Paralajmërimi i radhës: LDK-së do t’i thellohet kriza, nëse e bën këtë veprim ndaj Vjosa Osmanit

Politika

Paralajmërimi i radhës: LDK-së do t’i thellohet kriza, nëse e bën këtë veprim ndaj Vjosa Osmanit

Nga: A.Morina Më: 25 mars 2021 Në ora: 13:33
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka vendosur nëse do ta votojë Vjosa Osmanin për presidente të vendit.

Pas zgjedhjes së kryetarit të ri, Lumir Abdixhiku ka disa ‘shkëndija’ se LDK mund ta votojë Osmanin, por një vendim i tillë nuk është marrë ende.

Lumir Abdixhiku dje ka mbajtur takim me Vjosa Osmanin, të cilin e cilësoi si shumë pozitiv dhe me atmosferë të mirë mes njerëzve që ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë.

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka treguar nëse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) duhet ta votojë Vjosa Osmanin, për Presidente të Kosovës.

Qarri tha se duke qenë kandidatja më e votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, nga qytetarët e Kosovës, kjo gjë obligon të gjithë ta respektojnë vullnetin e elektoratit.

“Kur flasim për Dr. Vjosa Osmanin, medoemos duhet kujtuar faktin se kjo është politikania e parë dhe e vetme femër, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit, doli kandidatja më e votuara në nivel vendi, gjatë dy dekadave të fundit duke marrë e vetme, mbi 300 mijë vota nga qytetarët e Kosovës, gjë që obligon të gjithë ta respektojnë vullnetin e elektoratit”, deklaroi ai.

Image
Analisti politik, Gani Qarri

 

Analisti përmendi largimin e Vjosa Osmanit dhe ndikimin e saj në rënien elektorale të LDK-së, në zgjedhjet e fundit.

“Madje Dr. Vjosa përveçse u rendit e para për nga numri i votave, ajo përkundër LDK-së, e cila si parti pësoi debaklin më të rëndë të deritanishëm, prej se mbahen zgjedhjet e lira e pluraliste në Kosovë, duke rënë në pak më tepër se 12%, kurse votuesit e Vjosës shihet qartë se i kanë mbetur besnik asaj, madje kësaj radhe, numri i tyre edhe është rritur e zgjeruar në gjithë Kosovën, që vije si dështim epokal, jo vetëm për kandidatët por edhe për vet LDK-në dikur si segment i parë vendor politik”, theksoi Qarri.

Në vazhdim, analisti tha se me largimin e Isa Mustafës dhe disa personave të tjerë, raportet e Vjosa Osmanit me LDK-në janë përmirësuar në masë të konsiderueshme.

Madje, Qarri paralajmëroi deputetët e LDK-së, se nëse e votojnë ose ia bëjnë kuorumin Osmanit, ata do t’ia rikthejnë imazhin si parti shtetformuese.

“Ndërsa me shkuarjen e Isa Mustafës dhe bashkëmendimtarëve të tij nga partia, raportet ndërmjet Vjosa Osmanit, deputetëve të LDK-së dhe shumicës së anëtarëve të kryesisë së saj, si parti, janë afruar në masë të konsiderueshme me Dr, Vjosa Osmanin e për aq më tepër, disa prej tyre kanë deklaruar se do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit dhe do të votojnë për Vjosën Presidente, duke i ftuar edhe kolegët dhe bashkëpartiakët që janë zgjedhur përfaqësues të popullit në Kuvend, të votojnë të gjithë "pro", akt i lëvdueshëm, të cilin duhet ta ndjekin të gjithë deputetët e LDK-së, sepse duke bërë kuorumin dhe votuar për Vjosën presidente të vendit, do të rikthejnë imazhin e LDK-së si parti shtetformuese si dhe besimin e humbur tek votuesit besnik të LDK-së”, nënvizoi ai.

Gjithashtu, Qarri i bëri thirrje deputetëve të rinj të LDK-së, që të distancohen nga paniku eklatant që ka krijuar udhëheqësia e vjetër konservatore

“Dhe duke pasur parasysh se Dr. Vjosa Osmani është pjesë e LDK-së, kandidate e re dhe me shumë perspektivë, kryesia e re, duhet të distancohen nga paniku eklatant që ka krijuar udhëheqësia e vjetër konservatore e LDK-së, të cilët me krejt argatët e vet, kanë nisur gjithë këtë fushatë agresive dhe lojë të pandershme kundër një kandidateje të vetme femër, megjithëse shkaku i përjashtimit, që asaj iu bë nga ana e LDK-së, u detyrua të ndërmerrte këtë hap kaq të guximshëm, për të garuar e vetme në zgjedhje, veprim që iu shpagua shumë më tepër se sa që është pritur dhe menduar, ndërsa LDK, vet pësojë debaklin më të madh në gjithë historinë e ekzistencës së saj”, potencoi ai.

Në fund, njohësi i çështjeve politike, befasi me deklaratën e tij, ku u shpreh se LDK nëse nuk e voton Vjosa Osmanin për presidente, atëherë ajo rrezikon të humbë edhe bastionet e fundit që ende udhëheqë në disa qytete.

“Ndaj meqenëse Dr. Vjosa Osmani është kandidatja kryesore për presidente te vendit dhe me emërimin e saj për të parën e shtetit, shumica e elektoratit të LDK-së, do ta ndjente veten të përfaqësuar, më së miri, nga Dr. Vjosa Osmani, LDK duhet të votoj pro zgjedhjes së saj presidente, me ç 'rast do sh 'tensionohej edhe elektorati i kësaj partie i cili tanimë po shihet qartë se shumica prej tyre kanë votuar për Vjosën,. përndryshe, LDK mund të humbë edhe bastionet e fundit që ende udhëheqë në disa qytete të mëdha e të rëndësishme të Kosovës, gjë që do të shuante të gjitha përfitimit e mundshme dhe shumëfishonte dëmet edhe ashtu mjaft të mëdha të LDK-së”, përfundoi analisti Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat