Zgjedhjet e reja rrezik për Kosovën, të gjendet formula për postin e presidentit

Politika

Zgjedhjet e reja rrezik për Kosovën, të gjendet formula për postin e presidentit

Arife Morina  Nga Arife Morina  Më 19 mars 2021 Në ora: 11:31
Presidenca

Në Kosovë ka përfunduar procesi i plotë i numërimit të votave dhe rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, janë certifikuar nga KQZ-ja.

Kosova tash përballet me formimin e qeverisë dhe pastaj edhe zgjedhjen e presidentit.

Për formimin e qeverisë së Kosovës, nevojiten më së paku 61 vota të deputetëve të kuvendit. Por fillimisht presidenti i Kosovës duhet ta mandatojë fituesin e zgjedhjeve që të formojë qeverinë.

Formimi i qeverisë së re nuk po shihet si problem, por zgjedhja e presidentit të vendit, po del të jetë një nga problemet më të mëdha. Kjo për arsyen se aktualisht ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, mund të ushtrojë detyrën e saj vetëm deri në muajin prill.

Pastaj kuvendi është i obliguar që të zgjedh presidentin e ri. Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë se presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet me të paktën 61 vota në raundin e tretë nëse dështojnë dy të parat, ndërsa, në seancë duhet të marrin pjesë të paktën 81 deputetë. Presidenti i ri duhet të zgjidhet brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, ndërsa nëse ky proces dështon atëherë vendi në mënyrë automatike shkon sërish në zgjedhje.

Dhe kështu siç po shkojnë gjërat, nuk është befasi nëse vendi do të përballet edhe më një palë zgjedhje të reja.  Pasi, asnjë nga paritë humbëse të zgjedhjeve (LDK, PDK dhe AAK) kanë deklaruar se refuzojnë të votojnë ose të bëjnë kuorumin për zgjidhjen e Vjosa Osmanit presidente.

Pas këtyre deklaratave të opozitës, ka reaguar ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde i cili ka bërë thirrje që të përfundojë jostabiliteti politik, në Kosovë. Ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter u shpreh se një palë zgjedhje tjera nuk i duhen Kosovës tani.

“Mendimi im: jostabiliteti i zgjatur politik duhet të përfundojë – Kosova dhe populli i saj meritojnë stabilitet tash! Një palë zgjedhje tjera do të ishin gjëja e fundit për të cilën ka nevojë Kosova tash për tash”, shkroi Rohde.

Njohësit e çështjeve juridike dhe kushtetuese për gazetën “Bota sot” komentuan gjendjen e krijuar në vend, pas përfundimit të zgjedhjeve dhe certifikimit të rezultateve zgjedhore.

Ata bënë thirrje që të ketë bashkëpunim në mes partive politik, për formimin e institucioneve, në mënyrë që të i shmangin zgjedhjet e reja në vend. Të cilat sipas tyre, nuk janë aspak të nevojshme në këtë kohë.

Miftaraj: Kosova në tri vitet e fundit ka funksionuar në kohën më të madhe me Qeveri në detyrë 

Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar mundësinë e shkuarjes në zgjedhje.

Image
Ehat Miftaraj

Ai përmendi faktin se Kosova në tri vitet e fundit, ka funksionuar në shumicën e kohës me qeveri në detyrë dhe Kuvend që nuk ka përmbushur përgjegjësitë që ia përcakton Kushtetuta e vendit.

“Republika e Kosovës në tri vitet e fundit është duke funksionuar në kohën më të madhe me qeveri në detyrë, me Kuvend i cili fatkeqësisht nuk ka përmbushur kompetencat dhe përgjegjësitë që i përcakton Kushtetuta, ligji dhe pritjet e qytetarëve”, deklaroi Miftaraj.

Tutje, ai shtoi se partitë politike duhet domosdoshmërish të gjejnë vullnetin për të bashkëpunuar dhe formuar institucionet.

Miftaraj përmendi edhe disa nga sfidat më të mëdha me të cilat Kosova po përballet kohëve të fundit.

“Kur kësaj i shtohet fakti se jemi me U.D. Presidentit dhe prioritet që ka Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj në raport me Pandeminë Covid-19, gjendjen e rëndë në të cilën sot gjenden bizneset dhe qytetarët nga kjo pandemi, nevoja për të adresuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për një marrëveshje finale që definon dhe siguron për Kosovën një ulëse në OKB, dhe shumë çështje tjera praktike, është e domosdoshme që partitë politike të gjejnë vullnetin dhe kurajën për të formuar institucionet pa vonesë”, ka deklaruar për “Bota sot” Ehat Miftaraj nga IKD.

Kelmendi: Kosovës i kërkohet t'i formoi organet e pushtetit 

Ndërsa, njohësi i çështjeve kushtetuese dhe profesori Muhamet Kelmendi, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot”, foli për zgjedhjet parlamentare dhe problemet të cilat po pengojnë formimin e qeverisë dhe institucioneve.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai tha se pluralizmi në zgjedhje i bën ato të lira dhe demokratike.

“Në shtetet demokratike ka humbës dhe fitues në zgjedhje, mos të ishte kështu nuk do të kishim zgjedhje të lira dhe demokratike, përkatësisht pluralizëm. Natyrisht se në vendet tranzitore ka probleme të natyrave të ndryshme. Mirëpo kjo nuk d.m.th. se nuk duhet të krijohen organet e shtetit dhe të bllokohet procedura zgjedhore e Qeverisë ose Presidentit”, ka deklaruar ai.

Kelmendi u shpreh se një nga gjërat më të këqija të qeverive të Kosovës, është bllokimi i formimit të institucioneve, nga partitë opozitare. Ai bëri apel që kjo praktikë e bllokimit të punës të përfundojë, në mënyrë që qeverisë së re t’i mundësohet krijimi i institucioneve qeverisëse. 

“E keqja është se në Kosovë jemi mësuar me masa bllokuese, gjatë tërë kohës së deritashme të qeverisë së vendit kemi pasur nga partitë opozitare bllokim të formimit të organeve dhe të punës së Kuvendit. Kjo praktike e bllokimit të punës duhet të përfundojë, mirë është që Kosovës t'i mundësohet krijimi i organeve të veta të pushtetit”, ka nënvizuar Kelmendi.

Juristi tregoi edhe rrjedhën ligjore për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kelmendi ia kujtoi ambasadorit gjerman, Jorn Rohde, se në demokraci nuk ka detyrim ndaj deputetëve për të votuar ndonjë ligj ose për t’iu nënshtruar partive në pushtet.

“Rrjedha ligjore e formimit të organeve fillon me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Zgjidhet kryetari, nënkryetarët dhe anëtarët e Kryesisë dhe menjëherë shkohet në zgjedhjen e Presidentit. Pa këtë nuk mund të kalohet të zgjedhja e Qeverisë, kjo është rruga ligjore. Por në demokraci nuk ka detyrim ndaj deputetëve dhe partive për të votuar. Deputetët  i nënshtrohen vetëm votuesve të vetë dhe normave ligjore të demokracisë. Këtu nuk ka ligj që të detyrojë deputetin në ndonjë "veprim", votë apo nënshtrim të tij. Këtë e di mirë ambasadori gjerman dhe çdo ambasador tjetër në kuadër të UE apo edhe vet SHBA-të”, ka theksuar më tej ai.

Kelmendi potencoi se deputetët janë të lirë të votojnë, të abstenojnë dhe kundërshtojnë, por ata duhet të mësohen me lojën demokratike, ku mundësimin e formimit të institucioneve e kanë obligim moral dhe jo ligjor.  

“Vota e deputetit është e lirë, ai ka të drejtë të votoj, të mos votoj, të abstenoj apo edhe të lëshoj seancën. Deputeti është i lirë në këto veprime. Mirëpo, tash është koha e fundit dhe në duhet të mësohemi me lojën demokratike. Të mësohemi se ka fitues dhe humbës dhe se detyrë morale e opozitës është mundësimi i formimit të organeve të pushtetit shtetëror. Thash se është çështje morale dhe jo ligjore”, ka vlerësuar profesori.

Në fund, juristi paralajmëroi se në rast të mos formimit të institucioneve dhe konstituimit të Kuvendit brenda afateve ligjore, vendi rrezik të shkon në zgjedhje të reja. 

“Dhe, natyrisht se mos formimi i organeve brenda afateve kushtetuese, si konstituimi i Kuvendit, zgjedhja e Qeverisë dhe e Presidentit, e përsëris, brenda afateve ligjore, e dërgon vendin në zgjedhje të reja. Kjo ndodhë në shumë vende, shih për këtë Izraelin. Brenda një apo dy viteve ka mbajtur tre palë zgjedhje. Mirëpo, kjo nuk është ajo që ia dua Kosovës, por kur nuk formohen organet mbetet mjeti i fundit vota, rrugë tjetër nuk ka”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat