Përfunduan takimet me opozitën, juristi: Ja si duhet të veprojnë tani Kurti dhe Osmani

Politika

Përfunduan takimet me opozitën, juristi: Ja si duhet të veprojnë tani Kurti dhe Osmani

Nga: A.Morina Më: 19 mars 2021 Në ora: 22:12
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, kanë përfunduar takimet konsultative me subjektet politike, shkruan "Bota sot".

Siç është bërë e ditur, të gjitha takimet janë zhvilluar në frymë konstruktive. Kurse, Kurti dhe Osmani kanë kërkuar konstruktivitet të subjekteve politike deri nëpërmjet prezencës në të tri seancat e zgjedhjes në të tri institucionet kryesore të shteti.

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka treguar se si duhet të veprojnë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, pas përfundimit të takimeve me partitë opozitare.

Image
Blerim Burjani

 

Burjani tha se Kurti dhe Osmani, fillimisht duhet ta kenë të qartë nëse i kanë numrat e duhur për të formuar qeverinë. Ai kërkoi që këtë çështje dy fituesit e zgjedhjeve ta zgjidhin para mbajtjes së seancës në Kuvend.

“Tash ata duhet të jenë të qartë para opinionit, nëse i kanë numrat për të ecë përpara me procedura kushtetuese, apo jo? Kjo çështje duhet të zgjidhet para se të vijë dita e seancës së Kuvendit, nëse nuk i kanë numrat atëherë më mirë është të mos mbahet kjo seancë”, deklaroi ai.

Juristi u shpreh se çështja më e diskutueshme për momentin është se a do arrijë të bëhet Albin Kurti, kryeministër i vendit.

Kjo pasi, dihet se kreu i VV-së ka një dënim i cili është i vlefshëm deri në muajin shtator, shkaku i të cilit KQZ nuk e certifikoi në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Çështja më e diskutueshme mbetet se a do të bëhet Kurti për kryeministër, duke pasur parasysh dënimin që e ka deri në shtator? Dhe se a do të dërgohet në kushtetuese dhe të krijohet sërish krizë? Kjo çështje diskutohet në opozitë dhe opinion publik, tash e sa kohë”, theksoi Burjani.

Në fund, ai përmendi edhe mungesën e kuorumit për zgjidhjen e Vjosa Osmanit, presidente.

“Për rastin Vjosa dhe presidenti, numra nuk ka deri më tash, po ashtu, partitë opozitare nuk kanë garantuar kuorum, ka shumë konfuzitet në këtë çështje”, përfundoi juristi Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat