“Shumë zhurmë për asgjë”, arsyet e reagimit të LDK-së ndaj letrës së kryetares së Kushtetueses ndaj Kurtit

Politika

“Shumë zhurmë për asgjë”, arsyet e reagimit të LDK-së ndaj letrës së kryetares së Kushtetueses ndaj Kurtit

 Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 27 mars 2021 Në ora: 10:24
Lumir Abdixhiku, Arta Rama-Hajrizi dhe Albin Kurti, foto ilustrim nga "Bota sot"

Një urim bëri bujë të madhe e u diskutua shumë brenda ditës së djeshme.

Ishte urimi që kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, i dërgoi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që nxiti reagime të shumta.

Rama Hajrizi përmes kësaj letre ka shprehur urimet e saj me rastin e zgjedhjes së Albin Kurti, Kryeministër të Republikës.

Në letër urim thuhet se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe ajo personalisht, e mirëpresin bashkëpunimin e ndërsjellë në forcimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit.

Është subjekti i dytë për nga numrat në Kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, që ka reaguar e para, shkruan gazeta “Bota sot”.

Përmes një kumtese, partia që tashmë drejtohet nga kryetari i ri, Lumir Abdixhiku, është shprehur të brengosur me afërsinë që kryetarja e Kushtetueses po tregon me pushtetin aktual.

“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shprehë brengosje për afërsinë e paprecedentë të Gjykatës Kushtetuese me Qeverinë – përkatësisht pushtetin”, thuhet në reagim.

Përpos LDK-së, reagime pati edhe nga PDK e juristë.

Por, e gjitha duket se ishe "shumë zhurmë për asgjë", pasi letra të tilla urimi nga kryetarë të Gjykatës Kushtetuese u ishin dërguar edhe kryeministrave të mëhershëm.

Urimet ishin bërë më herët kur kryetar i kësaj Gjykate ka qenë Enver Hasani, e më pas edhe nga Arta Rama-Hajrizi.

Njohësit e fushës, shqetësimin e LDK-së për urimin dërguar kryeministrit Kurti e lidhin me faktin se muaj më parë pikërisht Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar ish-qeverinë e Avdullah Hotit, e cila u konstatua se erdhi në pushtet me votë të kundërligjshme.

Sipas njohësve të çështjeve politike, partia e Lumir Abdixhikut do të ishte më e logjikshme sikurse do të reagonte ndaj veprimeve të gabuara politike të Albin Kurtit, dhe jo ndaj letrave uruese.

Mehazi: Për të qeshur e qarë, LDK-së së Ibrahim Rugovës i pengon edhe urimi i Kushtetueses

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se urimi nga ana e Arta Rama- Hajrizi, drejtuar Albin Kurtit e ka kuptimin e një etike zakonore shtetërore e juridike.

Image
Sulejman Mehazi

“Qëllimi i partive nuk është për të bërë luftë politike vetëm për të hyrë në pushtet, po dhe për të treguar etikë ndaj partive kundërshtare. Pikërisht urimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe të kryetares së kësaj gjykate, Arta Rama- Hajrizi, drejtuar Albin Kurtit për fitoren dhe marrjen e postit të kryeministrit është i mirëpritur për shkak se e ka kuptimin e një etike zakonore shtetërore e juridike, kuptimin e sjelljes e karakterit institucional që përcakton njerëzoren nga jo njerëzorja, urimi dallon të mirën, të drejtën, të moralshmen, nga sjelljet e këqija e të pa moralshme”, ka thënë Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, e logjikshme për partinë e Abdixhikut do të ishte sikurse do të reagonte për veprimet e gabuara politike, dhe jo për mesazhet e tilla.

“LDK-ja opozitare do ishte e logjikshme të reagonte ndaj veprimeve të gabuara politike të Albin Kurtit e jo ndaj letrës uruese të Gjykatës Kushtetuese për detyrën e përgjegjësinë e madhe të Kurtit si kryeministër i Kosovës. Urimet jepen gjatë veprimeve solemne, gëzimesh, suksesesh, kurrë urimet s’janë mallkuese e të këqija, po urata humane, njerëzore, familjare, institucionale e shtetërore”, ka vlerësuar njohësi i politikës.

Me tej, Mehazi është shprehur se është për të qeshur e qarë, se si LDK-së së Ibrahim Rugovës i pengon edhe urimi i Gjykatës Kushtetuese drejtuar Albin Kurtit për kryeministër.

“Pyesim LDK-në e Abdixhikut se a kanë marrë edhe ata urime nga Gjykata Kushtetuese me rastin e qeverisjes së tyre të mëparshme dhe se ç’të keqe kanë urimet, në cilën kategori të fjalëve hyjnë urimet në grupin e solemniteteve, sukseseve, gëzimeve, dëshirave, sjelljeve humane, apo në grupin e urrejtjes, smirës, xhelozisë e jo njerëzores? Edhe të LDK-së e dinë se urimet janë pjesë përbërëse të pandara të çdo partie politike në pushtet, po shtiren qëllimisht. Urime Albin Kurtit dhe nga gjithë shqiptarët”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

Qarri: LDK do duhej ta vajtonte fort, humbjen e rëndë dhe debaklin e jashtëzakonshëm

Ndërkaq, analisti politik, Gani Qarri, është shprehur se reagimet nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë të pakuptueshme.

Qarri gjithë këtë e quan si një urim normal dhe që nuk është as i pari e as i fundit.

Image
Gani Qarri

“Për habi, një urim i thjeshtë që së fundi është dërguar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në drejtim të Kryeministrit Albin Kurti, ka nxitur reagime të pakuptueshme dhe ajo që habiti më tepër, me këtë rast është fakti se pikërisht LDK apo partia e dështuar e Isa Mustafës dhe trashëgimtarit të tij Lumir Abdixhiku, reagoi më së ashpëri dhe në mënyrë fare të pamatur deri në mospërmbajtje minimale politike, duke u paraqitur tërësisht naiv dhe noshalant, për kohën dhe rastin. Për aq më tepër, mbetja partiake e ashtuquajtur LDK, nuk reagoi edhe aq, se kinse njëmend, urimi na paska qenë vërtetë aq i paprecedent sa thonë ata, madje si i tillë, ai jo vetëm që nuk kishte të bënte me kurrfarë precedence, por ishte vetëm një urim normal, që nuk është i pari, as i fundit dhe reagimi i tyre erdhi vetëm për faktin se ata e panë rastin, kur mund ta shfrynin mllefin arkaik kundër kësaj Gjykate, për shkak të rrëzimit të qeverisë antikushtetuese të Avdullah Hotit i cili erdhi në krye të qeverisjes,me vota të jashtëligjshme të marra hua, nga deputet të dënuar me vendim të plotfuqishëm ligjor, si Etem Arifi”, ka thënë Qarri.

Ai kujton se urime të tilla me rastin e formimit të secilës qeveri, Gjykata Kushtetuese u ka dërguar të gjithë fituesve të zgjedhjeve dhe mandatarëve qeveri-formues, gjë që vërtetohet edhe nga dokumentet zyrtare të cilësdo legjislaturë, pa marrë parasysh se asokohe nuk ishte kryetar i kësaj gjykate, Arta Hajrizi-Rama, por Enver Hasani apo ndonjë tjetër.

“Për aq më tepër, parë në kontestin ligjor, nuk ishte fajtore Gjykata Kushtetuese pse rrëzoi Qeverinë Hoti ngase ajo qeveri kukull, ishte e kundërligjshme dhe gjykata nuk guxonte ta shkelte edhe vet ligjin , si LDK dhe të vepronte në favor të saj, bile fajtori kryesor është vet ish kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe lakmia e madhe për pushtet, i cili pa respektuar ligj as rregulla, keqpërdori edhe gjendjen e rëndë të pandemisë me Covid-19, për marifete të tilla të pamoralshme e antikushtetuese,për çka edhe do duhej të dënohej dhe ti bashkohej Etem Arifit, pas shfrytëzimit të votës edhe për ta bashkëvuajtur burgun me të”, ka vlerësuar analisti Qarri.

Sipas tij, parti e Abdixhikut do duhej ta vajtonte fort humbjen e rëndë dhe debaklin e jashtëzakonshëm që ka pësuar në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Ndaj LDK as që kishte arsye praktike, që të bëjë gjithë këtë ‘gjëmë’ qaramane, si subjekt politik opozitar, në fakt Lidhja Demokratike do duhej ta vajtonte fort, humbjen e rëndë dhe debaklin e jashtëzakonshëm që ka pësuar në votime, me në krye Isa Mustafën, të cilin ‘largpamësit’ e partisë, që sot reagojnë kundër një urimi, pas humbjes katastrofale e shpallën edhe “hero” apo kryetar nderi, mu në momentet kur Isa Mustafa e zhveshi LDK-në nga çdo nderë dhe lavdi. Për aq më tepër, një urim i thjeshtë drejtuar fituesit të zgjedhjeve dhe kryetarit aktual të qeverisë së re, u bënë të gjithëve mirë dhe as që mund të quhet afërsi dhe akt i paprecedent i Kushtetueses, përderisa Kushtetuesja e ka uruar edhe Isa Mustafën e LDK-së me 2017, kur ai tradhtoi koalicionin opozitar dhe ju bashkua Hashim Thaçit, për të marrë vet në dorë qeverinë edhe atëherë, pothuajse njëjtë si qeverinë e kundërligjshme të kryesuar nga Avdullah Hoti", ka theksuar ai.

Mirëpo, sipas analistit, gjithë këtë LDK-ja është duke e bërë për faktin se pikërisht kjo gjykatë në mënyrë të ligjshme e rrëzoi muaj më parë Qeverinë Hoti.

“Po ashtu, kjo Gjykatë ka uruar edhe vet Thaçin dhe të tjerët që udhëhoqën në këto vite qeveritë të cilat ndërroheshin fillimisht në çdo dy vjet e kohët e fundit gjithnjë e më shpesh, madje edhe në dy-tre muaj apo pas gjashtë muajsh, si qeveria e Avdullah Hotit,krejt këto me fajin e politikës dhe jo të Gjykatës Kushtetuese. Andaj, letra që kryetarja e Gjykatës Kushtetuese i ka dërguar kryeministrit Albin Kurti duke e uruar për detyrën, ishte një urim i rëndomtë, të cilin e kanë marrë edhe kryeministrat tjerë me rastin e formimit të qeverive edhe para Albin Kurtit, ani pse jo direkt nga zonja Rama-Hajrizi, por nga kryesuesi përkatës i kohës, ndaj LDK-së i dhemb kjo gjë vetëm për faktin se Kushtetuesja në mënyrë të ligjshme e rrëzoi qeverinë antikushtetuese të ngritur në pushtet me votë të kundërligjshme”, ka deklaruar analisti, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”.

Mehmeti: E padrejtë që të kritikohet Albin Kurti për një gjë të tillë

Kurse, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti, shprehet se është e padrejtë që lidhur me këtë rast të kritikohet kryeministri Albin Kurti, pasi sipas tij, ky i fundit nuk ka fare dorë në këtë çështje.

Mehmeti për gazetën “Bota sot”, ka potencuar se drejtësia s’duhet të tregojë në asnjë rast afërsi me politikën, me pushtetin, pavarësisht se kush vjen në pushtet.

Image
Faton Mehmeti

“Ndonëse ka qenë praktikë një gjë e tillë, e vlerësoj të pavend një veprim të tillë. Po ashtu është e padrejtë që të kritikohet Albin Kurti për një gjë të tillë, pasi s’ka fare dorë në këtë rast. LDK duhet të kujtojë se edhe asaj i është bërë një urim i tillë, andaj duhet të mendojë mirë kur flet, sepse mund t’i dalin veprimet e tyre”, është shprehur analisti Mehmeti.

Sa i përket kritikave të LDK-së, Mehmeti ka thënë se më së paku kjo parti ka të drejt të bëjë reagime të tilla, pasi konsideron se kjo parti së bashku me PDK-në janë kapësit kryesor të shtetit.

“Në këtë aspekt, duhet theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk bën në asnjë rast të bëjë veprime të tilla. Dhe kushdo nga gjykatësit që e bën një veprim të tillë duhet të dënohet. Por, këtë më së paku ka të drejtë LDK-ja dhe PDK-ja ta thonë, kur dihet se këta janë kapësit e drejtësisë në vend”, ka thënë krejt në fund, njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat