Bytyçi tregon arsyet që fshihen pas skandalit të Vuçiçit me hartën e Kosovës

Politika

Bytyçi tregon arsyet që fshihen pas skandalit të Vuçiçit me hartën e Kosovës

Nga: A.Z Më: 22 mars 2021 Në ora: 15:39
Aleksander Vuçiç

Aleksander Vuçiç, në llogarinë e tij zyrtare në “Instagram”, ka publikuar një fotografi të hartës së Republikës së Kosovës të mbuluar me flamurin e Serbisë.

Një veprim i tillë i kreut të shtetit serb ka nxitur reagime të shumta. Lidhur me këtë, profesori universitar Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Vuçiç me këtë veprim njofton Kosovën se nuk është më Kosovë, por është Kosovo-Metohi. Sipas tij, Serbia kërkon ta rikthejë Kosovën në vend të sunduar prej saj me metoda fashiste. E gjitha kjo do të thotë se Presidenti i Serbisë nuk e dëshiron lirinë e Kosovës.

"Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, publikoi para pak ditësh në faqen e tij zyrtare një hartë të Republikës së Kosovës të mbuluar me flamurin e Serbisë. U përpoqa ta analizoj atë hartë dhe të lexoj mesazhet e tij. Ai publikisht provokon dhe njofton se Kosova nuk është më Kosovë, siç ishte me Kushtetutën e vitit 1974, por është Kosovo-Metohi, siç e kishte formuluar Kushtetuta e Serbisë dhe Jugosllavisë e vitit 1946 dhe ajo e vitit 1953. Pra, si një rajon jo autonom, ngjashëm si edhe në periudhën e mbretërisë Jugosllave. Kjo do të thotë se Serbia kërkon ta rikthejë Kosovën në një vend të okupuar dhe të sunduar prej saj me metodat fashiste të Pashiqit, Çubrillobviçit, Rankoviçit dhe Milosheviçit. Vuçiç nuk mund të krahasohet as me ish-liderin komunist të kohës së Titos, Stamboliç, i cili ishte më lojal ndaj lirive qytetare dhe kombëtare të shqiptarëve në Kosovë. Presidenti i Serbisë nuk e duron lirinë e Kosovës, aq më pak pavarësinë e saj. Nuk e pranon atë”, ka deklaruar Bytyçi.

Më tej, ai ka theksuar se partnerët evropianë nuk e pranojnë se Vuçiç është kriminel, që bënte thirrje për vrasjen e myslimanëve.

Ai thotë se Vuçiq ishte mik dhe bashkëpunëtor i Sheshelit dhe Millosheviçit, por pas gjithë këtyre Vuçiç u pranua nga Evropa, madje dhe mik me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

“Megjithatë shumë partnerë evropianë nuk duan që ta shohin këtë realitet. Nuk duan që ta pranojnë faktin se Aleksandër Vuçiç është një kriminel serb, një bandit që bënte thirrje për vrasjen e njëqind myslimanëve në këmbim të një serbi. Nuk po e pranojnë në Bruksel dhe disa kryeqytete tjera, përfshirë dhe Parisin, se presidenti i Serbisë ishte kriminel dhe se po të jesh njëherë kriminel, do të jesh gjithmonë kriminel. Ai frymëzoi masakrën më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore, atë të Srebrenicës. Ai frymëzoi terrorin e masakrat, duke pozuar me kallashnikov në mediet serbe e më gjerë. Ai ishte mik i ngushtë dhe bashkëpunëtor besnik i kriminelit të shpallur, Vojisllav Sheshel, Sllobodan Milosheviç. Mlladiç e Karaxhiç. Ishte ministër informacioni i Milosheviçit në ditët, javët dhe muajt e terrorit serb në Kosovë. Megithatë Vuçiç u pranua si "paqebërës" në Evropë dhe si mik i madh i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Madje ishte Rama dhe Thaçi që e rehabilituan plotësisht atë. Tani gjen hapësirë të luajë, të provokojë, të nxisë konflikte tjera etnike në Ballkan dhe të manipulojë me nacionalizmin ekstrem serb, njësoj si në të kaluarën”, ka shtuar tutje ai.

Profesori ka shtuar se me këtë veprim të Vuçiçit, politikanët në Prishtinë duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien në provokimet e Beogradit, madje edhe qeveria e re duhet të dijë për aferat korruptive, prandaj edhe harta është përdorur si mjet për të larguar vëmendjen e opinionit serb për këto afera.

“Zoti Rama nga Kukësi tha se "ai shoku në Beograd…", duke mos heq dorë nga miqësia me Vuçiç edhe pas publikimit të hartës në fjalë. Po pse e bën këtë Aleksandër Vuçiç? Së pari, sepse dëshiron të provokojë konflikt midis Kosovës dhe Serbisë. Përmes konfliktit ai mendon se mund ta ndajë Kosovën. Prandaj politikanët në Prishtinë duhet të jenë shumë të vëmendshëm, të kujdesshëm, të mos bien në provokimet e Beogradit dhe të mos e bëjnë lojën e Serbisë, siç e bënte Thaçi dhe siç e bën sot Rama. Duhet hequr dorë nga retorika dhe t'i kthehemi punës, punës për punësim, për zhvillim, për integrime të brendshme e ndërkombëtare. Së dyti, qeverisja e re në Prishtinë duhet të dijë se Beogradi është përfshirë në afera të shumta korruptive. Ministri i Brendshëm, ai i Mbrojtjes, vetë vëllai e djali i Vuçiç, por edhe Ivica Daçiç po përfliten për afera të shumta e të rrezikshme. Harta ishte edhe mjet për të larguar vëmendjen e opinionit serb për këto afera. Por Institucionet e Kosovës kanë rastin që të ndërtojnë shtetin e së drejtës, pa korrupsion dhe bashkëpunim me krimin e organizuar”, ka theksuar Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, ai ka deklaruar se qeveria e re ka rastin të zbulojë lidhjet e qeverisë së Beogradit me ish-eksponentin e qeverisjes në Prishtinë dhe kështu Kurti dhe Osmani do të fitojnë ballafaqimin me Serbinë, dhe më pastaj Kosova do të bëhet shtet i së drejtës që bota do e kuptojë se problem është Serbia.

Kështu që sipas Bytyçit, harta e Vuçiçit e shfaqi vetëm karakterin dhe qëllimet e qeverisë serbe në raport me Kosovën.

“Kanë rastin të zbulojnë lidhjet korruptive të eksponentëve të qeverisë së Beogradit me ish-eksponentë të qeverisjes në Prishtinë. Dhe në këtë mënyrë të bëhet diferenca midis angazhimit serioz të Republikës së Kosovës me situatën kriminale e korruptive në Serbi. Kjo diferencë do të rrit imazhin e Kosovës dhe do ta dobësojë imazhin e Serbisë. Nëse arrin këtë objektiv, qeveria e zotit Kurti dhe presidentja në ardhje Vjosa Osmani do ta fitojnë lehtësisht sfidën në ballafaqimin me Serbinë, sepse askush nuk do të donte të mbështeste një shtet bananesh. Kjo do të bëjë që të ndërrohen pozicionet: Deri tani ishte Serbia ajo që e quante Kosovën shtet të korruptuar e kriminal. Prej tash duhet që Kosova të bëhet shtet serioz i së drejtës dhe demokratik, që bota të kuptojë më në fund se problemi është Serbia dhe Aleksandër Vuçiç. Ajo hartë vetëm se shfaqi karakterin, pamjen dhe qëllimet e qeverisë serbe në raport me Kosovën. Është për të ardhur keq që Brukseli dhe partnerët e tjerë nuk reaguan ashpër. Megjithatë, ajo hartë duhet të përdoret si dëshmi i asaj çfarë është presidenti serb në bisedimet me të”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat