“Borxhi” i Vjosa Osmanit dhe 300 mijë votat, ky është roli i ndërkombëtarëve për zgjedhjen e Vjosës Presidente!

Politika

“Borxhi” i Vjosa Osmanit dhe 300 mijë votat, ky është roli i ndërkombëtarëve për zgjedhjen e Vjosës Presidente!

Më: 27 mars 2021 Në ora: 15:52
Vjosa Osmani

Pas formimit të Qeverisë Kurti-II, shihet më qartë se kurrë më parë, se rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit, ua ka prishur të gjitha planet partive të kriminalizuara.

Kështu vlerëson analisti politik Gani Qarri i cili shton se, këto parti të cilat nga frika se së shpejti do të mund të përballen me ligjin dhe organet e drejtësisë e të japin përgjegjësi për bëmat e tyre kriminale, po bëjnë çdo përpjekje të mundshme, për ta zvarritur e pamundësuar kompletimin e institucioneve të shtetit, e sidomos pengimin sa më gjatë, të zgjedhjes së president/es së vendit, për ikjen nga përballja me ligjin, si dhe mbulimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, sa më shumë që të jetë e mundur.

“Mirëpo edhe Qeveria e re, sapo është formuar, ka filluar menjëherë ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për vendosjen e rendit dhe të ligjit, me përpjekjet për përmbushjen e premtimeve dhënë elektoratit gjatë fushatës zgjedhore, për luftimin sa më, me sukses të korrupsionit dhe të krimit të organizuar në vend që lulëzoi dhe u thellua pa asnjë pengesë,gjatë dy dekadave të kaluara sa qeverisën me vendin, partitë e inkriminuara”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, duke ditur tanimë edhe disponimin e SHBA-ve, veçanërisht pas ardhjes së z. Joe Biden në krye  të shtetit dhe administratës së re amerikane, si dhe atë BE-së, që kurrë më parë nuk kanë qenë më të interesuara për mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe të gjitha dukurive tjera negative që tash e mbi dy dekada janë ulur këmbëkryq në të gjitha institucionet e shtetit, duke e izoluar tërësisht vendin dhe sjellur Kosovën në gjendje të pa rrugëdalje, as një qeverisje tjetër, se sa qeverisja e re e Albin Kurtit, nuk ka qenë në kushte më optimale që të arrijë ta luftojë me sukses korrupsionin dhe krimin e organizuar si dhe ta konfiskojë pasurinë e atyre që brenda nate, krijuan miliona ne mënyrë te paligjshme përmes korrupsionit galopant dhe krimit të organizuar.

Image
Gani Qarri

“Ndërsa duke parë orvatjet e pareshtura mafioze të partive të inkriminuara të cilat duke mos mundur ta pengonin formimin e Qeverisë Kurti-II, janë bashkuar dhe po bëjnë të pamundurën, për zvarritjen e zgjedhjes së presidentit/tes së vendit, në mënyrë që të bllokohet sa më gjatë që tejet e mundur, kompletimi i institucioneve të shtetit të Kosovës, ditëve të fundit edhe nga BE, kanë filluar të fundosen idetë kriminale të krerëve të krimit dhe partive të kriminalizuara, duke bërë trysni dhe thirrje urgjente, që të bëhet sa më shpejtë edhe zgjidhja e presidentit të vendit, jo sipas tekeve të grupeve dhe segmenteve të kriminalizuara, por sipas vullnetit të qytetarëve, të shprehur me votën e tyre të lirë, në zgjedhjet e 14 shkurtit”, shton ai.

Ai pohon se, aq më tepër, kur bie fjala për Dr. Vjosa Osmanin, të gjithë eksponentëve dhe udhëheqësve të partive të inkriminuara, medoemos duhet bërë të ditur dhe kujtuar edhe njëherë faktin se Vjosa është politikania e parë dhe e vetme femër, që në zgjedhjet e 14 shkurtit, doli kandidatja më e votuar në vend, gjatë dy dekadave të fundit, duke marrë e vetme, mbi 300 mijë vota nga qytetarët e Kosovës, aq sa nuk kanë mund të marrin as segmentet e kriminalizuara si parti më vete.

“Ndaj këtë fakt e kanë shumë mirë parasysh SHBA-të, dhe BE, si dhe i gjithë faktori ndërkombëtar, i cili obligon politikanët e vendit, pa marrë parasysh se cilës parti a grupacion ata i takojnë, që ta respektojnë në plotni, vullnetin e qytetarëve të Kosovës, dhe gjithsesi ta krijojnë kuorumin në Kuvend edhe nëse ata vet, nuk kanë forcë e guxim, ta votojnë Vjosën presidente”.

“Kështu që, të paktën në raundin e tretë, deshën apo jo partitë e inkriminuara, ajo do të zgjidhet presidente, qoftë edhe me shumicën e thjeshtë, pasi që tanimë dihet mirë, se janë të siguruara votat e mjaftueshme edhe pa ndonjë marrëveshje me LDK-në, apo partitë tjera të dështuara, të cilat pas inkriminimit të gjatë, të të gjitha formave dhe mënyrave, i ka shkallmuar vota e qytetarëve dhe Vjosa Osmani nuk u ka asnjë borxh, për debaklin e rëndë, që ato pësuan në zgjedhje. Madje duke parë tendecat konfuze të partive të inkriminuara, që pas dështimit në zgjedhje, ta komplikojnë sa më shumë gjendjen, kinse duke zënë shkas në kandidaten për presidente, vet Komisionari Oliver Varhelyi u ka bërë thirrje publike krerëve të këtyre partive, në seancën plenare të Parlamentit Evropian, që në Kosovë të zgjidhet, sa më parë dhe pa vonesa e tendenca të mëtejme për manipulime, presidenti i ri, duke kërkuar publikisht nga to, që të mos e pengojnë Kosovën në kompletimin e institucioneve të reja të vendit, pasi që qytetarët, kësaj radhe më tepër se çdoherë më parë, kanë votuar me shumicë absolute, që zëri i tyre të dëgjohet dhe pas 21 vitesh kaosi e inkriminimi, në bazë të vullnetit të popullit, lidership i ri, të vendoset sa më parë në pozitën dhe vendin që i takon”, përfundon analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat