaj-Stublla, foto ilustrim nga "Bota sot"

Vendi ynë nuk po arrin të gjej qetësi nga skandalet që po shtohen dita ditës.

Së fundmi, jehonë bëri keqpërdorimi i votave në zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën më 14 shkurt.

Zgjedhjet e parakohshme në vend në fillim u cilësuan mirë të organizuara mirëpo nuk doli si menduan, pasi që pothuajse një muaj pas përfundimit të tyre, filluan të publikohen video incizime nga keqpërdorimi i votave.

Kësaj radhe ajo e cila ra pre e mediave ishte ish-ministria e punëve të jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, shkruan “Bota sot”.

Nuk ka shumë ditë që mediat sollën një incizim ku dëgjohet teksa afaristi Dardan Stublla, ka blerë me para katër komisionerë të cilët ua kanë vjedhur votat kandidatëve tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ia kanë regjistruar Meliza Haradinajt-Stublla.

Menjëherë pas kësaj, filluan sulmet ndaj Haradinaj-Stublla, duke e sjellë kështu edhe dorëheqjen e saj nga posti i ministres se punëve të jashtme dhe nga të gjitha strukturat e AAK-së.

Haradinaj-Stublla u shpreh që kjo dorëheqje vjen pasi është ka ndodhur në mes të një skeme piramidale të njollosjes, linçimit, presionit, manipulimit dhe shantazhit ndaj saj dhe familjes, e ndjen obligim moral që ta bëjë këtë.

Ajo ka dhënë dorëheqje edhe nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia.

"Edhe pse në rrethana ende të pasqaruara, e ndodhur në mes të një skeme piramidale të njollosjes, linçimit, presionit, manipulimit dhe shantazhit ndaj meje dhe familjes sime, e konsideroj obligim moral dhe gjënë më të drejtë, dorëheqjen e menjëhershme nga pozita e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Pas dorëheqjes së Haradinaj-Stublla, nuk mbeti pa reaguar as kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se “manipuluesit kushdo qofshin dhe për interesa të kujtdo qofshin, ju uroj dënime meritore”, dhe u bëri thirrje organeve të drejtësisë të hetojnë parregullsitë dhe të marrin masat e duhura.

Ndërkaq njohësit e çështjeve politike në vend për “Bota sot”, u shprehën që kjo dorëheqje vjen si një akt moral Haradinaj-Stublla, mirëpo që ishte më e duhura që ajo mund të bënte në këto rrethana.

Ahmeti: Dorëheqja e Haradinaj-Stublla ishte e vetmja rrugë racionale

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti politik Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, foli për ngjarjen e fundit që solli deri tek dorëheqja e Meliza Haradinaj-Stublla.

Ahmeti ka theksuar se dorëheqja e një zyrtari publik është një akt moral, mirëpo jo amnistim nga veprimet e kundërligjshme.

Sipas tij, moralizimi është një çështje e diskutueshme, pasi në vendin tonë nuk është praktikuar, pavarësisht aferave të ndryshme që kanë ndodhur.

“Dorëheqja e një zyrtari publik është një akt moral, por jo amnistim nga veprimet e kundërligjshme. Moralizimi politik është një çështje goxha shume e diskutueshme, pasi në Kosovë në pjesën më të madhe të rasteve të aferave të ndryshme nuk është praktikuar”, thotë Ahmeti.

Analisti shton tutje se ky akt i Haradinajt ishte një akt moral që i hapi rrugët Prokurorisë për të hetuar rastin.

Gjithashtu, ai cek që Qeveria Hoti kishte ditët e numëruara por që padyshim dorëheqja ishte e vetmja rrugë racionale që do ta bënte politika në raste të tilla.

“Gjykoj se me e pakta që mund të bëjë një zyrtar publik në raste të tilla është dorëheqja si një akt moral, por t’i hapur rrugë Prokurorisë së shtetit për të hetuar rastin në mënyrë të pavarur. Edhe ashtu, Qeveria Hoti, ministre e së cilës ishte znj.Haradinaj është në detyre me kompetenca te reduktuara, por dorëheqja është e vetmja rrugë e racionale që do ta bënte çdo politikan në rast të natyrave të tilla”, ka deklaruar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Duhanaj: Dorëheqja e znj. Haradinaj, akt normal dhe i thjeshtë moral

Image
Leon Duhanaj

Edhe njohësi i çështjeve politike Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar dorëheqjen e ish-ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.

Sipas Duhanajt, në vendet me demokraci të zhvilluar nuk ndodhë të hidhen akuzat të pabazuara, për këtë arsye është e kuptueshme që akti i parë që bëjnë personat që bëhen pjesë e tyre të japin dorëheqje si akt moral.

Më tej, ai thotë që pavarësisht çdo gjëje, personi nuk duhet të gjykohet derisa të flasë drejtësia.

“Në kushte normale dhe vende me demokraci të zhvilluar, akuzat nuk hidhen kuturi e të pabazuara, siç kemi pas raste vazhdimisht në Kosovë. Megjithatë, është e pritshme dhe e kuptueshme që në raste të tilla dorëheqja të jetë akti i parë moral. Edhe pse për çdo rast, duhet të mbretërojë thënia, bazuar në të drejtën se çdo njeri i akuzuar, duhet të cilësohet i pafajshëm derisa fjalën përfundimtare ta ketë thënë drejtësia, përkatësisht gjykata. Jo pak raste kemi pasur kur njerëzit janë akuzuar, me paramendim, me qëllim të prishjes, njollosjes së imazhit”, u shpreh Duhanaj.

Tutje, analisti vë në dyshim dorëheqjen që Haradinaj-Stublla bëri edhe nga anëtarësia e që kjo lë të dyshohet se me të vërtetë mund të ketë pasur diçka në lidhje me këtë rast.

“Pa marrë parasysh, mendoj që akti i dorëheqjes është akt normal, por ajo që me bën dyshues në ketë rast, është dorëheqja nga të gjitha, edhe nga anëtarësia, gjë që le hapësirë të dyshohet që me të vërtetë ka mundur të ketë ndonjë aferë. Raste të tilla ka mjaftë, pothuaj se në çdo proces zgjedhorë ndodhin këso rastesh gjë që dëmtojnë imazhin e çdo procesi zgjedhorë, sado i mirë të ketë qenë”, ka vlerësuar analisti.

Organet përkatëse të merren me rastin

Nga ana tjetër, Duhanaj ka potencuar se dorëheqja e Haradinajt është akt moral mirëpo që ne si vend duhet të mësohemi që të shohim dorëheqje, në mënyrë që të ruhet imazhi dhe kredibiliteti institucional.

“Dorëheqja e znj. Haradinaj, përkatësisht Ministres për Punë të Jashtme dhe Diasporë, bazuar në publikimet që dolën, është akt normal dhe i thjeshtë moral. Pa marrë parasysh është apo nuk është fajtore, ne duhet të mësohemi që kur zyrtarë të ndryshëm përfliten për gjëra të jashtëligjshme, duhet të dorëhiqen në mënyrë që të ruhet imazhi dhe kredibiliteti institucional. Tani, mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjerat. Unë nuk dua ta paragjykoj epilogun e këtij zhvillimi, por mendoj që organet përkatëse do ta hetojnë dhe do të dalin me rezultate konkrete”, ka nënvizuar Duhanaj.

Analisti ndër të tjera thotë që vjedhja e votës është e dënuar me ligj, në këtë mënyrë evitime i tyre në të ardhmen do të ishte më e drejta për vendin tonë.

“Sido që të jetë, është mirë që ne si shoqëri, t'i lëmë disa rrugë pa krye të cilat po kultivohen vite me radhë. Vjedhja e votës, përkatësish e vullnetit qytetarë, përpos që është vepër penale e kundërligjshme, është edhe akt qyqarë. Këndej, mbetemi me shpresë se e ardhmja do të vjen me e mirë, më demokratike dhe më e drejtë”, ka deklarua Leon Duhanaj, për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat