Sfidat e Qeverisë Kurti II

Politika

Sfidat e Qeverisë Kurti II

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 24 mars 2021 Në ora: 19:23
Qeveria e Kosovës

Të hënën, më 22 mars, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës zgjodhi qeverinë e re, e cila do të udhëhiqet nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ekzekutivi i ri edhe zyrtarisht ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri, pesë prej të cilave do të udhëhiqen nga gra.

Shefi më i ri i Qeverisë së Kosovës ka bërë me dije se drejtësia, shëndetësia e arsimi kanë nevojë për reforma, por se sfida kryesore është pandemia e koronavirusit. Kurti në ditën kur erdhi në krye të ekzekutivit tha gjithashtu se nuk mund të ketë normalizim me Serbinë, nëse Beogradi nuk e njeh Kosovën.

Njohësit e rrethanave politike në vend, janë të mendimit se qeveria e re e Kosovës ka shumë punë për të bërë, e të cilat, sipas tyre, këto punë mund edhe të kushtëzohen nga gjendja faktike në terren.

Ata konsiderojnë se besimi i qytetarëve e ka ngarkuar tepër rëndë Albin Kurtin, sa që tani e tutje çdo e keqe dhe e mirë në vend do të varet prej qeverisë së tij.

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se Kosova ka probleme të mëdha politike me Serbinë, me korrupsionin, me gjyqet e policinë e korruptuar dhe se me të gjitha këto nuk do ta ketë aspak të lehtë kryeministri i ri.

Nijazi Halili: Qeverinë Kurti 2 e presin detyra të shumta

Image
Nijazi Halili

Nijazi Halili, anëtar i rregullt i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se një prej sfidave kryesore për Albin Kurtin dhe qeverinë e tij mbetet zgjidhja e presidentit të vendit, në këtë rast Vjosa Osmani, e propozuar nga parti e Kurtit.

“Sundimi i ligjit - prioritet i Qeverisë Kurti II. Adresimi i çështjes së pandemisë së Covid-19 dhe pasojave të saj, si dhe rimëkëmbja ekonomike, janë sfidat që kërkojnë përgjigje urgjente të Qeverisë së re të Kosovës, gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes. Qeveria Kurti prioritet sundimi i ligjit. Sigurt se Qeverinë Kurti, e presin detyra të shumta të cilat do mbesin sfidë për t’i tejkaluar. Si prioritet i Qeverisë Kurti, do të jete sundimi i ligjit, pastaj dialogu, shëndetësia, politika e jashtme, arsimi, ekonomia, etj. Pastaj, sfidë tjetër e Qeverisë Kurti, mbetet po ashtu edhe zgjidhja e presidentit të vendit Vjosa Osmani, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilat shumë shpejt do të përcaktojnë nëse qeveria e re do të vazhdojë punën apo vendi do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare, edhe pse në vazhdimësi Administrata Amerikane jep mesazhe të qarta se gjatë zgjedhjes së presidentit, të gjithë deputetet të qëndrojnë ne salle, duke krijuar kushtet dhe ambient te volitshme për ta votuar presidentin e vendit Vjosa Osmani, e cila gëzon mbështetje e fuqishme amerikane”, është shprehur Halili, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai është shprehur se mbetet optimist se premtimet e kryeministrit Albin Kurti, do të jenë shpresë për të ardhmen e qytetarëve të vendit.

“Çështja e pandemisë së koronavirusit dhe rimëkëmbja ekonomike, kanë qenë premtime gjatë fushatës zgjedhore të kryeministrit të ri, Albn Kurti, për të cilat është thënë se do të trajtohen me prioritet nga qeveria e tij. Ai ka thënë se brenda vitit do të vaksinohet 60 për qind e popullatës, ndërkaq për rimëkëmbjen e ekonomisë do të ketë një intervenim ambicioz fiskal. Po ashtu me shumë prioritet do të ishte edhe krijimi i një ambienti të sigurt për investitorët e huaj, që të investojnë në vendin tonë, duke hapur vende të reja të punës dhe zbutjen e varfërisë. E arsyeshme se Qeverinë Kurti e presin detyra të shumta, megjithatë, mbesim optimist se premtimet e kryeministrit Albin Kurti, do të jenë shpresë për të ardhmen e qytetarëve të vendit, të cilët që dy dekada kanë ngelur të zhgënjyer nga qeveritarët e kaluar, të cilët krijuan në vazhdimësi destabilitet politik e krizë ekonomike duke e futur vendin në rrugë pa krye”, ka thënë anëtari i rregullt i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nijazi Halili, për “Bota sot”.

Sulejman Mehazi: Qeveria Kurti 2 do të jetë e suksesshme nëse politikisht e juridikisht mbron sovranitetin e Kosovës

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi, ka thënë për “Bota sot”, se ekspozetë në kuptimin politik nuk janë shumë të besueshme sepse më shumë kanë kuptime ceremoniale, solemne e festive të qeverive të sapoformuara.

“Si çdo kryeministër i sapo zgjedhur paraqitet në foltore të parlamentit me ekspozenë e tij, normale këtë e bëri edhe kryeministri i ri dhe i dashur i Kosovës, Albin Kurti, i dëshirojmë që të jetë ndër kryeministrat më të mirë në historinë politike shtetërore, diplomatike shqiptare. Ekspozetë më shumë janë dhe e kanë kuptimin e fjalëve romantike të llojeve të rilindësve për një qeveri parajsore sesa reale, se do lulëzonte çdo gjë: ekonomia, arsimi, shëndetësia, siguria etj. Pra, ekspozetë janë fjali promovuese sesa vepruese qeveritare. Tani e tutje Albin Kurti ka përgjegjësi të madhe para Republikës së Kosovës për shkak se votuesit ia kanë dorëzuar qeverinë për të ndryshuar rrënjësisht gjendjen politike, ekonomike, sociale, arsimore e të sigurisë”, ka thënë Mehazi.

Ndërsa, profesor Mehazi ka nënvizuar se ndër sfidat kryesore të kryeministrit Kurti do jetë edhe se sa do të arrijë ta mbrojë sovranitetin e Kosovës gjatë dialogut me Serbinë.

“Besimi i qytetarëve e ka ngarkuar rëndë Albin Kurtin sa që tani e tutje çdo e keqe dhe e mirë do varet prej qeverisë së tij. Kosova ka probleme të mëdha politike me Serbinë, me korrupsionin, me gjyqet e policinë e korruptuar që e kanë plandosur Kosovën, e nuk do ta ketë lehtë kryeministri të përballet me të gjitha këto probleme të shëmtuara e të ushqyera me decenie. Qeveria e Albin Kurtit do jetë e suksesshme nëse politikisht e juridikisht mbron sovranitetin e Kosovës gjatë dialogut me Serbinë, lufton korrupsionin zinxhiror që nga gjyqet e deri te policia e Kosovës. Nëse Qeveria e Kurtit mund e mposht korrupsionin, atëherë, vetvetiu Republika e Kosovës do zhvillohej, prosperohej në të mirën e qytetarëve të Kosovës”, ka nënvizuar njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Mehmeti: Ekzekutivi i ri ka shumë punë për të bërë

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, njohësi tjetër i çështjeve politike, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Qeveria Kurti 2 pas ardhjes në pushtet ka shumë punë të mëdha përpara, e që sipas tij, këto edhe mund të kushtëzohen nga gjendja në teren.

“Natyrisht se sfida kryesore është pandemia, si dhe kriza ekonomike e shkaktuar nga ajo, por edhe nga faktorët tjerë. Në këtë aspekt, duhet theksuar se qeveria e re ka shumë punë për të bërë, e të cilat punë mund edhe të kushtëzohen nga gjendja faktike në terren”, ka thënë analisti Mehmeti.

Ai ka përmendur edhe disa nga sektorët ku duhet intervenuar menjëherë, shkruan “Bota sot”.

“Ekonomia, arsimi, shëndetësia dhe drejtësia janë katër shtyllat e shteti, tek të cilat duhet intervenim nga qeveria aktuale. Këto intervenime duhet të jenë të menjëhershme, me reformat të cilat duhet të kryen sa më shpejt që është e mundur”, ka theksuar analisti politik.

Mehmeti në fund thekson se Qeveria Kurti 2, pavarësisht vullnetit, do të jetë e kushtëzuar nga pandemia dhe pasojat e saj.

“Në përgjithësi e shoh qeverinë e re të sfiduar, me dëshirën që t’ia del sa më mbarë, kjo është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat