Zhvillimet dramatike në LDK, analisti: Me largimin e Mustafës, Veliut dhe Selmanajt kjo parti është çliruar – ja çfarë thotë për Abdixhikun

Politika

Zhvillimet dramatike në LDK, analisti: Me largimin e Mustafës, Veliut dhe Selmanajt kjo parti është çliruar – ja çfarë thotë për Abdixhikun

Nga: A.Z Më: 21 mars 2021 Në ora: 23:03
Kryesia e re e LDK-së

Zëvendëskryeministri në Qeverinë Hoti, Driton Selmanaj, ka reaguar pasi nuk ka arritur të bëhet pjesë e kryesisë së re të LDK-së.

Selmanaj tha se ‘turri’ i Abdixhikut për ta takuar Osmanin, është përpjekje për ta rrëzuar edhe më shumë LDK-në.

“Turri dhe vrapi” për ta takuar Vjosen, nuk është asgjë tjetër pos turr për ta rrëzuar edhe më shumë LDK dhe dinjitetin e 110 mijë votuesve Qëndrestarë të saj”, ka thënë Selmanaj.

Kështu, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, largimin e Selmanajt nga LDK-ja e sheh të arsyeshëm sepse ai së bashku me Mustafën dhe Veliun kanë dëmtuar LDK-në.

Sipas Mehazit, deklarata e Selmanajt, është jo bindëse sepse të gjithë e dinë hovin e tij ndaj Kurtit dhe Osmanit.

“Veprimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut që paskësha eliminuar nga kryesia e LDK-së Driton Selmanaj, është i drejtë dhe i arsyeshëm. Për shkak se opinioni i gjerë e di se ai së bashku me Isa Mustafën dhe Agim Veliun ishin ata që më së shumti dëmtuan LDK-në. Reagimi i Selmanaj më shumë ka të bëjë me hidhërimin dhe pikëllimin e tij ndaj Abdixhikut, i cili nuk e ka vë në kryesinë e ngushtë të LDK-së. Deklarata e Selmanajt se "turri i Abdixhikut për ta takuar Osmanin, është përpjekje për të rrëzuar dhe më shumë LDK-në", është jo bindëse, pasi të gjithë qytetarët e Kosovës e dinë "turrin e hovin" e Selmanajt ndaj Albin Kurtit e Vjosa Osmanit”, tha ai.

Më tej theksoi se me largimin e tyre, LDK-ja është çliruar nga hovet politike dhe se tani me Abdixhikun në krye, është koha që LDK-ja të ngritet e të mos rrëzohet më.

“Për shkak turreve e hoveve të pamatura politike revoltuan qytetarët për të mos e votuar LDK-në, por Vjosa Osmanin. LDK-ja e Abdixhikut me largimin e Isa Mustafës, Agim Veliut dhe Driton Selmanajt është çliruar nga "burrozanet, turret, hovet e vrapet" e pamatura politike që çuan para shkatërrimit partinë. Me largimin e Selmanajt e klanit të tij, LDK-ja vetëm mund të ngritet lart e kurrsesi të rrëzohet më shumë. Kaloi koha e zurleve e tupanave politikë të Driton Selmanajve, Agim Veliave e Isa Mustafave, tani është koha e Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së e jo e lodraxhiut politik Selmanajt”, përfundoi Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat