Mësohet prioriteti i Mirosllav Lajçakut, lajm aspak i mirë për Kosovën

Politika

Mësohet prioriteti i Mirosllav Lajçakut, lajm aspak i mirë për Kosovën

Nga: N.Sh Më: 25 mars 2021 Në ora: 19:37
Mirosllav Lajçak

Në një intervistë, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se, takimi i parë midis kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të ndodhë brenda disa javësh.

Këtë intervistë e ka komentuar dr. Sadri Ramabaja, i cili thotë se, Lajçak pavarësisht se është i informuar mirë mbi qëndrimin politik të qeverisë së re lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe vetë verdiktin e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e korrikut 2015, ai tutje vë pikën tek agjenda politike e Beogradit.

“Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pas takimit të fundit në Bruksel (29 tetor 2020) pat ngritur çështjen e formimit të Asociacioni të Komunave me shumicë serbe, duke këmbëngulur për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit (2015). “Pa formimin e Asociacionit, ne nuk mund të përparojmë në dialog. Ne do të shohim se si pala e Prishtinës do të veprojë tani për këtë çështje. Ajo flet për mundësinë e formimit, siç e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, e cila është e papranueshme, sepse për të nuk është rënë dakord në Bruksel, nuk është pjesë e parimeve të dakorduara në vitin 2015. Diçka që mund të quhet OJQ (Organizatë Joqeveritare), nuk na duhet, na duhet një institucion serioz, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive”, kishte potencuar atëbotë Petkoviq”, komenton këtë intervistë Ramabaja.

Sipas tij, në këtë linjë është edhe intervista e fundit e Miroslav Lajçakut dhënë Radio Evropa e Lirë, madje duke u thirr për këtë në parime të së drejtës ndërkombëtare.

“Ekziston një parim shumë mirë i njohur i së drejtës ndërkombëtare, që thotë “pacta sunt servanda” – ajo që është dakorduar, duhet të realizohet. Kjo është ajo që mund të them. Për këtë [Asociacionin] është rënë dakord shumë kohë para ardhjes sime, më 2013, më 2015. Nuk mund të sillemi sikurse kjo nuk ekziston. Pres negociata se si të realizohet kjo”, ka thënë Lajçak.

“Natyrisht se askush nga Prishtina nuk pohon se mund të sillemi tutje sikur ajo marrëveshje nuk ekziston. Por, sidoqoftë, edhe opinioni i Gjykatës Kushtetuese, që thirret madje edhe në Kartën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe aktet tjera të BE-së që rregullon të drejtat e minoriteteve, nuk mund të trajtohen se nuk reflektojnë. Kosova nuk ka nevojë e nuk do të duhej të shndërrohej në laborator eksperimental edhe në lëmin e trajtimit e diskriminimit ekstra pozitiv të minoritetit serb. Trajtimi i minoriteteve në nivel të BE-së është i rregulluar dhe pranuar nga të gjitha palët, përmes akteve juridike të veçanta si: Konventa Kuadër për Mbrojtja e Pakicave Kombëtare (FCNM) dhe Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale ose Minoritare (ECRML). Nëse vazhdimi i dialogut, që në start ka për objektiv thellimin e defunksionalizimit të Republikës, që duket se lobi serb ia ka arritur ta imponoj brenda qarqeve të fuqishme të BE-së, atëherë, gjasat janë që edhe mandatin e vazhduar së fundmi nga Këshilli Evropian (deri në gusht të vitit 2022), Lajçak ta përmbyllë duke vendnumëruar, respektivisht pa ndonjë hap sinjifikativ progresi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, potencon Ramabaja.

Sipas tij, në këtë rast, përgjegjësia do të duhej të kërkohej edhe në Bruksel.

“Ka ardhur koha që Brukseli ta kuptoj se ndryshimi epokal që ndodhi më 14 shkurt, është produkt i stërzgjatjes së epokës së trajtimit neokolonial të Kosovës nga ana e Serbisë dhe jo vetëm nga ajo. Por, që fatkeqësia të jetë edhe më e madhe, Brukseli ende nuk ia ka bërë të qartë Beogradit se, epoka e kolonializmit të Kosovës ka përendur në qershor të vitit 1999. As Kosova e as Brukseli nuk ia kanë ngenë të dëgjojnë tutje vajtimet e Beogradit për gjoja humbjen e Kosovës në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Prandaj Kosova, pra Republika më e re e kontinentit të vjetër, nuk është në nderin e BE-së të vazhdojë të trajtohet tutje sipas koncepteve serbe: herë si koloni e humbur e herë si neokoloni e gjakuar”, përfundon dr. Sadri Ramabaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat