Reformat brenda LDK-së, Agim Veliu e Haki Rugova u “vet eliminuan” nga LDK

Politika

Reformat brenda LDK-së, Agim Veliu e Haki Rugova u “vet eliminuan” nga LDK

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 26 mars 2021 Në ora: 21:43
Agim Veliu e Haki Rugova, LDK

Zgjedhje e jashtëzakonshme të 14 shkurtit e detyruan Lidhjen Demokratike që të marrë një kaheje tjetër, nga ajo që ishte më herët.

Kryetari i Lidhjes Demokratike në atëkohë, Isa Mustafa dhe kryesia e partisë u detyruan që të japin dorëheqje.

Pas këtyre dorëheqjeve, LDK-ja mbajti zgjedhjet e brendshme, ku kryetar i saj u zgjodh Lumir Abdixhiku. Pas zgjedhjes së kryetarit kjo parti zgjodhi edhe nënkryetarët.

Anton Quni, Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri dhe Shqipe Mjekiqi janë nënkryetarët e ri të kësaj partie.

Jashtë saj mbetën figura të rëndësishme si ish nënkryetarët, Agim Veliu, Haki Rugova, Ismet Beqiri, e Gazmend Muhaxhiri.

Largimi i këtyre figurave nga kryesia e LDK-së po shihet si një gjë e mirë, por ekspertët shprehen se nuk duhet të ndalen vetëm me këto reforma dhe ato duhet të vazhdohen, pasi këto nuk mund të përdoren si armë e fortë për të proklamuar reformën brenda LDK-së.

“Agim Veliu e Haki Rugova me argumentet inatçore politike vetvetiu janë eliminuar nga LDK-ja”

Image
Suleman Mehazi

Lidhur më këtë, profesori Suleman Mehazi, në një bashkëbisedim për “Bota sot” ka vlerësuar si gjënë më të mirë që e ka bërë Abdixhiku largimin e Agim Veliut, Driton Selmanajt dhe Haki Rugovës.

“Gjënë më të mirë që ka bërë kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është që nga kryesia e partisë ka larguar fajtorët e ngatërrestarët kryesor të humbjes së LDK-së gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare: Agim Veliun, Selmanaj dhe Haki Rugovën. Çdo kryetari të sapozgjedhur në parti i jepet e drejta që ai të vendos rrethin e tij të ngushtë bashkëpunues, se cilin ta largojë e cilin jo, është e logjikshme, çdo kryetar i ri zgjedh grupin e vet të besueshëm bashkëpunues afron këdo e largon të pabesueshmit duke i zëvendësuar me anëtarë të ri”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, profesori ka shtuar se Abdixhiku nuk i ka larguar ata, po Agim Veliu e Haki Rugova me argumentet inatçore politike vetvetiu janë eliminuar nga LDK-ja.

“Abdixhiku ka qenë i detyruar të bënte ndryshime kadrovike me anëtarë të rinj, se përndryshe nuk do kishte kuptim humbësja më e madhe e zgjedhjeve të vazhdonte me Agim Veliun, Haki Rugovën e të tjerë që kanë humbur besimin jo vetëm ndaj qytetarëve, po edhe ndaj anëtarëve e simpatizantëve të LDK-së. Tjetër është LDK-ja e Abdixhikut pa Isa Mustafën, Agim Veliun, Haki Rugovën, tani LDK-ja e Abdixhikut është më e autoritetshme me largimin e tyre e të freskuar me emra të ri. Kryetari i LDK-së, Abdixhiku nuk i ka larguar, po Agim Veliu e Haki Rugova me argumentet inatçore politike vetvetiu janë eliminuar nga LDK-ja e nga qytetarët e Kosovës”, ka vlerësuar profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Maraj: Fatura tjetër për LDK që do të paguhet në zgjedhjet lokale

Image
Milazim Maraj

Kurse, profesori Milazim Maraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se zgjedhjet brenda LDK-së nuk arritën të bëhen të plota.

“Zgjedhjet në LDK nuk arritën të behën të plota. Votuan delegatet e Kuvendit të LDK që ishin zgjedhur në kohën kur udhëhiqnin këto kryesi të degëve të LDK që kanë humbur zgjedhjet anë e kënd Kosovës”, ka potencuar profesori.

Po ashtu, Maraj ka komentuar mbetjen jashtë të disa anëtareve të LDK-së, ku mendon se faturë tjetër për LDK-në do të paguhet në zgjedhjet lokale.

“Mbetja jashtë kryesisë së LDK-së të disa anëtareve dhe nënkryetarëve më duket mjaftë normale, por mbetja e atyre që janë po aq humbës të zgjedhjeve sa edhe këta që janë jashtë kryesie, më bënë të mendoj që do të prodhojnë faturë tjetër për LDK që do të paguhet në zgjedhjet lokale”, ka thënë Milazim Maraj për “Bota sot”.

Ahmeti: Reforma kozmetike

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërkaq, analisti politik, Hidajet Ahmeti, ka vlerësuar se zgjedhjet e fundit brenda LDK-së nuk mund të konsiderohen një reformë e mirëfilltë dhe se me këto reforma kozmetike, përfytyrimi i imazhit të partisë nuk mund të largohet në opinion.

“Kjo çfarë ka bërë LDK-ja nuk mund të konsiderohet një reformë e mirëfilltë, pasi nuk kemi reformë nga poshtë lartë, e cila do të ishte një reflektim pozitiv në perceptimin qytetar. LDK-ja nuk duhet të ndalet këtu, pasi reforma substanciale do të ishte një shpresë për të rimëkëmbur LDK-në dhe për ta kthyer besimin e humbur. Përfytyrimi i imazhit të LDK-së nuk mund të largohet në opinion me këto reforma kozmetike dhe, nuk me ketë qasje nuk mund të proklamohet reforma substanciale, por mbi të gjitha do të ishte një mashtrim ndaj vetës nëse besohet në këtë reformë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, lënia jashtë kryesisë të disa njerëzve të “fuqishëm” është diçka e mirë, por nuk mund të përdoret si armë e fortë për të proklamuar reformën brenda LDK-së.

“Lënia jashtë kryesisë LDK-së të disa njerëzve të “fuqishëm” është diçka e mirë që ka ndodhur në LDK, por koncepti dhe substanca e LDK-së është më e gjerë dhe nuk mund të reduktohet në disa njerëz të cilët janë fuqizuar artificialisht dhe tash janë jashtë partisë. Gjykoj se lenia jashtë e disa njerëzve nga LDK-ja nuk mund të përdoret si armë e fortë për të proklamuar reformën, pasi janë të vetëdijshëm për konceptin e reformës radikale”, ka deklaruar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat