Abdixhiku tha se javën tjetër takohen me Osmanin, juristi: S’ka shumë përkrahje në LDK për pretendenten për presidente

Politika

Abdixhiku tha se javën tjetër takohen me Osmanin, juristi: S’ka shumë përkrahje në LDK për pretendenten për presidente

Nga: N. H Më: 19 mars 2021 Në ora: 23:48
Lumir Abdixhiku, Kujtim Shala, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur në një konferencë për media pas takimit që ka pasur me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin , dhe kandidaten e VV-së për presidente, Vjosa Osmanin.

Abdixhiku ka thënë se gjatë javës së ardhshme do të takohen ndaras vetëm me Vjosa Osmanin si pretendente për presidente ku edhe do t’i kërkojnë sqarime për pozicionet e saj për Lidhjen Demokratike të Kosovës, për Vetëvendosjen dhe për opozitën.

“Ne sot përfunduam takimin e parë me përfaqësuesin dhe kryetarin e VV-së, Albin Kurtin. Ku diskutuam temat e sekuencës së formimit të institucioneve. Këtu kemi përfunduar takimet me VV-në, sepse pozicionet tona janë të qarta. Kështu ka vendosur zëri qytetar. VV është në pozitë, ne jemi në opozitë. Ne do të jemi një opozitë aktive dhe do të jemi një alternative e re. Këtu përfundojmë takimin me VV-në dhe jemi të dakorduar, që pas formimit të qeverisë, të takohemi me pretendenten për presidente, dhe të kuptojmë pozicionin e saj karshi LDK-së, Vetëvendosjes, opozitës. Presim që javën e ardhshme të kemi ftesë nga kandidatja për presidente”, ka thënë Abdixhiku.

Lidhur me takimin e sotëm mes kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abixhiku, dhe fituesve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, ka folur njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese.

Juristi Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ajo çfarë është e vërtete është se në këtë kohë nuk ka shumë përkrahje për Vjosa Osmanin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Kjo është çështje Lidhjes Demokratike të Kosovës, çështje e interesave të saj politike, realiteti politik është diçka tjetër, s’ka shume përkrahje për Vjosa Osmanin në LDK”, ka thënë juristi Burjani.

Tutje, Burjani potencon se nuk mund të mohojmë e as pohojmë se LDK-ja mund të votojë Vjosa Osmani për presidente të vendit.

“Mund të ketë edhe jo interesim për Vjosa Osmanin nga LDK, nuk mund të mohojmë e as pohojmë se LDK-ja mund të votojë Vjosa Osmani, ose që do t’ia bëjë kuorumin. Në fund të fundit edhe po që se rrinë opozita në sallë është pozitive që herën e tretë të zgjidhet Osmani si presidente e vendit”, është shprehur njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat