“Ataku i Vuçiqit ndaj Kosovës” dhe reagimet e zbehta, askush nuk i tha se “ju jeni kriminel”!

Politika

“Ataku i Vuçiqit ndaj Kosovës” dhe reagimet e zbehta, askush nuk i tha se “ju jeni kriminel”!

Nga: N.Sh Më: 20 mars 2021 Në ora: 14:09
Aleksandër Vuçiq, foto ilustrim nga "Bota sot"

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka provokuar shqiptarët me publikimin e hartës së Kosovës, e cila u mbulua me flamurin serb.

Kjo ka bërë që të reagojnë shqiptarët në Kosovë e Shqipëri.

Megjithatë, edhe pse pati shumë reagime nga politikanët, ato ishin të zbehta.

Vuçiqit duhet dikush t’ia thotë të vërtetën se shteti serb është kriminal, dhe ai ishte pjesë e krimeve që u bënë për vite me radhë ndaj shqiptarëve.

Por, këto reagime po mungojnë nga liderët e Kosovës dhe të BE-së.

Ata po heshtin përballë një të vërtete të madhe, e cila nuk do duhej të harrohej asnjëherë.

Provokim, e ka quajtur edhe dr. Sadri Ramabaja publikimin e asaj harte.

Ai thotë se, ataku i presidentit serb nuk do të duhej të mbetej pa përgjigjen e merituar nga Tirana e Prishtina zyrtare, por edhe nga Brukseli dhe Njujorku.

“Me këtë akt ai sërish e dëshmon se sa i jashtkohshëm është e sa albanofob i llojit të vet tutje mbetet. Ai mbetet ai propaganduesi i strategjisë së ish shefit të tij gjatë kohës së luftës, amplifikuesi i krimit. Në fakt, me këtë akt, ai e bën të qartë se, gjithë strategjia perëndimore për ta përafruar Serbinë me BE-në, ka vajtur pothuajse dëm. Serbia përmes dialogut dhe imponimit si palë e përgjegjshme në rajon, nga Brukseli mori si shpërblim hapjen e negociatave të para-pranimit, e me këtë lumin e mbështetjes financiare aq të domosdoshme për ekonominë e ushtrinë serbe! Kosovës ai dialog i filluar që në vitin 2011 i solli vetëm Marrëveshjen e Asociimit me Bashkimin Evropian, kaq! Prandaj ka ardhur koha të rishikohet tërësisht strategjia e dialogut dhe qasja ndaj këtij procesi, jo vetëm nga Prishtina zyrtare, por edhe nga Brukseli dhe partnerët e miqtë tanë real”, thotë Ramabaja.

Ai thekson se, Serbia tani ka bërë e po bën çdo ditë rikthim në pozicionet që kishte në prag të fillimit të luftës, sikur në Kosovë të mos kishte ndodhur asgjë!

Sipas tij, insistimi për rifillimin e çfarëdo dialogu tashmë mes Kosovës politike dhe Serbisë, prandaj është i pakuptimtë.

“Në vend të këtij insistimi, Perëndimi ka nevojë të rishikoj strategjinë mbi të cilën ka punuar në ngritjen e marrëdhënieve me Serinë e pasluftës dhe riafrimit të saj me demokracitë liberale. Serbia, respektivisht ato pak forca progresive atje, kanë nevojë urgjente për mbështetje reale në dobi të ngritjes së një mendësie e shoqërie të re. Serbia dhe kombi serb kanë nevojë për rishikim të plotë të së kaluarës dhe rigjykim të raporteve me fqinjët e tyre, sidomos me shqiptarët. Ata kanë nevojë për politikanë të tipit të Latinka Peroviqit, që të njohin vetveten. Provokimi i radhës nga ana e Vuçiqit prandaj nuk duhet të shihet se i adresohet vetëm Prishtinës dhe kosovarëve. Ky veprim i presidentit serb flet më shumë për gjakimin e Beogradit zyrtar, prandaj, kur në tryezën e dialogut të qenët përballë me Vuçiqin, qoftë edhe me ndërmjetësimin e kujtdo diplomati evropian, është humbje kohe dhe tallje me vetveten”, thotë ai.

Sipas tij, raportet mes shqiptarëve dhe serbëve, jo thjesht mes Kosovës dhe Serbisë, mbeten rrjedhimisht shumë të ndera. Me këtë atak Vuçiqi vetëm sa e sforcon këtë gjendje, që në dukje merrte herë-herë trajtë shtensionimi të shpifur.

“Mundet që këto veprime presidenti serb i bën edhe nga dëshpërimi i thellë që ka me zhvillimet e reja në Kosovë – ai tani në vazhdimin e dialogut të pritshëm, nuk do të ketë përballë “çunin e mirë”, që në Alpbah të Austrisë pat deklaruar jo pa krekosje prej çuni naiv, se ata tok, ai dhe Vuçiqi, na paskan qenë “…të vendosur të elaborojnë (eksplorojmë) çdo opsion, duke përfshirë edhe korrigjimin e kufijve, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje”! “Ne kemi nevojë për mbështetjen e BE-së, një BE-je të bashkuar, ne nuk jemi djelmosha problematik. Ne po përpiqemi të bëjmë marrëveshje”, pat deklaruar atëbotë Thaçi. Ndërkaq problemi atëbotë, sipas tyre, po zhvendosej në Berlin! “Vendet e rajonit dhe BE-ja nuk duhet të jenë kundër ose të kenë frikë nga marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, nëse kjo do të thoshte edhe korrigjim të kufirit.” Përmes kësaj deklarate po përgatitej terreni de fakto i ndarjes së Kosovës”, potencon Ramabaja.

Prandaj, sipas tij, Thaçi insistonte duke u shprehur sakaq me arrogancën e politikanit të madh, i gatshëm të marrë edhe dekoratën e “Nobelit për paqe”, pa çka se do të pajtohej me aneksim të një pjese të Atdheut nga Serbia.

“Aleksandër Vuçiq tani përmes provokimeve të kësaj natyre, si ky me hartën e Kosovës dhe flamurin serb mbi të, më shumë duket se vajton kohën e ikur dhe partnerin e tij”, përfundon Sadri Ramabaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat