Specialja arreston “Ujkun”, ish-agjenti alarmon: Ky ministër i Qeverisë Thaçi do të arrestohet nga Gjykata

Politika

Specialja arreston “Ujkun”, ish-agjenti alarmon: Ky ministër i Qeverisë Thaçi do të arrestohet nga Gjykata

Nga: N.Sh Më: 16 mars 2021 Në ora: 19:10
Hashim Thaçi

Komandant “Ujku”, gjatë ditës së sotme është arrestuar nga Gjykata Speciale.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, u arrestua në Belgjikë në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata Speciale e Hagës.

“Ujku” akuzohet për krime lufte, ndërsa, aktakuza kundër tij është konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake të Speciales.

Shala është në pritje të transferimit për në paraburgimin e Gjykatës Speciales në Hagë.

Gjykata Speciale u aktivizua pas një ‘pauze’ disa mujore, e cila sot ndërmorri këtë veprim edhe jashtë kufijve të Kosovës.

Ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë se priten dhe dy valë të tjera të arrestimeve.

“Do të ketë edhe arrestime të reja. Priten edhe dy valë arrestimesh të cilat nuk do të jenë arrestime gjentelmene si me rastin e arrestimit të Thaçit, Veselit, Selimit, Krasniqit e Mustafës. Të arrestuarit do të jenë të dyshuar se kanë marr personalisht pjesë në krime të dyshuara të luftës”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, menjëherë pas formimit të qeverisë, në muajin prill dhe maj do të jenë ngjarjet e tilla, pasi koha po i kalon Gjykatës Speciale, pasi që, sipas tij, Specialja nuk ka kohë të pambarueshme.

“Ish zyrtar të lartë të UÇK-së, TMK-së, Shërbimit Sekret, Policisë ushtarake... por edhe persona politik e ish deputet, komandantë lokal do të arrestohen, ndër ta do të jetë edhe një ish-ministër i Mbrojtjes gjatë Qeverisë së Përkohshme të Hashim Thaçit. Pra, duke e njohur bërthamën profesionale të Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë, asnjë njeri nuk do të dënohet nëse është i pafajshëm, asnjë nuk dënohet pse ka luftuar me armë ndershëm kundër Serbisë apo kundër bashkëpunëtorëve serbë, çdo faj i mundshëm apo dënimet si dhe përgjegjësit do të jenë individuale”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Ai potencon se, në përgjithësi dihen emrat e të dyshuarve që do të arrestohen, por sipas tij, për shkak të moralit dhe ligjit nuk na takon që t’i përmendim emrat e tyre, pasi që kjo nuk i ndihmon drejtësisë, por as të akuzuarve të mundshëm.

“Sidoqoftë, UÇK-ja jonë është e shenjt, e cila e bëri njërën ndër luftërat më të pastra të mundshme në historian e luftërave çlirimtare të botës dhe kjo gjykatë e padrejtë ndaj nesh si popull është frut i politikanëve mafioz të Kosovës nga Thaçi e te poshtë që e sunduan pas luftës vendin të cilët kurrë nuk e bënë Kosovën shtet ligjor, shtet serioz, shtet të së drejtës, të shpresës, por Kosovën e bërën pronë të tyre private ku asnjëherë nuk lejuan të sundoj ligji dhe drejtësia e shtetit”, përfundon Naim Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat