Eksperti amerikan: Votat e kësaj partie mund të jenë vendimtare për perspektivat e Kurtit dhe Osmanit

Politika

Eksperti amerikan: Votat e kësaj partie mund të jenë vendimtare për perspektivat e Kurtit dhe Osmanit

Nga: A.Zhushi Më: 17 mars 2021 Në ora: 21:02
Daniel Serwer

Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka folur për takimin mes kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurtit, u.d. së presidentes Vjosa Osmanit dhe u.d, së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, për votat për presidentin.

Serwer për gazetën “Bota sot”, ka thënë se 10 kërkesat e vendosura nga Hoxhaj për Kurtin dhe Osmanin, janë të arsyeshme, për të hedhur dritë për të kaluarën.

I pyetur se a duhet Kurti dhe Osmani t’i pranojnë kushtet e PDK-së, për t’i siguruar votat për postin e presidentit nga kjo parti, eksperti amerikan ka thënë se kjo varet plotësisht nga dy politikanët që fituan zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Kjo varet plotësisht nga ata. Pyetjet, megjithëse të mprehta, janë të arsyeshme në dritën e së kaluarës. Sidoqoftë, disa prej tyre mund të kërkohen nga PDK”, ka deklaruar Serwer.

Profesori ka thënë se udhëheqësit e PDK-së, të cilët janë akuzuar nga Gjykata Speciale në Hagë, kanë bërë mirë që janë larguar nga politika e Kosovës.

“Unë nuk kam ndonjë arsye për ta konsideruar PDK-në si kriminale, megjithëse disa nga udhëheqësit e saj janë paditur nga Dhomat e Posaçme. Ata prezumohen të pafajshëm derisa të shpallen fajtorë dhe kanë bërë gjënë e duhur duke u larguar nga politika e Kosovës dhe duke shkuar për të mbrojtur veten”, është shprehur më tej ai për “Bota sot”.

Sipas Daniel Serwerit, votat e PDK-së mund të jenë vendimtare për perspektivat e Vetëvendosjes dhe Vjosa Osmanit.

“Jeta vazhdon. Enver Hoxhaj nuk duhet të trajtohet si asgjë tjetër përveç një drejtuesi i partisë legjitime me numrin e dytë më të lartë të vendeve në Kuvend, duke bërë pyetje të mprehta. Votat e PDK-së mund të jenë vendimtare për perspektivat e VV-Osmani”, ka theksuar për “Bota sot” ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat