Flet për “Bota sot” anëtarja e Kryesisë së LDK-së: Ja kujt i takon të zgjidhë çështjen e presidentit - paralajmëron kundërshtarët

Politika

Flet për “Bota sot” anëtarja e Kryesisë së LDK-së: Ja kujt i takon të zgjidhë çështjen e presidentit - paralajmëron kundërshtarët

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 27 mars 2021 Në ora: 16:46
Kryesia e LDK-së

Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës javë më parë ka zgjedhur Lumir Abdixhikun për kryetar të ri të kësaj partie.

Së bashku me kryetarin, është zgjedhur edhe Kryesia e re e kësaj partie, shkruan gazeta “Bota sot”.

Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, në një intervistë dhënë për gazetën “Bota sot” ka folur për çështjen e presidentit, me ç’rast është shprehur se në aspektin politik elektoral, dhe aspektin teknik, partia e saj nuk ishte dashur fare të merret me procesin e zgjedhjes së presidentit, pasi që konsideron se kjo është drejtpërdrejt përgjegjësi e fituesit të zgjedhjeve.

Image
Besa Gaxherri

“Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 e kanë dërguar LDK-në në opozitë. Në aspektin politik elektoral, dhe aspektin teknik, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ishte dashur fare të merret me procesin e zgjedhjes së presidentit. Kjo është përgjegjësi e fituesit të zgjedhjeve. Një gjë duhet ta kuptojnë partitë politike e më theks të veçantë Lëvizja Vetëvendosje, se në demokraci një votë bën diferencën, si dhe në sistemin demokratik është e pashëndetshme që një subjekt politik t’i ketë të gjitha vendet e pushtetit në posedim, e sidomos kur është në pyetje një parti si VV-ja me prirje të larta diktatoriale, por kur analizojmë situatën në vend që për një vit kemi tri qeveri, në kushte të pandemisë, me probleme shëndetësore, ekonomike, sociale, politike e diplomatike, atëherë padyshim se kërkohet reflektim, maturi e veprim nga të gjitha partitë politike për t’i krijuar stabilitet vendit. E, kush mbetet për të ofruar ketë stabilitet?”, ka thënë Gaxherri, për “Bota sot”.

Gaxherri me tej drejton kritika edhe për tri partitë e tjera, për të cilat thotë se gjithmonë kanë synime të përfitojnë nga proceset, dhe se nuk janë sikurse LDK-ja që vazhdon të mbetet alternativa e vetme për stabilitet politik.

“Vetëvendosje kurrë se ka ofruar potencialin e saj për stabilitet të vendit. PDK-ja, kalkulon si gjithmonë elektoralisht. AAK-ja, gjithmonë kërkon të përfitojë nga procesi, dhe LDK-ja, mbetet prapë subjekti i vetëm që kudo qoftë në pozitë apo opozitë të jetë alternativë e vetme që t’i ofrojë vendit, stabilitet politik, duke venë standarde për rrugëtimin e Kosovës përpara”, është shprehur ajo.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së thekson për “Bota sot” se kjo parti do ta ketë Kosovën në rend të parë, dhe ka paralajmëruar se askush mos të mendojë apo pretendojë se mund ta shantazhojë apo përdorë LDK-në.

“Ne gjithmonë e patëm dhe do ta kemi Kosovën në rend të parë, por askush mos të mendojë apo pretendojë se mund ta nënshtrojë, shantazhojë apo përdorë LDK-në. Do mundohemi të japim shembull dhe zgjidhje të problemeve, por do jemi gjithmonë të gatshëm, edhe për zgjedhje të cilat mund të provokohen nga papërgjegjësia e fituesit të zgjedhjeve. Ne tani jemi në proces, vendimin do e marrin organet e partisë, dhe pres që vendimi i cili merret me shumicë duhet të respektohet”, tha anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Besa Gaxherri, për “Bota sot”.

Gaxherri në këtë intervistë flet edhe për zgjedhjet dhe reformat e brendshme në LDK, për postin e presidentit, për Qeverinë Kurti, dhe shumë çështje të tjera me interes.

Intervistën e plotë me Besa Gaxherrin, anëtare e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, mund ta lexoni sot në versionin online në gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat