Pesë ministre në Qeverinë Kurti II, sukses i garantuar për Kosovën

Politika

Pesë ministre në Qeverinë Kurti II, sukses i garantuar për Kosovën

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 20 mars 2021 Në ora: 13:09
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Qeveria e re e Kosovë pritet që të formohet të hënën. Albin Kurti do të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit, ndërkaq ekzekutivi i drejtuar nga ai do t’i ketë pesë gra udhëheqëse të ministrive.

Të hënën, më 22 mars, pritet që të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës, ndërsa pas kësaj do të mbahet seanca për formimin e Qeverisë.

Qeveria Kurti do t’i ketë gjithsej 15 ministri, ndërkaq pesë prej tyre do të udhëhiqen nga gratë. Kjo u konfirmua edhe nga anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Bazuar sipas disa informacione brenda LVV-së, bëhet e ditur se pesë gratë që do të udhëheqin ministritë janë Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla-Schwarz, Rozeta Hajdari, Arbërie Nagavci dhe Emilia Rexhepi.

Albulena Haxhiu pritet që të kthehet si ministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti 2.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’i besohet Donika Gërvalla-Schwarz, e cila vjen nga lista “Guxo” e Vjosa Osmanit.

Rozeta Hajdari do të udhëheqë me ministrinë e Ekonomisë dhe Zhvillimit, ndërkaq, Arbërie Nagavci është një ndër emrat e përfolur për ministre të Arsimit.

Emilia Rexhepi e cila vjen nga komunitetet pakicë, pritet që të emërohet ministre e Pushtetit Lokal.

Lidhur me këto pesë gra që do të jenë udhëheqëse të ministrive e kanë komentuar edhe disa analistë.

Qarri: Në të gjitha ministritë ku do të ketë gra, Kosova e ka të garantuar suksesin

Analisti politik Gani Qarri, ka thënë se me udhëheqjen e pesë grave të suksesshme, Kosova që tani e ka të garantuar suksesin në të gjitha ato poste. Kjo pasi ato, kudo që kanë fituar besim për të udhëhequr, nuk e kanë zhgënjyer asnjëherë popullin e Kosovës.

Image
Gani Qarri

“Fakti se Qeveria në ardhje qysh në nismë, dëshiron t`ia fillojë mbarë, flet vet vendimi që nga 15 ministri, pesë sosh apo 1/3 e tyre do të udhëhiqen nga pesë gra të suksesshme të cilat çdo herë e kanë mbushur me krenari Kosovën. E duke pasur parasysh përvojën e mirë me disa nga postet shtetërore e diplomatike që edhe në të kaluarën kanë udhëhequr femrat tona, Kosova qysh tash, pothuajse e ka të garantuar suksesin, në të gjitha ato poste shtetërore dhe ministri ku gratë e saj, do të jenë të parat. Madje për dallim nga burrat që padrejtësisht dhe në mënyrë krejt të pa merituar, ende mbajnë shumicën e pozitave udhëheqëse, me gjithë numrin e vogël të posteve të cilat i kanë kryesuar, kudo që gratë e Kosovës kanë fituar besimin për të qenë në krye të udhëheqjes, nuk i kanë zhgënjyer asnjëherë qytetarët, qeveritë as popullin dhe shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.

Qarri si shembull të suksesit nga një femër e ka marrë Edita Tahirin, derisa thotë se vetëm me të ka pasur negociata që ishin rezultat për Kosovën, siç ka qenë vendosja e pikave kufitare por edhe disa të tjera të cilat Thaçi i filloi me pazare deri sa e dërgoi vendin në copëtim dhe shuarje të tërësishme.

“Le ta kujtojmë me këtë rast ish udhëheqësen e delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë, zonjën Edita Tahiri, ku në gjithë procesin mbi 10 vjeçar të negociatave, vetëm në fazën kur ato u kryesuan nga zonja Tahiri, pati negociata të suksesshme të cilat u kurorëzuan me arritje dhe prodhuan rezultate për Kosovën. Të përmendim vetëm dy-tre më kryesoret nga to, duke filluar me vendosjen e pikave kufitare me Serbinë në Veri të vendit, Interkonçesioni i Rrjetit Elektrik, Telefonia më vete e shtetit të Kosovës etj, të cilat vetëm falë zotësisë së zonjës Tahiri, u kurorëzuan me sukses. Ndërsa me të marrë Thaçi kryesimin e negociatave, ai filloi menjëherë pazare me tokat tona, derisa e qoi vendin në prag të ndarjes e copëtimit dhe shuarjes së tërësishme të shtetësisë së Kosovës”, ka vlerësuar Qarri.

Ai ka përmendur edhe Vlora Çitakun, e cila sipas tij, gjithmonë ka lënë pa koment Ivica Daçiqin, gjë që Hoxhaj, Hyseni dhe Pacolli, asnjëherë nuk kanë arritur t’i dëshmojnë.

Ai thotë se jemi të bindur se me pesë gra, arritjet në të mirën e Kosovës do të jenë të mëdha, sepse gratë edhe gjatë luftës kanë treguar se janë më heroina dhe më të vendosura përballë fatkeqësive.

“Ndërsa, sa herë kujtojmë përfaqësimin e Kosovës në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, na del parasysh gjithmonë përfaqësimi i shkëlqyer i Kosovës, sërish nga një femër rrezatuese si Vlora Çitaku, e cila gjithmonë linte pa koment përfaqësuesit arrogant serb, e veçanërisht ish ministrin e jashtëm të Serbisë Ivica Daçiqin, suksese sublime, që për asnjë moment nuk kanë arritur t’i dëshmojnë burrat e këtij vendi, si bie fjala Enver Hoxhaj, Skënder Hyseni apo edhe Behgjet Pacolli. Kështu që edhe kësaj radhe, jo vetëm që shpresojmë shumë, por edhe jemi plotësisht të bindur si qytetar të këtij vendi se me pesë gra në krye të pesë ministrive tona, rezultatet e punës dhe arritjet në të mirë të qytetarëve dhe interesave të shtetit të Kosovës, do të jenë më të mirat dhe më të ndriturat, kudo që udhëheqin gratë. Madje femrat shqiptare edhe gjatë luftës së fundit e kanë tregu veten se janë me të vërtetë heroina, më të qëndrueshme se burrat dhe shumë më të vendosura përballë fatkeqësive”, është shprehur ai tutje për "Bota sot".

Qarri po ashtu ka theksuar se gratë asnjëherë nuk kanë ikur, madje as kur kanë qenë në rrezik për jetë siç kanë bërë burrat vetëm për të shpëtuar vetën, kështu që vendimi i Kurtit për emërimin e grave në krye të ministrive, duhet përshëndetur nga të gjithë madje kjo gjë të avancohet edhe më shumë sepse ato punojnë më me përkushtim dhe udhëheqin si heroina, sukseseve të tyre, të cilat meshkujt nuk kanë mundur asnjëherë tu afrohen.

“Ato, nuk kanë ikur asnjëherë si burrat, as para rrezikut për jetë, sidomos kur ishin në pyetje pasardhësit dhe familja, si dhe janë dëshmuar të gatshme edhe të vetëflijohen e vdesin, por jo t’i lënë vetëm apo t`ua kthejnë shpinën fëmijëve të vet edhe pa pasur shpresë se do tu vinin në ndihmë burrat, apo do të shpëtoheshin nga burrat, që iknin para grave, për ta shpëtuar kokën e vet. Vendosmërinë e tillë, nuk kanë mundur ta dëshmojnë, pothuajse në asnjë rast burrat, me përjashtim të familjes Jashari, që dhe është flijuar komplet, trimëria e së cilës ka kaluar parametrat e qëndresës normale dhe ka hy në histori me përmasat e veta mitike duke u shndërruar në legjendë flijimi. Ndaj vendimi i Kurtit për emërimin e femrave në krye të 1/3-ës së ministrive, duhet përshëndetur nga të gjithë, madje duhet parë mundësitë, që ky akt të avancohet edhe më tepër dhe ministritë të ndahen në mënyrë të barabartë, apo tu epet edhe përparësi femrave tona, ngase ato çdo emërim në poste udhëheqëse e marrin më seriozisht, punojnë më me përkushtim dhe kudo që janë të parat, udhëheqin si heroina të vërteta, me shumë sinqeritet dhe ndershmëri të pafund, sukseseve të të cilave, meshkujt shumë herë, nuk mund as tu afrohen”, ka deklaruar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

Juristi Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se politika në Kosovë nuk respekton përvojën, por kontributin për liderin, kështu që sipas tij, duhet pasur 15 vjet përvojë pune.

Burjani: Femra mund të jetë edhe kryeministre e shtetit, por vetëm të ketë aftësi për zgjedhjen e problemeve

Ai shtoi se gratë mund të jenë edhe kryeministre të shtetit, por vetëm nëse ka aftësi për zgjedhjen e problemit, përndryshe nuk ka asgjë prej kësaj pune.

Image
Blerim Burjani

“Kjo është pozitive, por duhet të jenë me përvojë të gjatë profesionale për fushat që pritet të emërohen. Politika kosovare nuk është e mirëfilltë dhe nuk respekton përvojën, por servilizmin dhe kontributin për liderin, këto janë dobësi të mëdha për të pasur një post të ministrit, duhet të kenë së paku 15 vjet përvojë pune në sektor përkatës, pra të nivelit senior, nëse jo atëherë kjo është improvizim dhe asgjë tjetër. Për ministri të tillë çfarë ka pasur Kosova mund të gjenden edhe në treg të gjelbër, sidoqoftë pozitive është në kuptimin gjinor, tash performanca është diçka tjetër. Pra, femra është shumë pozitive madje të jenë edhe kryeministre të shtetit pse jo, natyrisht nëse ka aftësi për tu përballur me problemet, të gjejnë zgjidhje, nëse nuk ka kreativitet profesional, politik në mënyrën e gjetjes së rrugës për reformë apo gjëra të tjera, atëherë nuk ka gjë prej kësaj pune, si them unë, më fal poste si bakshish në dasma”, theksoi ai.

Tutje ka deklaruar se për emërimin e njerëzve duhet pasur kujdes, sepse ashtu do të jenë edhe ministrat, përndryshe nuk do të kemi politikë të suksesshme.

Sipas Burjanit, njerëz të shumtë duan të jenë ministra, por e rëndësishmja është se duhet të jenë profesional sepse Kosovës i duhen ministra me përvojë të gjatë.

“Pra, kujdes duhet të ketë të madh në emërimin e njerëzve, tash si është kryeministri janë edhe ministrat, një kryeministër i pa përvojë në asnjë fushë edhe ministrat mund të vijnë njëjtë si kryeministri. Pra, duhet të dëshmohen në radhë të parë përmes një përvoje të gjatë jetësore, profesionale dhe pastaj politike, nuk mund të ketë politika të suksesshme me njerëz të pa përvojë. Dëshira dhe vullneti në këtë shtet kurrë nuk mungon, mund të gjeni gjithkund njerëz që mezi nuk presin të jenë ministra, por a janë për atë punë? Kjo është pikëpyetje e madhe, kabineti duhet të jetë profesional për shkak se ballafaqohet me probleme, Kosova ka nevojë për kryeministër ekonomist me përvojë të gjatë për të bërë reforma dhe për ministra me përvojë për të pasur ide reformuese”, ka deklaruar Blerim Burjani për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat