Dorëzimi para Osmanit, çfarë e detyroi Haradinajn për “tërheqje taktike” nga posti i presidentit?

Politika

Dorëzimi para Osmanit, çfarë e detyroi Haradinajn për “tërheqje taktike” nga posti i presidentit?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 17 mars 2021 Në ora: 13:21
Ramush Haradinaj dhe Vjosa Osmani

Kanë kaluar më shumë se një muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare dhe ende nuk është formuar qeveria e re.

Fitues të padiskutueshëm të këtyre zgjedhjeve dolën Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, të cilët me listën e përbashkët morën mbi 50 për qind të votave të përgjithshme.

Me këtë numër të votave, Kurtit dhe Osmanit nuk po i paraqiten probleme për formimin e qeverisë së re, pasi edhe disa nga deputetët e komuniteteve jo shumicë kanë shprehur gatishmërinë për t’i mbështetur fituesit e zgjedhjeve.

Problemi kyç me të cilin po përballen Albin Kurti dhe Vjosa Osmani është posti i presidentit, ku ende nuk po arrijnë të i sigurojnë votat e mjaftueshme.

Tani Osmani ka mbetur edhe pa kundër kandidat, pasi që kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili e kishte shpallur kandidaturën për president që para fillimit të fushatës zgjedhore, është tërhequr.

Vendimin se ka hequr dorë nga ambicia për t’u zgjedhur i pari i shtetit, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e bëri të ditur pas takimit me fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.

Lideri i AAK-së tha është në përgjegjësinë e tyre për ta gjetur formulën e zgjedhjes së presidentit, pasi ai nuk e përkrah koncetrimin, siç tha të gjithë pushtetin në dorën e Kurtin.

Para mediave, Haradinaj theksoi se kërcënimi me zgjedhje të reja, në rast të moszgjidhjes së Vjosa Osmanit presidente, nuk është në favor të askujt.

“Fituesit e zgjedhjeve të gjejnë formulën me krijuar qeverinë. Shumicën për presidentin është në përgjegjësinë e tyre, Në këtë rast si AAK nuk e kemi këtë mundësi me krijuar këtë shumicë me dy të tretat në parlament. Ajo çka na mbetet është një rol opozitar në shërbim të vendit…detyra jonë nuk është me përkrah koncetrimin e pushteteve në një dorë. Pra zotëri Kurtin. Populli ia ka dhënë votën, shumicën për krijimin e qeverisë, nuk ia ka dhënë dy të tretat edhe për presidentin. Është përgjegjësi e tyre si e bëjnë dy të tretat e votës, sepse kuorumi është votë. Si AAK do të marrim vendimet në organet e partisë si do të veprojmë në çdo rast”, u shpreh Haradinaj.

Njohësit e çështjeve politike për gazetën “Bota sot” komentuan këtë vendim të Ramush Haradinajt, arsyen dhe prapavijën e tij.

Analistët theksuan se ky vendim ishte i pritshëm pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit, në të cilat kundër kandidatja e Haradinajt, Vjosa Osmani, doli personi më i votuar në zgjedhjet parlamentare.

Ata nuk e hodhën poshtë mundësinë që prapa kësaj tërheqje të fshihet edhe një marrëveshje e Haradinajt me Kurtin e Osmanin.

Mehazi: Haradinaj nuk kishte zgjidhje tjetër përveç se të dorëzohej para Vjosa Osmanit

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar tërheqjen e Ramush Haradinajt nga kandidatura për postin e presidentit.

Mehazi tha se kjo tërheqje e Haradinajt ishte e pritshme pas humbjes së thellë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ai u shpreh se kreu i AAK-së nuk kishte zgjidhje tjetër, përveç se të dorëzohej para Vjosa Osmanit.

Image
Sulejman Mehazi

“Tërheqja e Ramush Haradinajt nga kandidatura për postin e presidentit është e logjikshme dhe ka qenë e pritshme, normale që pas fitores bindëse të Vjosa Osmanit, e humbjes së AAK-së, Haradinajt si mbeti gjë tjetër përveç që të dorëzohej para Vjosa Osmanit, përndryshe kryetari i AAK-së do bëhej gazi politik para qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar profesori.

Në vazhdim, ai e cilësoi si të palogjikshme kërkesën e Haradinajt për president, ndërsa shpresat e fundit ia shoi fitorja bindëse e Osmanit.

“Edhe para zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit kërkesa e Haradinajt për president ishte e palogjikshme e pas zgjedhjeve besueshmëria e qytetarëve, Vjosa Osmanin, e bënë më bindëse e pa konkurrence për t'u bërë presidente e Kosovës, fitorja e Osmanit ia humbi të gjitha shpresat Haradinajt”, theksoi Mehazi.

Sipas tij, qëllimi i tërheqjes nga kandidatura të Haradinaj e ka kuptimin e ndërgjegjes së tij. Pasi ai në njërën lavdërohej me burrërinë e luftën e bërë ndaj serbëve e në anën tjetër humbi rëndë gjatë zgjedhjeve parlamentare para Vjosa Osmanit.

“Tërheqja e kandidaturës së Ramush Haradinajt për postin e presidentit më shumë e ka kuptimin e ndërgjegjes së tij, e një komandanti muskuloz, të fuqishëm të mposhtur para një gruaje, Vjosa Osmanit që me principet e saja politike bindi qytetarët e Kosovës për presidente. Haradinaj në njërën lavdërohej me burrërinë e luftën e bërë ndaj serbëve e në anën tjetër humbi rëndë gjatë zgjedhjeve parlamentare para Vjosa Osmanit”, ka nënvizuar Mehazi.

Në fund, ai nuk e përjashtoi mundësinë se ky veprim i Haradinajt të jetë edhe për shkaqe politike, për të hyrë në qeverinë e re të Kurtit dhe për të shpëtuar sadopak partinë e tij të AAK-së.

“Tërheqja e Ramush Haradinajt mund të jetë edhe për shkaqe politike, ai duke luftuar për t'u bërë president harroi partinë e tij se shkon teposhtë e para humbjes, ndoshta kjo e ka detyruar që të dorëhiqet nga presidenti për të hyrë në qeverinë e re të Kurtit për të shpëtuar sado pak partinë e tij të AAK-së. Qartë, Çakorri e Zhlebi i kanë fajet e humbjes së Haradinajt”, ka përfunduar Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Shahu: Tërheqja e Haradinajt mund të ketë marrëveshje paraprake

Kurse, publicisti Rexhep Shahu tërheqjen e Ramush Haradinajt nga kandidatura për president të vendit e sheh shumë normale dhe të natyrshme.

Ai në një prononcim për gaztën “Bota sot” tha se ky vendim i Haradinajt, nuk ia cenon atij kontributet e tij si komandantë në luftën e fundit në Kosovë.

Image
Rexhep Shahu

“Tërheqja e Ramushi nga pretendimi për postin e presidentit është normale, e natyrshme, e fisme, pasi ai nuk i kishte kushtet të hynte në garë dhe të humbiste. Por kjo nuk ia cenon kontributet Ramushi si njeri nga komandantët në luftë për Kosovën, si njeri nga kryeministrat me punëtor në Kosovë”, është shprehur Shahu.

Sipas tij, ndonëse kreu i AAK-së nuk kishte mundësi të garonte për president, ai ishte kandidat i denjë për Vjosa Osmanin. Publicisti nënvizoi se nuk ka rëndësi momenti i tërheqjes, pasi ai nuk po hyn në garë që të ‘fitojë’ humbje.

“Ramushi nuk kishte mundësi të garonte, por ishte kandidat i denjë në raport me kandidaten Vjosa Osmani që nuk ka asnjë kontribut për Kosovën veçse është përkëdhelë deri sot nga LDK. E vonë apo jo tërheqja nuk ka vlerë por ai nuk po hyn në garë të fitojë humbje”, theksoi Shahu.

Në fund, publicisti sa i përket prapavijës së tërheqjes së Ramushit, nuk e eliminoi mundësinë që kjo të jetë bërë më një marrëveshje paraprake.

“Nuk e di çfarë fshihet pas kësaj dorëheqje të Ramushit, por ai është politikan dhe bën politikë edhe me dorëheqjen e tij, bën marrëveshje edhe me tërheqjen. Edhe mund të mos e votojë Vjosën, por asnjëherë nuk mund të themi kurrë dhe asgjë nuk është e pandryshueshme”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat