Qeveria e re duhet t’i vë kusht Serbisë për dialog, pas aktit luftënxitës të Vuçiçit

Politika

Qeveria e re duhet t’i vë kusht Serbisë për dialog, pas aktit luftënxitës të Vuçiçit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 mars 2021 Në ora: 09:14
Albin Kurti

Mes Kosovës dhe Serbisë bisedimet vazhdojnë te jenë të pezulluara, por nga BE po vazhdon presioni për formimin e institucioneve dhe vazhdimin e dialogut.

Një nga marrëveshjet që është nënshkruar me 4 shtator të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë, ishte që Kosova të mos kërkojë njohje në Organizata Ndërkombëtare dhe Serbia të ndal fushatën denigruese ndaj Kosovës.

Por, kjo e fundit nuk po e mban premtimin. Së fundmi, presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka provokuar shqiptarët me publikimin e hartës së Kosovës, të mbuluar me flamurin serb.

Mirëpo kjo nuk është e vetmja, pasi nuk ka shumë kohë që ndërmjetësuesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak kishte publikuar një fotografi ku pas tij shihej harta e Serbisë në të cilën bënte pjesë Kosova, si pjesë e saj.

E tani skandalet po vazhdojnë me atë të presidentit serb. Duke qenë kështu, si mund të kërkohet që dialogut t’i jepet prioritet kryesor nga Qeveria e re? Si mund të vazhdohet të dialogohet me Serbinë, derisa ajo shihet qartë se e sheh Kosovën pjesë të saj dhe nuk do ta njoh si shtet të pavarur?

Qarri: Akti i Vuçiç shumë i rrezikshëm, me premisa tejet të larta të kërcënimit të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë

Image
Gani Qarri

Lidhur me këtë, analisti politik Gani Qarri, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se veprimi i fundit i Vuçiqit është provokimi më i rëndë luftënxitës i kohëve të fundit, që vije drejtpërsëdrejti nga vet presidenti agresiv i një shteti hegjemonist e okupator si Serbia.

“Pas skandalit të ndërmjetësuesit të BE-së për dialogun Kosovë -Serbi, Mirosllav Lajçak me hartën e vendit tonë, duke pasur parasysh edhe deklaratat e përditshme perfide të udhëheqësve serb kundër Kosovës dhe shqiptarëve, e veçanërisht aktin e provokimit më të ri të kriminelit dhe ish-ministrit të informatave të Millosheviqit, Aleksandër Vuçiç, me mbulimin e hartës së Republikës së Kosovës me flamurin e Serbisë, ky është provokimi më i rëndë luftënxitës i kohëve të fundit, që vije drejtpërsëdrejti nga vet presidenti agresiv i një shteti hegjemonist e okupator si Serbia. Akti i Vuçiçit është një aventurë shumë e rrezikshme, me premisa tejet të larta të kërcënimit të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë e gjithë rajonin dhe skandale të tilla nuk duhet të lejohet të përsëriten më nga askush, qoftë ai edhe vet krimineli dhe ish ministri i informatave të Sllobodan Millosheviqit, Aleksandër Vuçiç”, ka thënë Qarri.

Sipas tij, akteve të rënda e bizare kundër shtetit fatkeqësisht i kanë paraprirë vet kuislingu Hashim Thaçi dhe sharlatani politik Edi Rama, duke shtuar se Thaçi ishte ai që zhvlerësoi shtetësinë e Kosovës, duke i vënë asaj fusnotë dhe zhvilluar për dhjetë vite me radhë bisedime në pozicione të pabarabarta me këtë shtet okupator.

Po ashtu, Qarri thotë se edhe skandali nga Lajçak, u mbulua nga vet ai duke thënë këtë hartë e mori dhuratë nga Hashim Thaçi.

“Për aq më keq, fatkeqësisht këtyre akteve të rënda e bizare kundër shtetit dhe popullit të Kosovës, u kanë parapri vet kuislingu Hashim Thaçi dhe sharlatani politik Edvin Kristaq Rama, përderisa kuislingu Thaçi, vetëm pak kohë pas legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, zhvlerësoi shtetësinë e Kosovës duke i vënë asaj fusnotë, dhe zhvilluar për dhjetë vite me radhë bisedime në pozicione të pabarabarta me këtë shtet okupator, vetëm për çështje të brendshme të Kosovës, mjerisht me lëshimet që Hashim Thaçi, i bëri Serbisë, Vuçiçi vazhdon ende ta konsiderojë, Republikën tonë të pavarur e sovrane, “krahinë” të Serbisë. Madje edhe hartën që sot e përdor përfaqësuesi i BE-së, në bisedimet Kosovë –Serbi, Mirosllav Lajçak,siç deklaroi ai vet me rastin e qëndrimit në Kosovë, po këtë hartë e mori dhuratë nga Hashim Thaçi. E, siç dihet tanimë publikisht, nga gjithë opinioni vendor e ndërkombëtar, përveç shpërndarjes së hartave të tilla poshtëruese për shtetin tonë, kuislingu HashimThaçi kërkoi publikisht edhe ndihmën e ndërkombëtarëve në samitin e shteteve të Ballkanit me 25 gusht të vitit 2018, në Alpbach të Austrisë, për ndarjen e Kosovës.

Në anën tjetër, me shpresën se do të shpëtonte veten nga Specialja, me urdhër të Thaçit, spiuni i Stanishiqit Baton Haxhiu, ka dy-tre vite që është ngritur peshë, duke kërkuar edhe faljen e gjenocidit dhe krimeve të kryera nga Serbia e Millosheviqit dhe ministrit të tij të informatave, Aleksandër Vuçiçit, ndaj dhjetëra mijëra civilëve të pambrojtur shqiptarë në Kosovë, 1743 prej të cilëve Vuçiçi edhe të vdekur i mban peng në Serbi dhe nuk pranon që as mbetjet mortore të tyre, t`ua kthej familjeve të veta në Kosovë”, ka deklaruar Qarri.

Ai shprehet se loja poshtëruese me harta fiktive kundër pavarësisë dhe shtetësisë së Republikës së Kosovës, ka kohë që ka filluar nga vet shqipfolësit e shitur e të shantazhuar.

“Ndërsa sikur mos të mjaftonin as të gjitha këto, ka më se një vit apo edhe më tepër, që edhe Edvin Kristaq Rama, nisi të publikonte në rrjetet sociale, harta fantome të "Minishengenit”, ku Kosova paraqitej si territor i Serbisë dhe për aq më keq, edhe pas mbulimit të hartës së Kosovës me flamur të Serbisë nga Vuçiçi, Rama bashkë me suitën e vet, as që ka reaguar institucionalisht, nga frika se do t’i hidhërohet miku i tij, Vuçiçi. Kështu që loja poshtëruese me harta fiktive, kundër pavarësisë dhe shtetësisë së Republikës së Kosovës, ka kohë që ka filluar nga vet shqipfolësit e shitur e të shantazhuar, ndaj duke pasur parasysh se kjo ka filluar të kthehet jo vetëm në shqetësim por edhe rrezik serioz për Kosovën, Qeveria e re, fillimisht duhet të kërkojë shpjegime nga BE, se çfarë paralajmërimesh kobë zeza përcillen nga paraqitjet e tilla serbomëdha të kriminelit dhe bashkëpërgjegjësit të krimeve dhe gjenocidit të organizuar shtetëror të Serbisë, ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë, Aleksandër Vuçiçit”, ka vlerësuar ai.

Në fund, ky akt nuk luhet rastësisht as pa qëllime të caktuara, tash kur do të formohet qeveria e re, por ngrit tensionet edhe ashtu të tendosura ndërmjet dy vendeve.

Ai thotë se qeveria e re duhet t’i vë kusht Serbisë për një shpjegim zyrtar për këtë akt terrorizues.

“Ky akt i paprecedan, jo vetëm që nuk luhet rastësisht as pa qëllime të caktuara, vetëm pak ditë para se të formohet Qeveria e re e Kosovës, por ngrit tensionet edhe ashtu të tendosura ndërmjet dy vendeve, ndaj Republika e Kosovës, duhet të vë kusht, që Serbia të jap shpjegim zyrtar, për këtë akt terrorizues shtetëror ndaj Kosovës dhe vet Vuçiçi të bëjë zotimin me shkrim, para BE-së dhe faktorit ndërkombëtar, që akte të tilla, nuk do të përsëriten më asnjëherë dhe nga askush, tani as në të ardhmen. Vetëm pas ofrimit të një dokumenti të tillë garantues, me nënshkrimin personal të Aleksandër Vuçiçit, të sigluar edhe nga ana e BE-së, Kosova mund të pranojë rifillimin e bisedime, por në mënyrë që pas dhjet vite zhagitjesh, ato të zhvillohen vetëm për njohjen reciproke dhe lojëra të tilla të pista e shantazhuese nga Serbia dhe udhëheqësit e saj kriminel, njëherë e përgjithmonë të marrin fund, po qese edhe pas këtij akti hegjemonist serbomadh, Kosovës i kërkohet rifillimi i bisedimeve me këtë shtet ish pushtues dhe agresor. Përndryshe pas legjitimimit të pavarësisë së shtetit të Kosovës, me 22 korrik të vitit 2010, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që është edhe organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me të cilin shtetësia e Republikës së Kosovës u vulosë përgjithmonë dhe pavarësia e sovraniteti i saj, u bënë të patjetërsueshme, nuk kishte dhe as që ka më asnjë arsye, a nevojë, të bisedohet edhe më tej, me një shtet shovinist e agresor si Serbia, e cila edhe 21 vite pas çlirimit të Kosovës, vazhdon skandalet me harta, duke mos lënë vend të nis as vazhdojë, më tej çfarëdo dialogu me këtë shtet ish okupator”, ka përfunduar Gani Qarri për “Bota sot”.

Duhanaj: BE të reagojë në një provokim kaq të madh të presidentit serb Vuçiç

Image
Leon Duhanaj

Kurse, analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë për “Bota sot” se dialogu është e vetmja mënyrë për të dalë nga status quo, e cila na është bërë pengesë në të gjitha proceset e shtet ndërtimit dhe integrimit.

“Për Kosovën çështja e dialogut është temë kruciale, pasi që përmbyllja me sukses e këtij dialogu, është e vetmja mënyrë për të dalë nga status quo, e cila na është bërë pengesë në të gjitha proceset e shtet ndërtimit dhe integrimit. Ajo çfarë bie në sy dhe atë negativisht, është në njërën anë Serbia, e cila e saboton këtë proces me të gjitha mjetet e mundshme. Kjo sepse Serbisë i konvenon stërzgjatja e dialogut në njërën anë përderisa saboton Kosovën nga brenda, qoftë përmes listës serbe, qoftë përmes agjenturave të veta në Kosovë”, ka thënë Duhanaj.

Duke u shprehur më tej se, kemi edhe dukurinë negative nga përfaqësuesit e BE-së, të cilët lënë hapësirë për manipulime siç është edhe Lajçak i cili përpos deklaratave dhe paraqitjeve që bien ndesh me interesin e Kosovë, nuk reagon fare në një provokim kaq të madh të presidentit serb Vuçiç.

“Dhe, në anën tjetër kemi dukurinë negative të përfaqësuesve të BE-së, të cilët duke qenë se nuk kanë pozicione të çarta karshi njohjes së Kosovës, lënë hapësirë manipuluese për individ siç është edhe Lajçak i cili përpos deklaratave dhe paraqitjeve që bien ndesh me interesin e Kosovë, nuk reagon fare në një provokim kaq të madh të presidentit serb Vuçiç, gjë në një rast të kundërt, nëse diçka e tillë do vinte nga pala kosovare, do të mbanin konferenca të njëpasnjëshme për ta dënuar provokimin. Duhet pasur parasysh se BE, nuk është unike në ketë çështje dhe si e tillë nuk ka as shumë pritshmëri prej saj. Në ketë kontekst, konsideroj se Kosova përveç që duhet t'i kultivojë dhe ruaj marrëdhëniet me shtetet e rëndësishme të BE-së, është SHBA e cila duhet të jetë akter vendimtar në çështjet që kanë të bëjnë me fatin e Kosovës”, ka deklaruar Leon Duhanaj për “Bota sot”.

Ahmeti: Kjo gjuhë e përdorur nga Vuqiq dëmton rënd procesin dialogues, BE të jetë konstruktive karshi dy palëve të barabarta në dialog

Image
Hidajet Ahmeti

Edhe njohësi i çështjeve politike Hidajet Ahmeti, ka thënë se BE po përdor standarde të dyfishta në procesin e dialogut, sepse asnjëherë substancialisht nuk ka kritikuar deklaratat provokuese të institucioneve të shtetit serb.

“Mendoj se BE po përdor standarde të dyfishta në procesin e dialogut, pasi asnjëherë substancialisht nuk ka kritikuar deklaratat provokuese të institucioneve të shtetit serb. Kjo gjuhë e përdorur nga presidenti Vuçiç dëmton rëndë procesin dialogues në të ardhmen dhe njëherë e përgjithmonë BE duhet të jetë konstruktive karshi dy palëve të barabarta në dialog”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, BE duhet të dënojë një retorikë të tillë politike.

“Është imperativë i kohës që BE të dënoj një retorike të tillë politike, e cila përveç provokimit të shtetësisë së Kosovës është edhe dëmtim të imazhit të substancës së shtetësisë së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht nga mbi njëqind shtetesh”, ka deklaruar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat