Pritjet nga deputetët e rinj, pjesëmarrja e grave në Kuvend, shpresë për vendin

Politika

Pritjet nga deputetët e rinj, pjesëmarrja e grave në Kuvend, shpresë për vendin

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 25 mars 2021 Në ora: 17:09
Seanca e Kuvendit - 22/03/2021

Dita e hënë ishte ajo e cila përcaktoi formimin e legjislaturës së tetë të vendit.

Kuvendi zgjodhi si kryetar të ri Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosja, si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Konjufca mori 69 vota pro dhe 33 kundër. Glauk Konjufca zëvendëson kështu Vjosa Osmanin dhe në mënyrë automatike ai merr edhe detyrën e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës.

Pas Konjufcës u zgjodhën dhe tre nënkryetarë nga LVV, PDK dhe LDK.

Saranda Bogjuevci nga VV, Bedri Hamza nga radhët e PDK-së dhe Kujtim Shala nga LDK.

Ndërsa, nga komuniteti serb nënkryetar është zgjedhur Sllavko Simiq, derisa nënkryetar i pakicës joserbe është zgjedhur deputeti Bekim Arifi.

Kjo legjislaturë shumë shpejt duhet ta zgjedh presidentin, që të paktën duhet të ketë si prani në sallë dy të tretat e të zgjedhurve, ose 80 vota të deputetëve.

Dy partitë që tashmë janë deklaruar se do të jenë në opozitë, LDK dhe AAK, nuk janë deklaruar qartë nëse do ta mbështesin Vjosa Osmanin për presidente, ndërkohë që PDK ka një qëndrim të prerë për këtë çështje.

Nga kjo legjislaturë, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 32 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 29 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 25 deputetë, koalicioni AAK-PSD 14 deputetë, Lista Serbe 10 deputetë.

Kuvendi pritet që sa më shpejtë të fillojë me punën, projektligjet e ligjet të cilat kanë mbetur në gjysmë.

Këto ligje parashihet që me fillim të punës të jenë pika kyçe të Kuvendit të Kosovës.

Zgjedhjet e shpeshta e kanë penalizuar shumë punën në Kuvend e këtu hyn edhe miratimi i ligjeve.

Por, çfarë pritet nga kjo legjislaturë, në krye me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca?

Për “Bota sot”, njohësit e çështjeve juridike shprehen se formimi i legjislaturës hapi rrugët që ligjet që janë pezulluar të miratohen dhe kështu të arrihet një balancim i vendit.

Ata shprehen optimistë për frymën e re të qeverisë dhe urojnë që kjo të jetë zgjidhja e duhur për qytetarët e vendit.

Miftaraj: Pika e dobët e kësaj legjislature është numri i vogël i grave në kryesi

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur në lidhje me konstituimin e legjislaturës së tetë të formuar gjatë ditës së hënë.

Image
Ehat Miftaraj

Miftaraj shprehet se lajmi më i mirë për Kosovën është konstitutimi i legjislaturës së tetë, duke përfshirë këtu edhe numrin e deputeteve gra më shumë se sa në legjislaturën e kaluar.

“Lajm i mirë për Republikën e Kosovës padyshim është konstitutimi i legjislaturës së tetë, përfshirë faktin se për herë të parë numri i deputeteve gra është më i lartë se në legjislaturat e kaluara. Po ashtu edhe pse kryesia e Kuvendit është me deputetë që premtojnë integritet, pikë e dobët mbetet numri i vogël i grave në kryesi”, është shprehur Miftaraj.

Sipas tij, kjo legjislaturë duhet ta dëshmojë efikasitetin e saj duke shpaguar pritjen e qytetarëve duke miratuar ligjet dhe mbikëqyr ekzekutivin.

“Pritjet e qytetarëve padyshim janë që kjo legjislaturë të dëshmojë efikasitet, integritet dhe profesionalizëm në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore, miratimin e ligjeve, mbikëqyrjen e ekzekutivit”, ka deklaruar Ehat Miftaraj për “Bota sot”.

Krasniqi: Kjo legjislaturë solli një frymë të re, me deputetë të rinj

Ndërsa, avokati i shtetit Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur në lidhje me legjislaturën duke u shprehur shumë optimist në lidhje me zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës.

Image
Islam Krasniqi

Ai filloi me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca duke thënë se ai është njeri parimor dhe mjaft i përgjegjshëm, më pas edhe nënkryetarët të cilët janë shumë punëtorë dhe kanë dëshmuar paanshmërinë tyre.

“Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Republikës së Kosovës z Konjufca është njeri parimor dhe shumë punëtor, i pa korruptuar por besoj që do të jetë edhe i paanshëm gjatë mandatit të tij duke i kryer me nderë dhe përgjegjësi detyrën e tij që i është besuar. Edhe përzgjedhja e nënkryetarëve është shumë e mire për Kuvendin por nuk besojë për partitë e tyre, sidomos për anëtarin e PDK-së z. Hamza i cili mund të kontribuojë diku tjetër më shumë pasi që është një ndër më të mirët, me punëtorët në PDK, gjithashtu edhe për anëtarin e LDK-së z. Shala edhe ai gjithashtu ka mundësi të kontribuojë me shumë brenda partisë apo diku ku ka zbrazëtira LDK-ja duke e ditur peshën që ka dhe kualifikimet”, ka theksuar avokati.

Më tej, Krasniqi shton se kësaj radhe kemi një qeveri më ndryshe nga të tjerat, pasi nuk është e varur nga Lista Serbe.

“Kemi një qeveri me ndryshe së të tjerat, e cila nuk është e varur nga Lista Serbe dhe e cila e ka zvogëluar fuqinë e saj brenda qeverisë, duke i ndarë vetëm një post ministror për dallim nga të tjerat që i ndanin nga dy apo tri ministri, zv. Ministra, zv. Kryeministra dhe që u deklaronin hapur se nuk e njohim Republikën e Kosovës”, ka shtuar Krasniqi.

Nga ana tjetër, avokati thotë që kjo legjislaturë solli një frymë të re me deputetë të rinj, duke ju dhënë përparësi grave.

Krasniqi ka cekur deklaratën e LDK-së, sipas të cilës po vije një frymë e re opozitare pa inate politike.

“Pra, kjo legjislaturë solli një frymë të re me deputetë të rinj, duke ju dhënë përparësi grave si në qeveri ashtu edhe në Kuvend dhe duke ndarë edhe postin e të parit të shtetit për një zonjë, duke ju dhënë shembull fqinjëve se populli di të votojë dhe bëjë ndryshime, po ashtu besoj se s’do të ketë problem ratifikimi i ligjeve pasi që e ka shumicën dhe të gjitha do të kalojnë pa ndonjë problem. Është për tu vlerësuar edhe deklarata e kryetarit të LDK-së, i cili përmes saj, tregoi se po vjen një frymë e re opozitare, e cila do t’i lë inatet politike dhe do të bashkëpunojë me qeverinë për çështjet nacionale”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

Burjani: Kryetari i Kuvendit dallon nga sistemet komuniste

Kurse, njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani, ka thënë se kryetari i Kuvendit ka kompetenca për të mbajtur rendin e Kuvendit.

Image
Blerim Burjani

Duke folur për “Bota sot”, ai ka vlerësuar se në këtë legjislaturë, kryetari i Kuvendit dallon nga sistemet komuniste mirëpo që duhet të mbajë rendin e debateve dhe marrjes së fjalëve.

“Siç dihet kryetari është sa për sy e faqe, ai vetëm menaxhon punën e Kuvendit pa kompetenca tjera, pra thjeshtë për të mbajtur rend aty, për të dhënë dhe marrë fjalën. Pra kryetari i Kuvendit dallon nga sistemet komuniste, ky kryetar në këtë sistem është thjeshtë për të lexuar emra dhe për të treguar se a përfillet minutazha e përcaktuar në Kuvend për debat dhe fjalët e thëna”, ka përfunduar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat