Hoxhaj tha se nuk e votojnë për presidente, analisti ka disa fjalë për Vjosa Osmanin

Politika

Hoxhaj tha se nuk e votojnë për presidente, analisti ka disa fjalë për Vjosa Osmanin

Nga: A.Z Më: 18 mars 2021 Në ora: 16:13
Vjosa Osmani

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj edhe njëherë ka thënë se nuk do ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente.

Sipas Hoxhajt, Osmani nuk reflekton vullnetin e qytetarëve dhe se ka qenë figurë përçarëse me qytetarët dhe ish-subjektin e saj politik. “Zonja Osmani nuk e reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës, pasi ka qenë figurë polarizuese në raport me qytetarët, por edhe me subjektin e saj politik (LDK) që e ka shndërruar në viktimë. Qëndrimi i PDK-së është super i qartë, nuk e mbështesim kandidaturën e saj, nuk votojmë për të, nuk marrim pjesë”, ka thënë Hoxhaj.

Lidhur me këtë, analisti Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Osmani nuk e pati asnjëherë dimensionin e përfaqësueses, madje në publik dhe media përdor terma fyes për Kosovën. Sipas tij, ajo sheh kudo korrupsion dhe nuk i quan arritjet e Kosovës në dy dekada.

“Që Vjosa Osmani nuk reflekton vullnetin e popullit, ky është përcaktimi më i qartë që i bëhet Vjosa Osmanit. Ajo e shndërroi veten në një ushtar të rëndomtë këmbësor të Albin Kurtit dhe nuk e pati asnjëherë dimensionin e përfaqësueses. Gjithë kohën u soll me inate e mëri. Ajo edhe sot e gjithë ditën është hip mbi kalë urrejtje e inati ndaj LDK-së dhe përdor në publik e media kudo terma fyes e denigrues për Kosovën, ajo sillet si shtojcë e apo buri e Albin Kurtit dhe e sheh edhe ajo Kosovën veç zi. Ajo kudo sheh korrupsion dhe hajni, ajo nuk meriton merita të askujt, ajo nuk i quan arritjet e Kosovës në dy dekada, ajo harron se ka qenë vetë pjesë e politikës dhe shumë e përkëdhelur”, deklaroi ai.

Tutje, Shahu ka theksuar se Osmani mund të jetë një nëpunëse e shtetit por jo drejtuese e shtetit, dhe se me ikjen nga LDK-ja do të shkojë drejt harrimit politik, kështu as PDK-ja dhe as LDK-ja nuk do t’i japin votën për presidente.

“Kosova nuk është gropa e zezë ndër shtetet e Evropës. Vetëm Serbia, Albini dhe Vjosa e shohin Kosovën gropë të zezë, shtet ku sundon krimi. Vjosës i rri shumë i madh kostumi i presidentes së Kosovës. E shumta ajo mund të shërbejë si një nëpunëse shteti por jo drejtuese shteti se i bën dëm Kosovës, sepse përçan e nuk bashkon. Edhe të kthehet në LDK me grupin e deputetët e saj, ajo vetëm do të rehabilitonte një pjesë të vetes. Unë jam shprehur se Vjosa me ikjen nga LDK-ja, me gropën që i hapu LDK-së, do të bjerë vetë në gropë e do të shkojë drejt harrimit politik. Si PDK-ja edhe LDK-ja nuk besoj të bjerë në gjunjë e t’i puthë këmbët Vjosës dhe t’i japë votën për presidente”, përfundoi Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat