Provokimi i rëndë i Serbisë, analisti zbulon lëshimet që Hashim Thaçi bëri ndaj Aleksandër Vuçiqit

Politika

Provokimi i rëndë i Serbisë, analisti zbulon lëshimet që Hashim Thaçi bëri ndaj Aleksandër Vuçiqit

Nga: A.Morina Më: 20 mars 2021 Në ora: 21:59
Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi,foto ilustrim nga "Bota sot"

Provokimet nga Serbia nuk e kanë ndërmend të ndalen. 

Provokimi i fundit është ai i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ditë më parë publikoi një fotomontazh të hartës së Kosovës, brenda së cilës shihet flamuri i Serbisë. 

Ky postim i Vuçiqit, nxiti reagime shumë të mëdha në vend, madje u cilësua si një nga provokimet më të rënda të Serbisë, ndaj Kosovës. 

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se provokimeve të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, iu prijnë Hashim Thaçi dhe Edi Rama. 

Ai tha se Thaçi duke zhvilluar për dhjetë vite rresht bisedime me këtë shtet okupator, në pozicione të pabarabarta, Vuçiqi vazhdon ta konsiderojë, “krahinë” të Serbisë.

“Fatkeqësisht këtyre akteve u prinë vet Hashim Thaçi dhe Edvin Kristaq Rama, kuislingu Thaçi duke zhvlerësuar shtetësinë e Kosovës me fusnotë, vetëm një vit pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për legjitimitetin e pavarësisë së shtetit tonë dhe zhvilluar për dhjetë vite rresht bisedime me këtë shtet okupator, në pozicione të pabarabarta, vetëm për çështje të brendshme të Kosovës, të cilën me lëshimet që atij, i bëri Hashim Thaçi, Vuçiqi vazhdon ta konsiderojë, “krahinë” të Serbisë”, deklaroi  Qarri.

Tutje, analisti shtoi se nuk ka qenë asnjë nevojë, shkas, as arsye, që sërish Thaçi të merrej me Serbinë, duke e zhvlerësuar statusin e pavarësisë me fusnotë, dhe bërë lëshim pas lëshimi Serbisë.

“Pas legjitimimit të pavarësisë së shtetit të Kosovës, me 22 korrik të vitit 2010, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që është edhe organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, vendim me të cilin shtetësia e Republikës së Kosovës u vulosën dhe pavarësia e sovraniteti i saj, u bënë të pa tjetërsuara, nuk kishte më asnjë nevojë, shkas, as arsye, që sërish Thaçi të merrej me Serbinë, duke e zhvlerësuar statusin e pavarësisë me fusnotë, dhe bërë lëshim pas lëshimi Serbisë”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, Qarri përmendi edhe kërkesën e gazetarit Baton Haxhiu faljen e krimeve dhe gjenocidit serb, të kryer nga Serbia e Millosheviqit dhe ministrit të tij të informatave, Aleksandër Vuçiqit.

“Përderisa kuislingu HashimThaçi kërkonte edhe ndihmën e ndërkombëtarëve në samitin e shteteve të Ballkanit me 25 gusht të vitit 2018, në Alpbach të Austrisë, spiuni i Stanishiqit Baton Haxhiu, ka dy-tre vite që është ngritur duke kërkuar faljen e krimeve dhe gjenocidit serb, të kryer nga Serbia e Millosheviqit dhe ministrit të tij të informatave, Aleksandër Vuçiqit, ndaj dhjetëra mijëra civilëve shqiptarë në Kosovë, 1743 prej të cilëve Vuçiqi edhe të vdekur i mban peng në Serbi dhe nuk pranon që trupat e tyre, t`ua kthej familjeve të veta në Kosovë”, theksoi ai.

Kurse, Qarri nuk harroi as ta përmend edhe hartën fantome të "Minishengenit”, të cilën e kishte publikuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai tha se Rama nuk reagoi kundër këtij veprimi, pasi u frikësua se do t’i hidhërohet Vuçiqi.

“Ndërsa, sikur mos të mjaftonin as të gjitha këto, edhe Edvin Kristaq Rama, nisi të publikonte harta fantome të "Minishengenit”, ku Kosova paraqitej si territor i Serbisë, ndërsa pas mbulimit të hartës së Kosovës me flamur të Serbisë, Rama bashkë me suitën, as që kanë reaguar kundër provokimit luftënxitës të kriminelit Vuçiq, nga frika se do ti hidhërohet Vuçiqi.

Në fund, Qarri padyshim rikujtoi edhe dhimbjet dhe tmerret që shqiptarët i përjetuan gjatë luftës së fundit, shkaku i krimeve dhe masakrave që i bënë ushtarët deh civilët serbë.

“Madje për ne si përjetues të ngjarjeve tragjike të luftës dhe okupimit serb, janë shumë afër vitet kur Serbia, njëjtë si tani, edhe në ato kohë, aventurën e saj të çmendur për krijimin e Serbisë së madhe, e nisi me provokime dhe e përfundoi me luftëra të përgjakshme, duke sulmuar me ushtri republikat tjera ish jugosllave dhe zhvilluar brenda 7-8 vitesh, katër luftëra, që nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja e deri në Kosovë mbi të cilën ushtroi okupim klasik dhe u dashtë edhe ndërhyrja e NATO-së, për çlirimin e saj përfundimtar nga ky shtet okupator”, përfundoi analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat