Mundësia e artë, LDK ta votojë Kurtin kryeministër dhe Osmanin presidente të Kosovës

Politika

Mundësia e artë, LDK ta votojë Kurtin kryeministër dhe Osmanin presidente të Kosovës

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 14 mars 2021 Në ora: 22:32
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Lidhja Demokratike e Kosovës po ndodhet para sidave të rëndësishme për vazhdimin e jetësimit të idealeve të saj.

Por, një sfidë tjetër që duhet ta tejkalojë apo ta anashkalojë, është edhe çështja e presidentit.

Së fundmi, LDK-ja është ftuar në takim nga partia fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Përkatësisht, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani i kanë dërguar një letër në formë të shkruar në selinë e LDK-së dhe po ashtu letër u kanë dërguar edhe partive të tjera, për një takim për të hënën.

Nga PDK kanë pranuar ftesën, derisa kanë thënë se do të jenë të pranishëm në takim.

E këtë e kanë konfirmuar edhe nga AAK.

Ndërsa nga LDK, për këtë letër është përgjigjur kryetari në dorëheqje, Isa Mustafa.

“LDK gjithherë ka qenë e hapur për biseda dhe dialog. Nuk jemi barikaduar si të tjerët dhe nuk i kemi gjuajtur të tjerët me gaz e me molotov, kur është dashur të bisedojmë. Kuvendi është i të gjithëve, jo vetëm i atyre që janë renditur të parët. Nuk shoh asgjë të keqe nga bisedat për përgatitjen e konstituimit të Kuvendit. por se kur LDK do të jetë e gatshme të marrë pjesë, nuk mund të flas”, ka thënë Mustafa.

Megjithatë, takimi pritet të mbahet pasi të zgjidhet kreu i LDK-së.

Pikësëpari, sipas ekspertëve, LDK-ja duhet ta pranojë takimin e thirrur nga Kurti dhe Osmani. Ndërkaq, sa i përket çështjes së kuorumit, kjo parti duhet të shkojë në Kuvend kur të zgjidhet presidenti, pasi vetëm në këtë mënyrë do ta ketë mundësinë për të përmirësuar gabimet e vazhdueshme që i kanë kushtuar në përkrahje elektorale.

Maraj: Rruga për t’u kthyer LDK në binaret e veta

Njohësi i çështjeve politike, Milazim Maraj, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se LDK-ja duhet t`iu përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit dhe Osmanit.

Maraj ka shtuar se LDK duhet të qëndrojë në Kuvend dhe ta votojë Qeverinë dhe Presidenten.

Image
Milazim Maraj

“LDK t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së U.D Presidentes dhe Kryetarit të VV-së. LDK ka tani punë me organizimin e kuvendit të vet. Me gjithat do të duhej ta dëshmojë filozofinë politike të traditës së vet të shtet ndërtimit. Kjo do të thotë, që do të duhej t’i përgjigjet ftesës së U. D Presidentes dhe kryetarit të VV-së që ka fituar zgjedhjet. Por jo vetëm kaq, LDK duhet të qëndrojë në Kuvend dhe ta votojë Qeverinë dhe Presidenten”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Maraj ka shtuar se vetëm kështu kjo parti do të prezantonte kulturën politike në të cilën me të drejt thirrët.

“Kjo do të ishte një dëshmi që kjo parti edhe kur humb zgjedhje, nuk humb orientimin e saj politik. Nuk shkel parimet e saj të traditës politike. Vetëm kështu LDK, do prezantonte kulturën politike të LDK-së në të cilën me të drejtë thirret. Pas formimit të institucioneve duhet të fillojë rolin konstruktiv të opozitës, në luftën për mbrojtjen e ligjit dhe të shtetësisë së Kosovës. Të mbrojë interesin e qytetarit të Kosovës. Kjo është rruga për t’u kthyer LDK në binaret e veta. Më këtë qëndrim LDK, do ta rikthejë besimin e anëtarësisë së vet”, ka thënë Maraj për “Bota sot”.

Ahmeti: Presidenti, mundësi për LDK-në

Ndërkaq, analisti politik Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka potencuar se LDK-ja e ka mundësinë për të përmirësuar gabimet e vazhdueshme që i kanë kushtuar në përkrahje elektorale.

Image
Hidajet Ahmeti

“Ftesa e Kurtit dhe Osmanit është brenda logjikës institucionale dhe racionale. Përgjegjësia për çështjen e presidentit është e të gjitha partive politike, por më barrë më të madhe mbi subjektin politik fitues. LDK-ja e ka shansin dhe mundësinë për të përmirësuar gabimet e vazhdueshme që i kanë kushtuar në përkrahje elektorale dhe rruga me e logjikshme dhe racionale do të ishte jo vetëm t’ia bën kuorumin znj.Osmani, por edhe t’i jep përkrahje me anë të votës. Kjo do të ishte një mundësi e mirë e LDK-së duke i pranuar gabimet politike, por njëkohësisht duke treguar konstrukivitetin dhe realitetin faktik në fuqinë politike që kanë prodhuar zgjedhjet e 14 shkurtit”, ka vlerësuar Ahmeti për “Bota sot”.

Po ashtu, ai thekson se gabimet e LDK-së nuk mund të përmirësohen vetëm me një akt të tillë.

“Gjykoj se nëse LDK-ja do vepronte me këtë logjike institucionale, besoj do fitonte simpati ndaj çdo qytetari i cili është racional. Gabimet e saj nuk mund të përmirësohen vetëm me një akt të tillë, por ky reflektim do të ishte një shans i mirë që LDK-ja ta dëshmojë frymën institucionale që e ka proklamuar në vazhdimësi. Çdo tendencë e LDK-së për të vepruar ndryshe do ta thellonte antipatinë qytetare ndaj saj”, ka thënë Ahmeti për “Bota sot”.

Mehmeti: LDK duhet t'ia bëjë kourimin Osmanit

Kurse, sipas analistit tjetër politik, Fatoni Mehmeti, nëse LDK-ja duhet ta ndryshoj kursin ndaj Osmanit, pasi që ka nevojë për ngritje.

Image
Fatoni Mehmeti

“LDK bëri gabim fatal kur e përjashtoi Vjosën, në betejën e nisur me të LDK ka humbur. Tanimë të vazhdosh një luftë që e ke të humbur është naivitet, në këtë logjikë LDK duhet të ndryshojë kursin ndaj Vjosës. Kjo nënkupton se LDK duhet t'ia bëj kuorumin Vjosën, në të kundërtën do të humbiste edhe më shumë. LDK ka nevojë për ringritje, dhe këtë mund ta bëj vetëm nëse ndryshon drejtimin, në të kundërtën do të vazhdojë rënia e saj e mëtutjeshme”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Mehmeti thekson se gjithçka varet se kush do të jetë kryetar i kësaj partie.

“Derisa i ka bërë kuorumin dhe e ka votuar Thaçin, është turp i madh nëse LDK nuk ia bënë këtë Vjosës, e cila është e mish dhe shpirt në LDK, pjesë e sa, prodhimin i akademisë së saj. Krejt varet kush do të zgjidhet kryetar i LDK dhe qasjen që do e ketë. Kushdo që do të jetë kryetar nuk mund të ec tutje nëse vazhdon betejën me Vjosën, që praktikisht e ka të humbur”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat