“Viktimat e LDK-së”, këto janë arsyet pse LDK la jashtë Këshillit të Përgjithshëm figurat e vjetra të partisë

Politika

“Viktimat e LDK-së”, këto janë arsyet pse LDK la jashtë Këshillit të Përgjithshëm figurat e vjetra të partisë

M.H Nga M.H Më 17 mars 2021 Në ora: 11:17
Lidhja Demokratike e Kosovës

Të dielën që lamë, Lidhja Demokratike e Kosovës zgjodhi kryetarin e ri të partisë.

Tashmë, këtë parti do ta udhëheq Lumir Abdixhiku, i cili arriti që të merrte më së shumti vota nga anëtarët e Këshillit të përgjithshëm.

E menjëherë pas kësaj, në këtë kuvend u zgjodhën edhe anëtarët e rinj të Këshillit të Përgjithshëm.

Nga anëtarët e rinj është emri i avokatit, njëherësh këshilltarit të Isa Mustafës, Besnik Berisha.

Për të vazhduar me Alban Zogaj, më pas me Altin Kikën, djali i ish deputetit Agim Kika, njëherësh asistent i Avdullah Hotit në kryeministri.

Pjesë e KP të LDK-së tani do të jetë edhe Arbër Ismaili, nënkryetar i Gjilanit. P

or ajo se çfarë mori vëmendjen gjatë kësaj përzgjedhje, është mbetja jashtë e disa figurave të vjetra të LDK-së.

Disa nga figurat që mbetën jashtë këtij këshilli janë Fatmir Sejdiun, Skënder Hysenin, Naser Rugova e Melihate Tërmkolli.

Në lidhje me këtë, profesori universitar Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Abdixhikut i ndihmoi që Quni dha dorëheqje para garës dhe Kujtim Shala që nuk kandidoi.

Profesori më tej thotë se zgjedhja e Abdixhikut do të tregojë me kohën nëse ishte e drejtë apo jo, mirëpo që një energji e re duhej të vinte në këtë parti.

“Kuvendi i Lidhjes Demokratike votoi të dielën e kaluar për Këshillin e Përgjithshëm dhe kryetarin e partisë. Lumir Abdixhiku mundi ta fitojë betejën politike brenda partisë dhe siguroi që në raundin e parë votat e nevojshme për këtë. Ndoshta e ndihmoi dorëheqja e Anton Qunit. Por unë mendoj se ai ishte me i përgatituri për të qenë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndoshta e ndihmoi edhe fakti që Kujtim Shala nuk kandidoi. Por në fakt e ndihmoi Isa Mustafa, sepse që në momentin që ish kreu i LDK-së propozoi zotin Shala, ai doli jashtë loje. Thjesht se kryetarët e partive në largim nuk mund të sillen si monarkë e të përcaktojnë pasardhësin e tyre. Për mua zgjedhja ishte e duhur. A do jemi unë apo të tjerë të kënaqur me punën e zotit Abdixhiku? Duhet kohë për ta thënë këtë. Megjithatë besoj se një energji e re ka ardhur në krye të kësaj partie dhe padyshim se diçka do të lëvizë nga vendi. Uroj që të rikthehet LDK”, u shpreh profesori.

Nga ana tjetër, Bytyçi ka folur edhe për mos zgjedhjen pjesë të Këshillit të Përgjithshëm të disa figurave të LDK-së të vjetra, siç qenë Sejdiu, Rugova, Hyseni, Tërmkolli e që secili prej tyre ka dhënë kontributin e tyre në LDK.

“Krahas kryetarit u zgjodh edhe Këshilli i Përgjithshëm. Në këtë këshillë nuk u zgjodhën disa figura të Lidhjes Demokratike, ndër ta emrat e njohur që ju përmendët, përkatësisht ish-presidenti Sejdiu, si dhe Naser Rugova, Skënder Hyseni dhe Melihate Tërmkolli. Të gjithë këta kanë statute dhe kontribute të ndryshme në Lidhjen Demokratike, kanë qëndrime dhe sjellje politike që dallojnë nga njëri-tjetri”, tha Bytyçi.

Profesori flet për Sejdiun duke thënë që ai nuk do të duhej të vendoset në kandidim, pasi që një president e ish-president i një vendi gjithmonë ka vend në Këshillin e Përgjithshëm të një partie. Gjithashtu thotë që Sejdiun do të donte ta kishte në kryesi e këshill secila parti.

Image
Enver Bytyçi

“Profesor Fatmir Sejdiu për mendimin tim nuk duhej të votohej. Presidenti e ish-presidenti i një vendi gjithmonë ka vend në Këshillin e Përgjithshëm të një partie, e cila e ka kandiduar. Po kështu kryeministri dhe ish-kryeministrat, kryetari dhe ish-kryetarët e parlamentit. Ky rregull zbatohet në të gjitha partitë politike në vendet demokratike. Nëse Isa Mustafa e ka ndryshuar statutin e partisë për ta përjashtuar paraardhësin e tij nga organet drejtuese të partisë, kjo është një intrigë tjetër në vargun e intrigave të tij të shumta. Por është në dinjitetin e çdo partie në botë që ta ketë përgjithmonë në këshill një president, të cilin ajo vetë e ka propozuar, promovuar dhe votuar. Nuk ka dhe nuk mund të ketë qëndrim tjetër në këtë rast. Fatmir Sejdiun do të donte ta kishte në kryesi e këshill, ose në drejtimin e partisë, çdo parti politike me profil demokratik. Nuk varet zgjedhja e tij nga konjukturat politike dhe vullneti i të pavullnetshmëve”, thekson profesori.

Bytyçi flet edhe për figurat tjera që nuk u zgjodhën, ai për Rugovën thotë që pagoi për qëndrimet e tij kundër politikave intriguese të Isa Mustafës duke përmendur edhe Sejdiun dhe Tërmkolli.

Ndërsa për Skënder Hysenin thotë që është mendjemadh dhe mospërfillës e që kjo sjellje ka ndikuar që të mos përshtatët në LDK. Sipas profesorit, Hyseni edhe Melihatja janë ndëshkuar në këtë mënyrë sepse njëmijë herë kanë hyrë e kanë dalë nga LDK-ja, por që të tjerët janë viktimë e idealizmit të tyre, e korrektësisë me ndërgjegjen e vet.

“Edhe Dr. Naser Rugova pagoi për qëndrimet e tij kundër politikave intriguese të Isa Mustafës. Ai iu server anëtarësisë si “renegat”, sepse njerëzit e ish-kryetarit donin dhe duan vetëm servilet. Mos zgjedhja e Naser Rugovës dhe Fatmir Sejdiut është vepër e intrigave të kryetarit që u bë kryetar nderi, Isa Mustafës dhe enturazhit të tij në LDK. Ndoshta për këtë arsye nuk u zgjodh edhe Melihate Tërmkolli. Por jo edhe Skënder Hyseni. Skënder Hysenit nuk mund t’i bëj askush derman, përveç Hashim Thaçit. Sepse është mendjemadh mospërfillës. Ai nuk respekton askënd veç shefit të vet, kushdo të jetë ai shef. Sjellja e ftohte dhe jo e përshtatshme me anëtarësinë e LDK-së e la jashtë Këshillit të Përgjithshëm. Atij i duket vetja “aristokrat”, por në fakt është përçudnimi i aristokracisë. I duket vetja i rëndësishëm. Por rëndësinë e fiton me kompromiset në kurriz të partisë së tij dhe të vendit të tij. Mesa duket kuvendarët ia kanë lexuar arrogancën e tij, ndaj dhe ia kënduan këngën. I vetmi që e meritonte. Ndoshta dhe Melihatja, sepse njëmijë herë ka hyjë e ka dal nga LDK-ja. Por të tjerët janë viktimë e idealizmit të tyre, e korrektësisë me ndërgjegjen e vet. Kjo është tragjike. Kjo do të thotë se Lidhja Demokratike nuk do të reformohet për një periudhë relativisht të gjatë. Dhe sa më shumë të zgjasë reformimi i saj, aq më shumë zgjatë rikthimi në fuqinë e mëparshme”, ka deklaruar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat