“Ai e din mirë që ...”, Serwer “godet” Vuçiqin për hartën: Të reagojnë SHBA dhe BE

Politika

“Ai e din mirë që ...”, Serwer “godet” Vuçiqin për hartën: Të reagojnë SHBA dhe BE

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 20 mars 2021 Në ora: 18:35
Daniel Serwer

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, të enjten publikoi një foto të hartës së Kosovës me flamurin serb, duke shkaktuar reagime të ashpra në Kosovë.

“Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri”, ka shkruar Vuçiq mbi fotografinë, që e publikoi në llogarinë personale.

Deklaratën e presidentit serb e ka komentuar edhe eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, Serwer, ka thënë se Vuçiq e din që nuk ka asnjë mundësi që Kosova të kthehet në sovranitetin serb. Sipas tij, Vuçiq vetëm po bën thirrje për votuesit nacionalistë.

“Kjo më bëri të qesh, jo me gëzim. Nuk ka fare mundësi të kthehet Kosova në sovranitetin serb dhe presidenti Vuçiq e di këtë. Ai thjesht po bën thirrje për votuesit nacionalistë”, është shprehur profesori amerikan.

Ai e ka quajtur këtë provokim nga Beogradi, duke kujtuar se i tillë ishte edhe përdorimi i termave nënçmues për shqiptarët.

Serwer ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian, që t'ia bëjnë me dije Beogradit, që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, duhet të praktikohen.

“Ka pasur shumë provokime nga Beogradi, përfshirë përdorimin e termave nënçmues për shqiptarët. Është koha që Uashingtoni dhe Brukseli të reagojnë duke e bërë të qartë që marrëdhëniet me SHBA dhe BE varen nga Beogradi, jo vetëm duke folur për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, por duke i praktikuar ato. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për Prishtinën”, ka thënë më tej ai.

Eksperti nuk sheh shenja se Vuçiq do ta njohë Kosovën para vitit 2022.

“Ai nuk ka treguar asnjë shenjë përgatitje për të njohur Kosovën para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale të Serbisë në 2022”, ka shtuar Daniel Serwer për “Bota sot”.

Image
Postimi i Vuçiqit në Instagram

Gjestin e Vuçiqit, e ka quajtur dje provokim edhe eksperti i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit Richard Caplan./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat