Ndryshimi i madh dhe tri sfidat kryesore të Albin Kurtit/ Ky është paralajmërimi për Qeverinë e re

Politika

Ndryshimi i madh dhe tri sfidat kryesore të Albin Kurtit/ Ky është paralajmërimi për Qeverinë e re

Nga: P.R Më: 23 mars 2021 Në ora: 20:42
Albin Kurti, 21 Mars 2021

Gjatë ditës së djeshme, lideri i Lëvizjes së Vetëvendosje, Alibin Kurti u zgjodh kryeministër i ri i Kosovës. Ishin 67 deputetë që votuan pro qeverisë Kurti 2, 30 deputetë kundër dhe pa asnjë abstenim.

Qeveria e re e cila do të udhëhiqet nga Albin Kurti do t’i ketë 15 ministri, tre zëvendëskryeministra, ku pesë prej tyre janë gra.

Por çfarë pritet nga qeveria e re e Kosovës dhe cilat janë sfidat e saj? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Votimin e djeshëm të qeverisë Kurti, profesor Bytyçi e quan ndryshim i madh për Kosovën.

“Dje ndodhi hapi i parë i ndryshimit të madh në Kosovë. U krijua qeveria e dytë e zotit Kurti. Albini u dëshmua korrekt, jo euforik, jo i pamatur. Përkundrazi në këtë drejtim ai dëshmoi pjekuri më të lartë se secili nga të zgjedhurit e mëparshëm, përfshirë dhe të urtin, zotin Hoti. Qeveria e tij është një qeveri elitë, me njerëz të aftë, të përkushtuar, të shkolluar, të socializuar e civilizuar, gjë që nuk ka ndodhur në këtë masë me qeveritë e mëparshme”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ai veçon dy ministrat e zgjedhur nga Kurti, që sipas tij pritet të jenë ndër më të suksesshmit.

“Shumë prej ministrave, duke filluar me atë të Shëndetësisë, Kulturës, Bujqësisë, Ministrisë së Mbrojtjes apo atë të Jashtme, janë ndoshta më të spikaturit e politikës së Kosovës. Kryediplomatja, Donika Gërvalla, është një muzikante e mrekullueshme, e cila luan me virtuozitet Strausin e të tjerë kompozitorë të famshëm të Evropës. Është një politikane dhe aktiviste që ka folur në mediat më prestigjioze të Gjermanisë për të drejtën e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Është personaliteti më i spikatur i diasporës shqiptare, që ka mundur të denoncojë aktet e dhunës së Milosheviçit në Kosovë. Përveçse është vajza e njeriut simbol të Kosovës, Jusuf Gërvallës!”, thekson Bytyçi.

Profesor Bytyçi thotë se me ndryshimin e Kosovës, ka ndryshuar edhe Albin Kurti.

“Vetë zoti Kurti ka fituar si askush tjetër aftësinë e jashtëzakonshme për të ndryshuar veten dhe ai që ndryshon veten bëhet faktor dhe aktor i rëndësishëm edhe i ndryshimit të të tjerëve. Për mua nuk ka aspak rëndësi se kush ishe, por kush je. Për mua nuk ekziston as e kaluara, as e ardhmja, por e sotmja. Albin Kurti është e sotmja, është tashmë lider i padiskutueshëm dhe besimi i qytetarëve të Kosovës është se ai do të qëndrojë si i tillë. Me qëllim që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme, duhet që Vjosa Osmani të zgjidhet presidente e vendit dhe kësisoj institucionet e Kosovës komplementohen për herë të parë pas luftës si institucione që mendojnë dhe aspirojnë të njëjtën gjë për vendin dhe flasin me të njëjtën gjuhë për interesat e tij”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, Kosova me Albin Kurtin padyshim se do të jetë më e mirë sesa me Hashim Thaçin.

“Kosovës me Albin Kurtin i është rikthyer imazhi dhe optimizmi i kohës së Ibrahim Rugovës. Kosova ka fatin e madh, por pati edhe guximin e përkushtimin e spikatur për ta ndryshuar qeverisjen me votë plebishitare. Kosova prej tani do të jetë më e mirë, më e fortë, më stabile, më paqësore, më prosperuese, sesa ishte në 10-13 vitet e shkuara. Nuk besoj se do të përsëritet kjo periudhë e shkuar, ku sunduan më shumë se gjithçka tjetër intrigat, përçarjet dhe tradhtitë e mëdha. Shpresoj që asgjë nga këto të mos ndodhë”, thekson Bytyçi.

Ai ka thënë se sfida kryesore e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, do jetë lufta kundër korrupsionit.

“Kosova me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin do të kapërcejë edhe sfidat e veta. Por në mënyrë më të sigurtë sesa në të kaluarën. Sfida kryesore është lufta kundër korrupsionit. Kjo është një sfidë më vete. Kërkon reformimin e policisë, drejtësisë, shërbimit informativ, agjencive të luftës kundër krimit të organizuar dhe mbi të gjitha reformimin e të gjithë sistemit legjislativ e ekzekutiv. Duhen ligje të reja anti-mafie, ligje të reja e të ashpra kundër korrupsionit, ligje për funksionimin e drejtësisë dhe krijimin e gjykatave speciale në luftën kundër tij”, shpjegon më tej Kurti.

“Punësimi është vënë si objektiv i madh i qeverisë së re të zotit Kurti. Hapja e vendeve të punës kërkon stabilitet dhe siguri ligjore, me qëllim që të tërhiqen investitorët e huaj. Nëse kjo qeveri krijon këtë stabilitet dhe parandalon korrupsionin dhe kërkesat për mitmarrje ndaj këtyre investitorëve, atëherë Kosova do të ketë fatin të tërheqë investitorë strategjikë nga SHBA-të, Gjermania, Austria dhe vende të tjera evropiane. Kjo do ta bëjë Kosovën proosperuese dhe do të ulë papunësinë, por njëkohësisht do të rritë pagat dhe nivelin e jetesës. kësisoj Kosova me qeverinë Kurti ka mundësi të bëhet qendra e gravitetit të investimeve të huaja në Ballkan. Duhet menduar mirë për Trepçën dhe minierat në veri të Mitrovicës, Duhet menduar mirë për investimet energjetike”, shton më tej profesor, doktor Enver Bytyçi.

Për fund, si sfidë të tretë, Bytyçi e sheh dialogun me Serbinë.

“Dhe sfida e tretë do të jetë dialogu me Serbinë. Zoti Kurti ka shpallur idenë dhe platformën e maturisë politike në këtë dialog. Kjo e bën atë të jetë i barabartë në mos superior në tavolinën e bisedimeve. Sigurisht që bisedimet me Serbinë nuk do të jenë të lehta. Por qeveria e re duhet të përgatitet mirë, me fakte, argumente dhe mbrojtjen me vendosmëri të së vërtetës e të se drejtës. Këto i ka premtuar kryeministri i ri. Zgjedhja e Vjosa Osmanit në detyrën e presidentes do të jetë një masë sigurie më e madhe për të realizuar suksesin e Kosovës në këtë dialog. Në fund të fundit duhet të shkohet me parimin dhe idenë se nga dështimi i dialogut është Serbia ajo që humbet dhe nuk është Kosova humbëse. Nëse dialogu dështon, duhet që Kosova të mos lejojë krijimin e alibisë, sikur ajo është fajtore. Kjo do të thotë "asnjëherë bojkot", por nuk do të thotë lëshime ndaj Serbisë. Për herë të parë, pas 15 vitesh, jam opptimist jo i rezervuar për fatin e Kosovës dhe të ardhmen e saj. Zoti e dhashtë që të kem të drejtë në këtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat