Ish-këshilltari i Kurtit jep paralajmërimin e fundit për opozitën: Ja çka do të ndodhë nëse Osmani nuk zgjidhet presidente

Politika

Ish-këshilltari i Kurtit jep paralajmërimin e fundit për opozitën: Ja çka do të ndodhë nëse Osmani nuk zgjidhet presidente

Nga: A.Zhushi Më: 25 mars 2021 Në ora: 21:15
Vjosa Osmani

Driton Tali, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se nëse partitë opozitare nuk e votojnë Vjosa Osmanin për presidente, do të shkohet sërish në zgjedhje.

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Tali ka thënë se kontrata mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe sovranit, ishte që Albin Kurti të bëhet kryeministër e Vjosa Osmani presidente e Kosovës.

Sipas tij, 50.28% e votuesve në zgjedhjet e 14 shkurtit e pranuan këtë ofertë.

Image
Driton Tali

“Alternativa është e qartë, them unë: Do të shkohet në zgjedhjet e radhës, nëse deputetët nuk e votojnë Vjosa Osmanin! Për faktin se "kontrata" mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe sovranit është, në mes tjerash: që Albin Kurti të bëhet kryeministër e Vjosa Osmani presidente. Dhe këtë ofertë votuesit e kanë pranuar (zyrtarisht) me 50.28% që d.m.th., se në formë të referendumit ka kaluar. Në demokraci gjithmonë vlen ajo thënia latine "Vox Populli - Vox Dei", pra "Foli populli - foli Zoti"”, ka thënë Tali.

Sipas tij, Osmani duhet ta ketë një arsye të veçantë, në rast se e refuzon përgjegjësinë, për të cilën e ka ngarkuar sovrani.

“Jo vetëm që çdo shkarje pa vullnetin e protagonistes është jo etike dhe jo morale, por edhe protagonistja është peng e këtij vullnetit (kësaj kontrate). Ajo (pra Vjosa Osmani) duhet ta ketë një arsye të veçantë (si bie fjala sëmundje) nëse e refuzon përgjegjësinë me të cilën sovrani e ngarkoi”, është shprehur më tej Driton Tali.

Ai ka kërkuar nga Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, që të ndalojnë mënyrën banale të politikbërsjes, përmes së cilës janë mashtruar më herët qytetarët: “premto diçka tjetër e pastaj diçka tjetër pasi t’iu merret vota”. Këtu, Tali ka përmendur Hashim Thaçin e Isa Mustafën, të cilët i ka akuzuar se kanë luajtur me qytetarët.

“Kjo është kështu nëse duam të bëjmë politikë parimore. E nëse duam ta vazhdojmë avazin e vjetër (hashimqe e mustafqe), atëherë vazhdojmë me luajt "guxhaz" me qytetarë, duke i mashtruar siç është bërë në të kaluarën. Pra, duke ju premtuar diçka tjetër e pastaj pasi t'i merret vota "m'i bo budallë miletin, sepse si është ajo thënia e Njegoshit “Populli im, bagëtia ime”. Unë, sinqerisht shpresoj që Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do ta stopojnë këtë mënyrë banale të politikëbërjes dhe ta fillojnë një etapë të re të përgjegjësisë shoqërore dhe korrektësisë politike”, ka shtuar për gazetën ish-këshilltari politik i Albin Kurtit.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë konfirmuar se nuk do ta votojnë Osmanin për presidente.

Ndërsa, nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë dhënë sinjale pozitive, pasi kanë paralajmëruar një takim të ri me pretendenten për presidente Vjosa Osmani./Bota sot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat