Enigma e votave për Osmanin, “presidenti” mund ta çojë vendin në zgjedhje

Politika

Enigma e votave për Osmanin, “presidenti” mund ta çojë vendin në zgjedhje

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 21 mars 2021 Në ora: 07:56
Vjosa Osmani

Lëvizja Vetëvendosje doli fituese në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, ku fitoi mjaftueshëm ulëse në Kuvendin e Kosovës, për të zgjedhur kryeministrin i cili vjen nga kjo parti.

Por, këto vota nuk i mjaftojnë edhe për pozitën e presidentit.

Në këtë mënyrë, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë zhvilluar takime me partitë opozitare për çështjen e presidentit.

Por, si duhet Kurti edhe Osmani nuk e kanë shumë të lehtë, pasi e kanë të vështirë që t`i sigurojnë votat e mjaftueshëm apo të paktën ta sigurojnë kuorumin kur të votohet presidenti në Kuvend.

Partia Demokratike e Kosovës e ka bërë të qartë se nuk kanë vota për Osmanin, e cila është kandidate për presidente.

Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë deklaruar se nuk duan sërish një president partiak, pasi presidenti duhet të jetë neutral.

Sipas ekspertëve, Vetëvendosje e ka të vështirë që t`i sigurojë votat e mjaftueshme për presidentin. Ata shprehen se nëse nuk arrihet një gjë e tillë, vendi mund të  shkojë në zgjedhje.

Kelmendi: Nëse nuk zgjidhet presidenti, vendi mund të shkojë në zgjedhje

Profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se pa PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, nuk ka mundësi që Osmani të zgjidhet presidente.

Image
Muhamet Kelmendi

“Ende nuk është definitive se  LDK nuk do ta voton Vjosa Osmanin për Presidente. Është deklaruar kryetari i posa zgjedhur  i LDK-se se pas "zgjedhjes së qeverise dhe të udhëheqjes së Kuvendit, do të bisedon me z. Osmani për të parë qëndrimet e saja ndaj LDK-se, VV, partive opozitare etj., për të vendosur përfundimisht". Kjo d.m.th se veç pas këtij takimi mund të themi se edhe LDK nuk do të voton Vjosa Osmanin. Natyrisht se pa PDK, LDK dhe AAK nuk ka fare mundësi të zgjidhet Osmani Presidente”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, profesori ka shpjeguar se çfarë ndodhë nëse partitë opozitarë nuk qëndrojnë në seancën e Kuvendit.

“Tri partitë se bashku (PDK, LDK e AAK) janë mbi 42 deputetë. Se këndejmi del se po që se  këta ikin nga seanca, atëherë nuk ka kuorum për të zgjedhur Presidentin/ten e vendit. Juridikisht vendi shkon atëherë në zgjedhje të reja”, ka theksuar ai.

Më tej, Kelmendi ka shtuar se Osmani i ka vetëm votat e VV-së dhe minoriteteve, por ato nuk mjaftojnë.

“Osmani vetëm për vetëm i ka 58 vota të VV. Këtu mund të hyjnë edhe minoritetet që janë maksimalisht 20.Tërësisht bëjnë 78 vota. Përsëri edhe me votat e minoritetit serb nuk janë 80 vota për të u zgjedhur me shumicë votave z. Osmani Presidente. Pra, në asnjë mënyrë, pa votat e tri partive shqiptare, kryesisht të PDK-së dhe të LDK-së e AAK-së nuk ka mundësi të zgjidhet. Me votat e minoriteteve jo serbe tërësisht dhe me LDK mund të zgjidhet, nëse këto minoritete, tete sa janë e votojnë Osmani. Kjo dhe votat e LDK-se e vendosin atë në postin e tillë. Po kjo varet nga minoritetet jo serbe dhe nga votat e LDK-se. Se bashku bëjnë 80 vota. Në të kundërtën priten zgjedhjet e jashtëzakonshme”, ka deklaruar Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: E rëndësishme është opozita të qëndrojë në Kuvend

Kurse, njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Blerim Burjani, ka thënë se e rëndësishme për çështjen e presidentit është që opozita të qëndrojë në Kuvend herën e tretë kur të votohet.

Image
Blerim Burjani

“Kjo dihet, nuk do të munden t’i sigurojnë votat nga opozita, por me rendësi është që opozita të qëndrojë në sallë dhe herën e tretë të votimit, me 61 vota të zgjidhet presidentja e shtetit. Përndryshe, mund të shkojmë sërish në zgjedhje. Deri më tash nuk ka ndonjë gatishmëri të opozitës dhe as të pozitës aktuale që e ka fituar pushtetin. VV e ka të vështirë të bashkëpunojë me partitë opozitare, në Kosovë mbretëron një eufori që ka sjellë në pushtet njerëz që nuk kanë përvojë politike e as profesionale as kurrgjë. Kosova po mbetet shtet me një tranzicion të thellë 21vjet dhe edhe më tutje mbretëron vetëdije e ulët demokratike në Kosovë. Pra qytetarët duhet të reflektojnë shumë pozitivisht, mos të votojnë njerëz të papërvojë, të papunë që të sundojnë më pastaj me paratë e qytetarëve dhe të zgjidhin problemet të tyre familjare, shoqërore dhe partiake”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Krasniqi: LDK-ja do të qëndrojë në Kuvend për t'i bërë kuorumin për Osmanit

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Islam Krasniqi, ka thënë se është e pamundur që Osmani të bëhet presidente nëse nuk i ka votat e opozitës.

Image
Islam Krasniqi

“Nëse partitë opozitare nuk e përkrahin Osmanin për presidente, atëherë është e pamundshme që të sigurohen votat për të parën e shtetit. Deklaratat e partive opozitare se nuk duan president partiak është hajgare, pasi që këto parti janë ato që kanë shkelur marrëveshjen e nënshkruar me ish ambasadorin Amerikan, që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Po ashtu, në qeverinë Kurti 1, më shumë kanë zgjatur negociatat për postin e Presidentit, se që ka zgjatur qeverisja mes tyre”, ka vlerësuar ai.

Sipas Krasniqit, LDK-ja do të qëndrojë në Kuvend për t'i bërë kuorumin Osmanit.

“Unë besoj se LDK-ja do të qëndrojë në Kuvend për t'ia bërë kuorumin për president Osmanit, pasi që është edhe interes i LDK-së sepse me zgjedhjen e znj. Osmani në krye të shtetit votuesit do t'i kthehen LDK-së, pasi që znj. Osmani largohet nga politika, gjithashtu edhe minoritetet do ta përkrahin apo një pjesë do t'ia bëjnë kuorumin, pasi në të kundërtën, në rast së vendi shkon në zgjedhje, sërish mund të lëvizin matematikat që VV-ja të arrijë mbi 60% duke e zhdukur opozitën, siç ka ndodhur në vendet e rajonit”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat