“Besian Mustafa fituesi i zgjedhjeve në LDK”, analisti tregon si ndryshuan kahjet e votimit

Politika

“Besian Mustafa fituesi i zgjedhjeve në LDK”, analisti tregon si ndryshuan kahjet e votimit

Nga: A.Morina Më: 15 mars 2021 Në ora: 21:29
Besian Mustafa

Lumir Abdixhiku është kryetar i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi mposhti Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën në zgjedhjet e brendshme, për garën e të parit të LDK-së.

Abdixhiku është kryetari më i ri që e ka udhëhequr ndonjëherë LDK-në, ndonëse kjo parti gjendet në situatën më të rëndë politike në historinë e saj, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e fundit parlamentare, shkruan "Bota sot".

Zgjedhjet në LDK u komentuan shumë dhe u vlerësuan si tejet demokratike, ku të gjitha partitë e tjera duhet të marrin shembull nga kjo.

Njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar zgjedhjet e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK).

Zeqiraj tha se shpallja e kandidaturave për kryetar të LDK-së ishte e rëndë dhe skandaloze, pasi pritje që asnjëri nga kryesia aktuale të mos jetë kryetar i LDK-së.

“Shpallja e kandidaturave, për kryetar të LDK-së, u pa si një mesazh zhgënjyes për anëtarësinë. Fajësia e lidershipit-klan, të kryesuar nga Isa Mustafa, i konsideruar si bashkë drejtues i LDK-së me Hashim Thaçin, ishte aq e rëndë e skandaloze, sa pritej që asnjëri nga kryesia aktuale, të mos jetë më pjesë e kryesisë së re, e lëre më kryetar i LDK-së!”, deklaroi ai.

Analisti përmendi edhe faktin pse Anton Quni ishte i padëshirueshëm për tu zgjedhur kryetar i LDK-së.

“Megjithatë, edhe në mes kandidatëve, kishte dallime. Kundërshtia e komandant Anton Qunit për Demarkacionin, Asociacionin, bërjen banditeske të Hashim dallaverës president e tjera, e bënte atë të padëshirueshëm, për kryetarin Mustafa dhe klanin e tij”, nënvizoi Zeqiraj.

Analisti Zeqirja komentoi edhe kandidaturën e Besian Mustafës. Ai tha se në fillim kishte shprehur dyshimet e tij se Besiani ishte i preferuari i Isës, por pastaj me publikimin e letrës ku Besiani kritikoi kryetarin Mustafa dhe klanin e tij, dëshmoi që është njeriu i duhur.

“Ngritja e ngutshme e Besian Mustafës, në poste partiake e qeveritare, është domethënëse, si: kryetar i degës së katërt, (nëse nuk gabohem në numër), anëtar kryesie të LDK-së, zëdhënës i saj, deputet, ministër! Këto përkëdhelje nga shefi Isë, ishin të mjaftueshme, për të dyshuar, se ai është i preferuari i Mustafës, për pasues të tij.

Por, në prag të Kuvendit, Besiani bëri ca lëvizje mbresëlënëse: Një letër me 4 pika dhe shumë shpjegime detajuese, me kërkesën se zgjedhjet duhet të fillojnë nga poshtë-lart dhe jo e kundërta. Si shtesë mospajtimi me kryetarin Mustafa dhe klanin e tij, ai akuzoi, faktueshëm, për gabime të përsëritura lidershipin e LDK-së, për çka reagoi edhe vet kryetari i dorëhequr”, theksoi Zeqiraj.

Tutje, ai tha se fitues i këtyre zgjedhjeve të brendshme është padyshim Besian Mustafa, kurse i preferuari i Isa Mustafës ishte Lutfi Haziri, ndonëse nuk e shprehu hapur këtë gjë.

“Si rrjedhojë, i ndodhur nën dyshimin se është kuadër i establishmentit të vjetër, dhe, nga ana tjetër, kërkesa për ndryshime rrënjësore, zemëroi gardën e deritashme drejtuese të partisë, u ndëshkua me votë, madje, nga të dy palët. Megjithatë, Besiani është fitues, sepse, ai përçoi dëshirën e anëtarësisë, me sugjerimet e mençura të bëra, madje, publike.

Padyshim, i preferuari i Isa Mustafës, për kryetar të LDK-së, ka qenë Lutfi Haziri. Edhe pse ai nuk e tha hapur, siç bëri për ndonjë tjetër, jashtë konkurrencës. Ai e dinte se nuk do të mirëpritej, meqë ka qenë në katërshen e parë drejtuese të deritashme të LDK-së, pavarësisht se anashkalimit të tij, pas Kuvendit të 9-të. Dhe, mesazhi për reforma zbehej, madje, deri në dyshim të hapur”, potencoi analisti.

Zeqiraj tha se delegatët të cilët nuk kishin interesa dhe përftime dëshironin ndryshime në parti, ndërsa ata që donin vazhdimësinë e kryesisë së vjetër, e donin Lutfi Hazirin kryetar.

Kurse, ai radhiti faktet që treguan se Besian Mustafa ishte njeriu i duhur për ta reformuar LDK-në.

“Kahjet e votimit u vërejtën edhe në sallën e Kuvendit, përgjatë pauzave të shumta. Ata që donin vazhdimësinë, status quon, donin Lutën. Ndërsa delegatët, pa interesa të veçanta përfituese, preferonin ndryshimin.

Deri 15 ditë para Kuvendit, as që mund të mendohej se Besian Mustafa është personi i duhur, për ta reformuar LDK-në. Mirëpo, shpalosja e një projekt-platforme, se si duhet përgatitur Zgjedhjet e Jashtëzakonshme, nga poshtë-lart, përfshirë edhe ndryshimin e statutit të LDK-së, ishte mbusha mendës se ai kishte ide, ishte i qartë dhe i gatshëm, për veprime reformuese të LDK-së”, u shpreh ai.

Njohësi i çështjeve politike tha se Lumir Abdixhiku u begatua me këtë numër të lartë të votave pas tërheqjes së Qunit, nga gara për kryetar.

Mirëpo, sipas tij zgjedhja e Lumir Abdixhikut kryetar të LDK-së, ngjasonte me një kompromis të palëve dhe ngjalli dyshime se mund të bëhen reforma të thella në parti.

“Tërheqja fisnike nga gara, e komandant Anton Qunit, begatoi me vota të shumta Lumir Abdixhikun. Ngushëlloi adhuruesit e ministër Qunit, që ishin përcaktuar për atë, dhe sikur u plotësuan, në një masë, dëshirat e palëve në Kuvend. Premtimi i kryetarit të ri, për ndryshim dhe reforma të thella, zbehu edhe dyshimin e vartësisë të Lumirit, nga Isa Mustafa, si miq në Riinvest.

Rrjedhimisht, zgjedhja e Lumir Abdixhikut kryetar të LDK-së, ngjasonte me një kompromis të palëve, e cila u kurorëzua me votimin e fshehtë demokratik, i braktisur ndër vite dhe i zëvendësuar me aklamacionin e pistë dhe fiktiv, të lidershipit klanor”, përfundoi Idriz Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat