Sfidat e rënda të Lumir Abdixhikut, shkuarja në zgjedhje do t’i kushtojë LDK-së

Politika

Sfidat e rënda të Lumir Abdixhikut, shkuarja në zgjedhje do t’i kushtojë LDK-së

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 21 mars 2021 Në ora: 16:49
Lidhja Demokratike e Kosovës

Lideri i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se javën e ardhshme do takohet me pretendenten për pozitën e presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, për të diskutuar pozicionin e saj karshi disa çështjeve.

Kreu i LDK-së i ka bërë këto komente pas takimit që ka pasur me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ky i fundit fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Abdixhiku ka përmendur se LDK-ja është e interesuar për qasjen e Osmanit ndaj partisë që drejton ai, ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, partive opozitare dhe nismës së saj të paralajmëruar politike.

Mirëpo, sa po arrin që me këto vendime Abdixhiku, ta rikthejë lavdinë e dikurshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se nuk është në interesin e partisë më të vjetër në vend (LDK) që të ketë konflikt me Vjosa Osmanin, pasi që, një gjë të tillë e kishte provuar edhe Isa Mustafa dikur, mirëpo përfundimi ishte jo i mirë për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ata janë të mendimit se Vjosa Osmani dhe Lista “Guxo” me rikthimin e tyre në LDK, dhe pa kushte do të ishte në të mirën e kandidaturës së Vjosa Osmanit për presidente, të LDK-së dhe të vet shtetit të Kosovës.

Analisti: Nëse LDK voton Osmani do të jetë pozitive, nëse nuk e voton vendi shkon në zgjedhje

Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës duhet të ndryshojë qasjen në këtë parti.

Ai është i mendimit se nuk është në interesin e LDK-së që të ketë konflikt me Vjosa Osmanin.

Image
Faton Mehmeti

“Natyrisht se për Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk është në interes të ketë konflikt me Vjosa Osmanin, një gjë të tillë e provoi Isa Mustafa dhe ja ku përfundoi. Kështu që, Lumir Abdixhiku duhet të ndryshojë qasjen ose do të përfundojë si Isa Mustafa”, ka thënë Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai ka theksuar se konstruktiviteti i partisë së Lumir Abdixhikut në rastin e presidentes Vjosa Osmani, është përcaktues për rrugën e saj.

“Besoj se konstruktiviteti i LDK-së në rastin e presidentes Vjosa Osmani, është përcaktues për rrugën e saj. Nëse LDK voton Osmanin do të jetë pozitive, nëse nuk e voton dhe vendi shkon në zgjedhje faji do t’i mbetet LDK-së; çmimin do ta paguajë në zgjedhje pastaj”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti.

Bajraj: Vjosa Osmani t’i kërkoj ndjesë, dhe t’ia kthej asetet e përvetësuara LDK-së!

Kurse, veprimtari i LDK-së në diasporë, Fatmir Bajraj, shprehet se është koha që Vjosa Osmani të rikthehet në partinë e saj të dikurshme.

Image
Fatmir Bajraj

“Pas rreth një viti qëndrimi “në orbitë”, Vjosa Osmani, duhet të shkëputet nga “stacioni orbital” (LVV) dhe të lëshohet në tokë (LDK). Përfundimisht Vjosa Osmani duhet ta kuptojë se egocentrizmi i saj në njërën anë dhe suporti i LDK-së, në anën tjetër, kanë pikëprerjen në ditën e votimit të saj për Presidente, ditë kjo që determinon fatin e saj politikë dhe parimësinë konceptuale të LDK-së, karshi institucioneve dhe shtetit të Kosovës si fryt i lëvizjes nacionale, në krye me Presidentin historik Rugova. “Misioni” për fragmentarizimin dhe dobësimin e LDK-së, i konstruktuar nga jashtë, duke përdorur si levë zonjën Osmani, ka arritur kulmin në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale të 14 shkurtit 2021, për çfarë; përfitimet maksimalizojnë kundërshtarin politik (VV) dhe tagrin e humbësit e pagoi LDK-ja”, ka thënë Bajraj.

Sipas tij, kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, Grupi Parlamentar i LDK-së dhe Kryesia e re, duhet të dalë me një qëndrim unik dhe unifikues, i cili imponon qasje dhe seriozitet në vendimmarrje dhe subordinim politik, i cili tejkalon inatet personale në njërën anë, por edhe simpatitë në anën tjetër në lidhje me mbështetjen ose jo të kandidaturës së Vjosa Osmanit për Presidente.

“Lidershipi i ri i LDK-së, me kryetarin Lumir Abdixhiku dhe strukturat e saja në ndërtim e sipër, ditët në vijim do të përballen me një sfidë serioze, e para e këtij lloji, para zgjedhjeve lokale të tetorit të këtij viti, por që testi i kësaj përballje sfiduese determinon në masë të konsiderueshme imperativin e LDK-së dhe të liderit të ri, Dr.Lumir Abdixhiku për rikthimin e madh dhe të fuqishëm në skenën politike të vendit. VV-ja ka kapitalizuar përdorimin e Vjosa Osmanit si kartë për t’i fituar zgjedhjet dhe mundur LDK-në me një rezultat katastrofal në historinë saj dhe tani ndarja e “tortës” shënon edhe fillimin e “shkurorëzimit” të partnerëve, të cilët kauzë kishin pushtetin duke mos zgjedhur mjete për të arritur qëllimin. Kryetari i ri i LDK-së, Dr. Lumir Abdixhiku, Grupi Parlamentar i LDK-së dhe Kryesia e re e LDK-së, duhet të dalin me një qëndrim unik dhe unifikues, i cili imponon qasje dhe seriozitet në vendimmarrje dhe subordinim politik, i cili tejkalon inatet personale në njërën anë, por edhe simpatitë në anën tjetër në lidhje me mbështetjen ose jo të kandidaturës së Vjosa Osmanit për Presidente, ngase këtu kemi të bëjmë përtej saj; për fatin e LDK-së dhe të projektit nacional të saj; Kosova shtet sovran dhe demokratik”, është shprehur më tej ai.

Ndërsa, ai është i mendimit se mbështetja për Vjosa Osmanin, duhet kushtëzuar me rikthimin e të larguarave nga LDK-ja dhe shkrirja e tyre graduale.

“Mbështetja për Vjosën duhet kushtëzuar me rikthimin e “aseteve” të përvetësuara nga kundërshtari politik (VV), pra e inkorporimit të Listës “Guxo” në Grupin Parlamentar të LDK-së dhe “shkrirja” graduale e kësaj Liste në LDK, deri në zgjedhjet lokale të tetorit të këtij viti, test ky i dytë i LDK-së, pas humbjes dhe debaklit të pësuar me 14 shkurt të këtij viti. Intenca e LDK-së; Ruajtja e individualitetit unik, mosnënshtrimi dhe rikthimi i madh në skenën politike, arrihet duke u ngritë mbi vetveten dhe interesat e ngushta, për t’ia dalë mbanë në çmontimin dhe destruktimin e kurthit të përgatitur nga qarqe histerike, anti-LDK dhe anti-Kosovë, mbi të gjitha. Vjosa Osmani dhe Lista “Guxo” duhet ta dinë se “shkëlqimi” i tyre ka prekur majat dhe tani e tutje fillon venitja deri në shuarje definitive, e cila është e pashmangshme, andaj rikthimi në LDK dhe pa kushte do të ishte në të mirën e kandidaturës së Vjosa Osmanit për presidente, të LDK-së dhe të vet shtetit të Kosovës”, ka vlerësuar Bajraj.

S’ka votë dhe as mbështetje blanko për Vjosa Osmanin

Ndërsa, ai ka theksuar se kjo parti më në fund duhet ta fitojë një betejë brenda sojit, për të përgatitur dhe aktivizuar gjithë potencialet autentike të brezave të saj, energjitë e reja dhe fuzionimin strukturor për ta fituar “luftën”, sipas tij, rikthimin e madh, sikur në motin e madh të Presidentit historik Rugova.

“Një mbështetje e pa kushte dhe e çakorduar e LDK-së për Vjosa Osmanin presidente, duke mos “disiplinuar” të rebeluarit e Listës “Guxo”, do të ndihmonte ambicien egocentrike të Vjosa Osmanit për presidente, por ma shumë do ta ndihmonte kundërshtarin e madh politik të LDK-së, LVV-në e Albin Kurtit, për të mbajtur sa më gjatë pushtetin politik në Kosovë dhe në anën tjetër, do të dobësonte edhe më shumë LDK-në, e dërmuar nga rezultati negativ i 14 shkurtit. Zaten, një fillim i mbarë ushqen shpresën dhe besimin në materializim dhe kapitalizim të synimit për rikthim të shpejt dhe të fuqishëm, interes madhor i LDK-së në shërbim të misionit të saj historik; rrumbullakimin e shtetësisë së Kosovës dhe demokratizimin e saj”, ka thënë veprimtari i LDK-së, Fatmir Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

Burjani: Në LDK nuk ka shumë përkrahje për Vjosa Osmanin

Ndërsa, juristi Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ajo çfarë është e vërtete është se në këtë kohë nuk ka shumë përkrahje për Vjosa Osmanin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Image
Blerim Burjani

“Kjo është çështje Lidhjes Demokratike të Kosovës, çështje e interesave të saj politike, realiteti politik është diçka tjetër, s’ka shume përkrahje për Vjosa Osmanin në LDK”, ka thënë juristi Burjani.

Sipas tij, nuk mund të mohohet e as pohohet se LDK-ja mund të votojë Vjosa Osmani për presidente të vendit.

“Mund të ketë edhe jo interesim për Vjosa Osmanin nga LDK, nuk mund të mohojmë e as pohojmë se LDK-ja mund të votojë Vjosa Osmani, ose që do t’ia bëjë kuorumin. Në fund të fundit edhe po që se rrinë opozita në sallë është pozitive që herën e tretë të zgjidhet Osmani si presidente e vendit”, është shprehur njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, të hënën pritet të formohet Qeveria e re, e më pas pritet dhe votimi i presidentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat