“E vërteta që dhembi”, Osmani me deklaratën për BBC “ngriti pluhurin” për PAN-in

Politika

“E vërteta që dhembi”, Osmani me deklaratën për BBC “ngriti pluhurin” për PAN-in

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 mars 2021 Në ora: 18:53
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Kosova mbetet njëri ndër shtetet që po vazhdon të ketë vëmendjen e shteteve ndërkombëtare, për faktin që ende nuk ka arritur të ketë një marrëveshje me Serbinë, gjithashtu edhe kërkimi i vazhdueshëm i liberalizimit të vizave.

Përveç kësaj, vendi para më shumë se një muaji përfundoi edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme mirëpo që krijimi i një qeverie dhe emërimi i presidentit ende nuk është bërë.

Posti i presidentit po vazhdon të jetë sfidë në veti, duke mos arritur të ketë një emër që do mbështesin të gjitha partitë politike.

Është Vjosa Osmani ajo e cila aktualisht po përfaqëson vendin që nga dorëheqja e ish-presidentit, Hashim Thaçi, shkruan “Bota sot”.

Duke qenë ushtruese detyre e këtij posti, Osmani po vazhdon të përfaqësojë në mënyrën e saj më të duhur vendin, mirëpo së fundmi ajo u gjend përballë një morie kritikash, për një intervistë që ajo dha për mediumin ndërkombëtar, BBC.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë për emisionin “HARDtalk” të BBC, ka folur për disa çështje, si papunësinë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, çështjen e mosliberalizimit të vizave, çështjen e personave të pagjetur, etj.

Por ajo se çfarë mori vëmendjen nga të gjithë kjo intervistë, ishte deklarata që Osmani tha që vendi ka dy problem kryesore siç është krimi, korrupsioni dhe papunësia.

“Kosova ndër problemet kryesore që ka është krimi, korrupsioni dhe papunësia”, u shpreh Osmani për BBC.

Kjo deklaratë arriti të sjellë reagime të mëdha duke e parë të paarsyeshme këto fjalë.

Shumë nga reagimet qenë se kjo deklaratë u pa ndërkombëtarisht dhe se të thuash që vendi është i zhytur në korrupsion dhe krim, nuk ishte e duhura.

Të gjendur mes gjithë këtyre reagimeve, nga kabineti i Osmanit, këshilltari Bekim Kupina tha se qasja e Vjosa Osmanit në intervistën në BBC është reale.

Ai përmendi dy raporte ndërkombëtare, ku sipas tij, konstatohet se Kosova është e zhytur në korrupsion.

“Pse se qenka tronditës ky fakt i mirënjohur, kur ai thuhet nga presidentja e vendit?”, ka thënë ai.

“Dielli nuk mbulohet me shoshë. E vërteta gjithnjë dhemb. Sidomos atëherë kur shkaktarët e pasojave kanë emër. Reagimet kundrejt intervistës së u.d. Presidentes Osmani në BBC, shpërfaqin panikun dhe ndërgjegjen e vrarë të atyre që imazhin e Kosovës e plandosën përtokë duke e bërë shtetin referencë në maje të rangimeve botërore për krim e korrupsion”, ka shkruar ndër të tjera Kupina.

Në lidhje me këtë deklaratë, Osmani personalisht nuk ka deklaruar asgjë.

Mehazi: Ata të cilët nuk pajtohen me deklaratën e Osmanit janë përkrahësit e krimeve e korrupsioneve

Lidhur me këtë, profesori dhe njohësi i çështjeve politike Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se deklarata e Osmanit nuk ishte asnjë gënjeshtër, por thjeshtë një e vërtetë e cila dihet ndëkombëtarisht.

Sipas Mehazit, ata të cilët nuk pajtohen me këtë deklaratë janë po ata që përkrahin krimin dhe korrupsionin në vend dhe se janë po këto dy kritere të cilat po penalizojnë qytetarët për liberalizim të vizave.

Image
Sulejman Mehazi

“Nuk e kuptojmë se pse mediat e vendit kanë ngritur aq pluhur për deklaratën e U.d. së presidentit, Vjosa Osmanin, e cila për BBC-në britanike tha se "krimi e korrupsioni janë probleme më të mëdha të Kosovës" ç'të keqe ka thënë Osmani, po a s'është e ditur dhe e vërtetë se krimi e korrupsioni njëzet vjet radhazi aq e kanë ngulfatur Kosovën sa që nuk ka lëvizur një hap ekonomikisht, politikisht e ndërkombëtarisht. Ata të cilët nuk pajtohen me deklaratën e Vjosa Osmani janë përkrahësit e krimeve e korrupsioneve e fare nuk ia duan të mirën Republikës se Kosovës. Si është e mundur të mos përkrahet deklarata e Osmanit kur shtetet demokratike se durojnë krimin e korrupsionin e udhëheqësve shtetëror, kur krimi e korrupsioni është e keqja më e madhe që zhvat, sos e ha demokracinë, humb e pakëson besimin jo vetëm te qytetaret ndaj institucioneve të Kosovës, po edhe ndaj BE-së të cilët nuk ju japin qytetarëve dhe liberalizim të vizave”, është shprehur Mehazi.

Profesori ndër të tjera thotë se kjo deklaratë ishte ftesë për mirë ardhje politike, sociale e ekonomike për investime të huaja në Kosovë dhe kërkimin sa më shpejtë të liberalizimit të vizave, e anëtarësimin e Kosovës në instancat politike botërore.

“Deklarata e Vjosa Osmanit kundër krimit e korrupsionit, është ftesë e mirë ardhje politike, sociale e ekonomike për investime të huaja në Kosovë. E ka kuptimin e mirëqenies ekonomike për qytetarët e Kosovës, sigurisë, stabilitetit e besueshmërisë së qytetareve ndaj institucioneve shtetërore, e ka kuptimin e liberalizimit të vizave, të anëtarësimit të Kosovës në të gjitha instancat politike, ekonomike e diplomatike botërore. E ka kuptimin e standardeve të larta jetësore të qytetarëve e jo vetëm të fuksionarëve të korruptuar e të kriminalizuar të Kosovës”, ka vlerësuar Mehazi për “Bota sot”.

Jashari: Kosova ka problem me korrupsionin por nuk është problemi kryesor

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Shemsi Jashari, për gazetën “Bota sot”, u shpreh se deklarata e Osmanit ku cek problemin kryesor e që është korrupsioni, nuk ishte e nevojshme ta deklaronte fare.

Sipas Jasharit, Osmani duhet të di që ka përgjegjësi direkte për udhëheqjen e shtetit.

Image
Shemsi Jashari

“Intervista e znj.Osmani për një medium të huaj ku ajo vë theksin tek korrupsioni si problem kryesor i vendit, në formën si e ka thënë mendoj se është gabim dhe e panevojshme. Znj Osmani si duket ende është nën efektin e fushatës zgjedhore dhe po harron se tashmë zgjedhjet janë kryer dhe ka përgjegjësi direkte për udhëheqjen e shtetit”, është shprehur ai.

Sipas tij, në Kosovë korrupsioni është problem mirëpo vëmendja duhet të jetë përtej kufijve, pasi që kjo deklaratë mund të bllokojë proceset integruese.

Sipas Jasharit, qeveria e re duhet të luftojë korrupsionin më shumë se sa ta diskutojë.

“Kosova ka problem me korrupsionin por nuk është problemi kryesor dhe zhvendosja e vëmendjes nga problemet reale që kalojnë kufijtë e shtetit është gabim. Nuk do të duhej që të jepet alibi për bllokimin e proceseve integruese duke u thirrur në deklaratat e vet liderëve tanë që do të jenë përball tyre duke përfaqësuar Kosovën si palë. Qeveria e re duhet të ketë prioritet luftimin e korrupsionit më shumë sesa diskutimi për korrupsionin”, ka deklaruar Shemsi Jashari për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat