“Abdixhiku nuk ka alternativë”, Zeqiraj tregon arsyen pse LDK-ja do ta votojë Osmanin presidente përkundër inatit

Politika

“Abdixhiku nuk ka alternativë”, Zeqiraj tregon arsyen pse LDK-ja do ta votojë Osmanin presidente përkundër inatit

Nga: A.Zhushi Më: 18 mars 2021 Në ora: 21:12
Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani

Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës, do ta votojë Vjosa Osmanin si presidente e Kosovës.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, Zeqiraj ka kujtuar se si LDK-ja, për shkak të ish-lidershipit klanor, kishte përjashtuar nga strukturat e partisë Osmanin, e cila më 2019, kishte premtuar çkapjen e shtetit.

“LDK-ja, për fajësinë e madhe, të ish lidershipit klanor të saj, që përjashtonte çfarëdo konkurrence, në zgjedhjen e kryetarit apo të kryesisë, provokoi, deri në përjashtim nga strukturat e partisë të Dr. Vjosë Osmanit. Ndonëse në zgjedhjet e vitit 2019, në cilësinë e kandidates për kryeministre, nga LDK-ja, kishte premtuar çkapjen e shtetit, nga partitë-banda të PAN-it, Vjosa nuk donte ta linte premtimin peng dhe kërkonte mundësi veprimi”, është shprehur analisti.

Image
Idriz Zeqiraj

Ai ka thënë se Osmani bashkë me Donika Gërvallën krijuan Listën Vjosa, duke tejkaluar çdo parashikim me suksesin e tyre në zgjedhjet e 14 shkurtit. Zeqiraj e ka vlerësuar lart Gërvallën, duke thënë se ajo ndonëse larg Kosovës, ka kontribuar për vendin e saj.

“Vjosë Osmani, së bashku me Donikë Gërvallën dhe ekipin e saj, lehtësisht dhe pa sforcim, krijuan - Listën Vjosa -, duke konkuruar, si grup, brenda LVV. Ato me suksesin e tyre, tejkaluan çdo parashikim. 300 mijë votat e Vjosës dhe të 72 mijë votat e Donikës, ndonëse ishte larg Kosovës, por, Kosova kurrë nuk e ka harruar kontributin enorm, të bijës të saj, ishte fitore plebishitare. Në marrëveshje të koalicionit VV-Lista Vjosa, ajo është nominua për Presidente e Republikës të Kosovës”, ka thënë më tej analisti.

Sipas tij, LDK-ja me kryetarin e ri Lumir Abdixhikun, nuk ka tjetër alternativë pos ta votojë Osmanin si presidente, ose të shkojë në zgjedhje të reja. Zeqiraj ka vlerësuar se zgjedhjet e reja, do të ishin shkatërrimi fundak i LDK-së. Ai ka kujtuar votat e LDK-së për zgjedhjen e Hashim Thaçit president dhe Kadri Veselit kryetar të Kuvendit të Kosovës.

“LDK, me kryetarin e ri, Lumir Abdixhikun, tashmë, nuk ka alternativë: Ose ta votojë Vjosë Osmanin presidente, ose të shkojë në zgjedhje të sërishme. Shkuarja në zgjedhje, me damkën e mosvotimit të Presidentes, nga deputetët e LDK-së, ndëshkimi i saj nga anëtarësia dhe elektorati i mbetur, përgjysmuar i saj, do të ishte shkatërrim fundak i LDK-së. Kjo është e lexueshme qysh tani. Aq më parë, kur kjo LDK-e ka votuar Hashim Thaçin president dhe Kadri Veselin kryetar të Kuvendit, duke qenë nën akuzë, për vrasjen e qindra shqiptarëve të pafajshëm!”, ka thënë për gazetën ai.

Publicisti Zeqiraj ka theksuar se zgjedhjet e 14 shkurtit, kanë goditur klanin e Isa Mustafës, të cilët edhe ai imponuan dorëheqjen nga pozita e kryetarit. Por, sipas tij, udhëheqja e re e LDK-së, ka tjetër diapazon politik e shtetëror, që e obligon ta votojë Osmanin për presidente.

“Megjithatë, humbja drastike, që pësoi LDK-ja, imponoi dorëheqjen e kryetarit Mustafa si dhe humbjen e forcës vendimmarrëse të klanit, bllokues e ngulfatës, Mustafa. Zgjedhjet, qofshin edhe këto nga lart të LDK-së, tronditën klanin në fjalë. Kryetari dhe kryesia e re, kanë tjetër diapazan politik e shtetëror. Ndjenja e përgjegjësisë shtetërore dhe të interesave personale, obligon votimin e presidentes Dr. Vjosë Osmani”, është shprehur Idriz Zeqiraj.

Sipas tij, LDK-ja përkundër kundërshtimeve “inatçore”, do ta votojë Osmanin për presidente të Kosovës.

“Rrjedhimisht, LDK-ja do ta votojë presidenten Vjosë Osmani, përkundër kundërshtive, foshnjore e inatçore, të ish-kryetarit të LDK-së. Edhe një herë u dëshmua se "inati në politikë, është humbës!" Atëherë, pse ta provonin klanorët?1”, ka shtuar Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat