Heshtja e liderëve të Kosovës, përballë skandalit të Aleksandër Vuçiçit

Politika

Heshtja e liderëve të Kosovës, përballë skandalit të Aleksandër Vuçiçit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 21 mars 2021 Në ora: 19:20
Qeveria e Kosovës

Siç duket, Serbia nuk e ka ndërmend t'i ndalë provokimet e turpshme ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Ndonëse jemi mësuar me provokime të ndryshme të shtetit serb, reagimi i fundit i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i tejkaloi pritshmëritë.

Vuçiq në faqen e tij zyrtare të Instagramit, publikoi një fotografi në të cilën shihej harta e Kosovës e mbuluar me flamur të Serbisë.

Kjo gjë, padyshim që ngjalli debate dhe pakënaqësi të mëdha në Kosovë dhe jashtë saj. Pasi, ndaj këtij postimi të Vuçiqit kishte reagime të shumta, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga ndërkombëtarët.

Mirëpo, reagimet nga zyrtarët e lartë shtetëror ishin të vogla dhe me vonesa të mëdha.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ndaj postimit të Aleksandër Vuçiqit reagoi pas 20 orëve, natyrisht që një reagim i vonuar për një provokim të tillë.

“Deklarata e Presidentit të Serbisë, AleksandërVuçiq, tregon qasjen destruktive që ka pasur në vazhdimësi fqinji ynë verior në raport me Republikën e Kosovës, përkundër zotimeve të shumta që Serbia i ka bërë, nën garancat e faktorit ndërkombëtar, për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Megjithë provokimet që vijnë nga fqinji ynë verior, Republika e Kosovës, përmes angazhimit dhe vendosmërisë, sigurt po vazhdon rrugëtimin drejt anëtarësimit sa më të shpejtë në NATO, Bashkimin Evropian dhe në të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare”, shkroi Hoti në Facebook, përcjell “Bota sot”.

Kurse, kryetarët e tjerë të partive politike, Albin Kurti (LVV), Vjosa Osmani (Lista Vjosa), Enver Hoxhaj (PDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK), nuk e bënë asnjë reagim zyrtarë ndaj këtij postimi provokativ të Aleksandër Vuçiqit.

E nga ndërkombëtarët, pavarësisht se pritej reagim nga Palmer e Lajçak, si përfaqësues të SHBA-ve dhe BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Duke marrë parasysh, provokimet e vazhdueshme, ofendimet dhe mospërfilljet nga ana e shtetit të Serbisë, spektri politik është dashur të reagojë të paktën ndaj këtij cenimi të pavarësisë.

Njohësit e çështjeve politikë për gazetën “Bota sot”, deklaruan se mosreagimet nga ana e udhëheqësve dhe politikanëve të Kosovës janë të turpshme.

Ata bënë apel që spektri politik të qëndrojë i bashkuar, kur vie fjala për veprimet dhe provokimet e Serbisë.

Pasi sipas tyre, vetëm të bashkuar mund ta mposhtim dhe t’i bëjmë ballë shtetit serb.

Qarri: Harta e Aleksandër Vuçiq, është provokimi më i rëndë luftënxitës i kohëve të fundit

Image
Gani Qarri

Njohësi i çështjeve politike Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar postimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në të cilën shfaqet harta e Kosovës e mbuluar me flamurin e Serbisë.

Qarri e cilësoi këtë si një nga provokimet më të rënda të Serbisë, kohëve të fundit. Ai tha se kjo gjë e vë në rrezik sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës dhe shteteve të rajonit.

“Provokimi më i ri i kriminelit dhe ministrit të informatave të Millosheviqit në vitet e okupimit të Kosovës nga Serbia, Aleksandër Vuçiq, është provokimi më i rëndë luftënxitës i kohëve të fundit dhe një aventurë shumë e komplikuar, me premisa tejet të larta të rrezikimit të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe gjithë rajonin”, u shpreh ai.

Analisti rikujtoi edhe krimet e rënda që ushtria serbe kishte ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës, gjatë luftës së fundit.

“Vetëm nga Kosova, ushtria okupatore serbe, dëboi mbi një milion shqiptar, përdhunoi mbi 20 mijë femra të pambrojtura, vrau mijëra civil të pafajshëm përfshi edhe fëmijë të moshës tremujore, kreu mbi 420 masakra, vrasje e kidnapime dhe sot e atëherë megjithëse kanë kaluar mbi 21 vite, nga përfundimi i luftës, Aleksandër Vuçiqi ende mban peng trupat e mese 1743 shqiptarëve, duke mos pranuar ti kthej as pas vdekjes dhe mbi 21 viteve të kaluara, që të prehen të qetë në atdheun e tyre në Kosovë”, deklaroi Qarri.

Tutje, njohësi i çështjeve politike foli edhe për reagimet e udhëheqësve të shtetit karshi këtij provokimi të Aleksandër Vuçiq. Qarri tha se reagimet e shtetit tonë, ishin jo vetëm të vona, por edhe krejt të "vakta", të pa kuptimta dhe pa përmbajtje.

“Por përkundër të gjithave edhe pas provokimit të presidentit serb, i cili vendosi flamurin e Serbisë mbi hartën e Kosovës, reagimet e shtetit tonë, ishin jo vetëm të vona, por edhe krejt të "vakta", të pa kuptimta dhe gati pa përmbajtje reaguese, vetëm sa për të mos thënë, se nuk u reagua fare”, theksoi analisti.

Ai shtoi se përveç që reagimet ishin të vonshme, ato ishin edhe të pakoordinuar dhe pa asnjë organizim institucional.

Ai u befasua edhe me reagimin e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hotit, i cili reagoi 20 orë me vonesë.

“Liderët e Kosovës, jo vetëm se ishin të fundit, por ata edhe reaguan pa asnjë organizim institucional, në mënyrë spontane dhe aspak të koordinuar, përderisa shqiptarët anë e mbanë botës, u ngritën të gjithë si një-në këmbë, duke reaguar ashpër, shpejt e me vendosmëri kundër kriminelit Vuçiq dhe Serbisë okupatore. Për aq më keq, ai që do duhej të reagonte i pari, kryeministri ende në detyrë, Avdullah Hoti reagoi rreth 20 orë më vonë, ndërsa liderët e tjerë, shumica as që reaguan, e disa edhe më me vonesë se vet Hoti”, nënvizoi ai.

Përveç, mosreagimit të udhëheqësve të Kosovës, Qarri përmendi edhe ‘heshtjen’ e zyrtarëve të Shqipërisë lidhur me këtë provokim të hapur të Vuçiqit. Ai këtu e përjashtoi vetëm ministrin e Diasporës, Pandeli Majko, i cili iu kundërpërgjigj Vuçiqit.

“Kurse ajo që habitë me këtë rast, është fakti se, sikur mos të mjaftonte neglizhenca e udhëheqësve të Kosovës, aktualisht pa institucione valide shtetërore , partive të inkriminuara dhe vet qeverisë "inekzistente" të Kosovës, përkundër këtij provokimi të hapur të Vuçiqit, Tirana zyrtare, pothuajse nuk u lodhë fare të reagonte, qoftë edhe me krejt pak fjalë, duke bërë sikur, nga ky kërcënim i Serbisë, u ndje i prekur vetëm ministri i Diasporës, Pandeli Majko, i cili megjithatë, siç mësuam nga media, i drejtoi disa fjalë shqip, kryekriminelit aktual të Serbisë Aleksandër Vuçiqit, në shenjë "pakënaqësie"...”, potencoi ai.

Në fund, analisti Qarri këto ‘reagime’ i cilësoi si shkëpurdhje, të institucioneve të dy shteteve shqiptare, ndaj provokimit të rëndë të ish-ministrit të Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq.

“A mund të quhen vetëm këto shkëpurdhje, gati private, reagime institucionale të dy shteteve shqiptare, ndaj një provokimi kaq të rëndë zyrtar, të ish ministrit të Millosheviqit dhe presidentit aktual të shtetit shovinist të Serbisë Aleksandër Vuçiq?!...”, përfundoi Gani Qarri.

Mehmeti: Turp për politikanët e Kosovës që nuk reaguan!

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot” tha se mosreagimi i zyrtarëve shtetëror ndaj provokimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq tregon për mungesën e përgjegjësisë shtetërore.

“Reagimi i vonshëm nga dikush, nga disa hiç, tregon për mungesën e përgjegjësisë shtetërore. Për politikanët tanë më të rëndësishme janë pozitat e tyre, rehabilitimet e tyre personale se sa interesi i shtetit”, deklaroi Mehmeti.

Në vazhdim, ai tha se për këtë veprim të turpshëm të Aleksandër Vuçiq duhej të ishte thirrur mbledhje në Kosovë dhe në OKB. Mehmeti kërkoi që pavarësisht mospajtimeve dhe kundërshtimeve, subjektet politik të bëhen një përballë Serbisë.

“Për veprimin e Vuçiqit duhet të kishte reagim më të ashpër dhe të thirret mbledhje në KS në OBK. Kosova, pavarësisht punëve të brendshme, duhet të jetë Një përballë Serbisë. Vetëm kështu zbrapset Serbia nga veprime të tilla, të cilat tregojnë shumë mirë se kush janë në të vërtetë”, theksoi analisti.

Në fund, ai tha se mosreagimi i udhëheqësve të Kosovës është po aq i turpshëm sa edhe vet veprimi i Vuçiqit.

“Mendoj se mos reagimi është po aq i turpshëm sa edhe vet veprimi i Vuçiqit. Turp për politikanët e Kosovës që nuk reaguan”, përfundoi Faton Mehmeti për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat