‘Lojërat’ serbo-ruse dhe paralajmërimet nga Amerika, alarm për Kosovën

Politika

‘Lojërat’ serbo-ruse dhe paralajmërimet nga Amerika, alarm për Kosovën

Arife Morina Nga Arife Morina Më 28 mars 2021 Në ora: 19:08
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nisur në Bruksel që nga viti 2011, gjatë kësaj periudhë kohore janë arritur më shumë se 30 marrëveshje, mirëpo një pjesë madhe e këtyre marrëveshjeve ende nuk janë zbatuar ose janë zbatuar pjesërisht.

Në këto bisedime, gjithashtu kanë qenë të pranishme edhe ndikimet e administratës amerikane dhe Bashkimit Evropian.

Mirëpo, shteti serb vazhdimisht ka shprehur pakënaqësi dhe kundërshti ndaj politikave ndërkombëtare karshi negociatave me Kosovën dhe kësisoj, shteti serb ka vazhduar bashkëpunimin dhe ‘lojërat’ e saj me shtetin rus.

Këto marrëveshje të Serbisë me Rusinë i kanë vënë re edhe ndërkombëtarët, madje eksperti amerikan, Alon Ben Meir ka kritikuar publikisht afërsinë e këtyre dy shteteve.

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka thënë se Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë.

Ben Meir ka deklaruar se afërsia Seri-Rusi, u konfirmua edhe në takimin mes ministrit të Jashtëm serb dhe ambasadorit të Rusisë në Beograd, përcjell Bota sot.

Sipas tij, Serbia po kërkon mbështetjen e Rusisë në gjetjen e një zgjidhje diplomatike të konfliktit me Kosovën.

“BE dhe SHBA duhet të vazhdojnë t'i bëjnë të qartë Serbisë se bashkëpunimi me Rusinë derisa Moska vazhdon rrugën e saj të destabilizimit rajonal, është e papranueshme dhe se veprimet e mëtejshme do të nënkuptojnë bllokimin e integrimit në BE”, ka shkruar Ben Meir në Facebook, përcjell “Bota sot”.

Njohësit e integrimeve evropiane dhe politike, për gazetën “Bota sot” kanë komentuar këtë deklaratë të Alon Ben Meir dhe mesazhin e tij.

Ata kërkuan nga liderët shtetëror që ta marrin seriozisht kërkesën e profesorit amerikan, pasi ky është një alarm për Kosovën, duke pasur parasysh politikat e rrezikshme ruse ndaj vendit tonë dhe Amerikës.

Voca: Loja e dyfishtë e Serbisë

Profesori i gjeopolitikës dhe ligjëruesi në Paris, Mirsad Voca, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar bashkëpunimin e Serbisë me Rusinë në çështjen e zgjidhjes së problemeve me Kosovën.

Voca u shpreh se Serbia po bën lojë me Rusinë, BE-në dhe ShBA-në, e cila është jo e shëndoshë dhe tregon se politikat e saj kanë problem në orientimin e interesave të popullit serb.

Image
Mirsad Voca

“Përderisa bashkëpunimi mes shtetesh nuk bie ndeshë me aspiratat e një shteti apo organizatash ndërkombëtare apo edhe ndaj vet aspiratave të atij shteti që bashkëpunon me një shtet tjetër, nuk ka asgjë të keqe. Ndërsa kur është fjala e lojës që bën Serbia ndaj BE-së dhe ShBA-së dhe ndaj Rusisë, është së pari jo e shëndoshë për vet Serbinë, sepse kjo tregon se politika e saj ka probleme për tu orientuar dhe për të adresuar prioritetet dhe interesat e popullit serb”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ndonëse Serbia dhe presidenti i saj Vuçiq ende nuk janë çliruar nga e kaluara e tyre, duhet urgjentisht të bëjnë thyerje në mendësinë e tyre politike.

“Në fakt, shteti serb me në krye A. Vuçiq, sillet sikur nuk di nga t’ia mbajë sepse së pari ende nuk është çliruar nga e kaluara e saj, ndërsa rruga më e drejtë dhe e sigurt është aspirata për integrim në gjirin e shteteve të frymës perëndimore. Si duket tani, Serbisë patjetër që i duhet urgjentisht një thyerje në mendësinë e saj politike për t‘u orientuar më pastaj më drejt”, ka nënvizuar Mirsad Voca.

Në vazhdim, ai ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet të reagojnë dhe ç ‘orientojnë politikën serbe nga shteti rus.

“Patjetër që ShBA dhe BE e shohin qartë politikën serbe dhe ç 'orientimin e saj dhe ato duhet te reagojnë në masën që të udhëzojnë atë mirëpo tani është koha që Serbia dhe populli i saj të vetë zgjohet dhe të shikoj kah e ardhmja e saj e cila natyrisht do të duhej të orientohet kah perëndimi. Natyrisht për aq sa Serbia do të luaj dyanshëm, kjo do të stagnojë zhvillimin e saj dhe integrimin e saj në BE dhe do të krijojë hapësirë për jostabilitet rajonal”, ka theksuar ai.

Tutje, Voca ka kërkuar nga udhëheqësit e Kosovës që lojën e dyfishtë të Serbisë me Rusinë, ta ngritin pranë Amerikës dhe BE-së.

“Kosova pikërisht duhet të ngrit pranë ShBA dhe BE këtë çështjen e lojës së dy apo shumë anshme të Serbisë si një ndër arsyet e pengesave kryesore për konsolidim të një fqinjësie dhe të një stabiliteti afatgjatë rajonal. Çlirimi nga ky konfuzion politik serb do të ndihmonte së pari Serbinë dhe pastaj edhe rajonin e Ballkanit perëndimor. Nga ky këndvështrim, pra nga jo/ndikimi rus pranë Shtetit serb shoh dhe mundësinë apo jo edhe të njohjes së ndërsjellë Kosovë-Serbi”, ka vlerësuar ai për "Bota sot".

Në fund, Voca ka thënë se Serbia duhet të çlirohet nga e kaluara e saj dhe ta njoh Kosovën si shtet i pavarur, pasi aty gjendet perspektiva e tyre për BE.

“Serbia, pa u çliruar nga e kaluara e saj e që pikërisht pikënisja e kësaj gjendet në kërkim falje, dëmshpërblim dhe pranim të Kosovës si Shtet i pavarur sepse është realitet i pakthyeshëm dhe sepse nuk ka rrugë tjetër përveç bashkëpunimit fqinjësor brenda shteteve të Ballkanit perëndimor, perspektiva e të cilit gjendet në BE”, ka përfunduar ligjëruesi në Paris, Mirsad Voca.

Zeqa: Liderët shtetëror të mbështesin kërkesën e ekspertit amerikan, ja si duhet të veprojë Kurti

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Florim Zeqa, ka thënë se deklaratat e profesorit amerikan Alon Ben Meir, duhet të shërbejnë si alarm për klasën politike të Kosovës.

Zeqa në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se kërkesa e ekspertit amerikan është shumë e arsyeshme dhe kësaj kërkese duhet urgjentisht t’i bashkëngjiten liderët shtetëror.

Image
Florim Zeqa

“Deklarimet e profesorit amerikan Alon Ben-Meir, se Serbia po ndihmohet nga Rusia për ta zgjidhur konfliktin me Kosovën, duhet të shërbejnë si alarm shqetësim për klasën politike kosovare, e në veçanti për institucionet e sapoformuara të shtetit, respektivisht kryeministrisë dhe parlamentit. Kërkesat e arsyeshme të profesorit Alon Ben-Meir ndaj SHBA-ve dhe BE-së për ndërhyrje urgjente në parandalimin e një plani të tillë të njëanshëm dhe qëllim-keq ndaj Kosovës, duhet t'i bashkëngjiten me reagimet e tyre edhe liderët e rinj shtetërorë dhe klasa politike kosovare në përgjithësi”, ka theksuar ai.

Analisti bëri apel te kryeministri i ri, Albin Kurti që të mos sillet me indiferencë dhe të parandalojë nismën e Serbisë dhe Rusisë, e cila nuk përkon me interesat kryesore të vendit tonë.

“Pas pranimit të detyrës, kryeministri i ri vendit Albin Kurti me legjitimitetin më të lartë qytetarë në këto dy dekadat e fundit nuk guxon të sillet me indiferencë ndaj nismave dhe zhvillimeve politike rreth vendit tonë. Janë të mirëpritura vizitat e shpeshta të liderëve të rinjë shtetërorë pranë varrezave të dëshmorëve dhe figurave markante të kombit, por më e rëndësishme është të qëndrojnë në krye të detyrave prioritare për shtetit siç duhej të ishte përgjigja e shpejtë e institucioneve tona në parandalimin e një nisme të tillë, e cila nuk përkon me interesat vitale të shtetit tone”, është shprehur ai.

Tutje, Zeqa tha se përafrimi dhe bashkëpunimi i Kurtit me administratën amerikane dhe evropiane do të parandalonte nismat serbo-ruse ndaj Kosovës.

“Përafrimi i shpejtë dhe sa më parë i kryeministrit Albin Kurti me administratën e re amerikane dhe institucionet e BE-së për përmbylljen e dialogut me Serbinë do të shkonte në funksion të parandalimit të nismave serbo-ruse ndaj Kosovës. Çdo vonesë e Albin Kurtit në atë drejtim, do t'i linte rrugën hapur projektuesve të skenarëve të tjerë ogurzi ndaj pavarësisë së Republikës së Kosovës”, ka potencuar analisti, përcjell “Bota sot”.

Në fund, Zeqa tha se kreu i VV-së duhet të ndërrojë qasjen ndaj dialogut me Serbinë dhe nuk guxon në asnjë rrethanë t’i përsëris gabimet nga qeverisja e kaluar.

“Përfundimisht duhet të ndërroj qasja e Albin Kurtit si opozitarë ndaj dialogut me Serbinë, tani e tutje ai duhet të sillet me një përgjegjësi më të lartë prej lideri shtetërorë në raport me bashkësinë ndërkombëtare, e në veçanti ndaj SHBA-ve, sponsorizuesit kryesor të lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.

Në asnjë rrethanë Albin Kurti nuk guxon t'i përsëris gabimet nga qeverisja e kaluar, por duhet të jetë kooperativë dhe bashkëpunues me bashkësinë ndërkombëtare, për të mirën e shtetit dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Florim Zeqa.

Krasniqi: Kartat serbe dhe ndikimi i Rusisë në raportet Kosovë-Amerikë

Kurse, njohësi i çështjeve politike Islam Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka përmendur kartat e Serbisë, të cilat i ka përdorur me BE-në dhe Rusinë.

Krasniqi tha se Bashkimi Evropian ka rënë në ‘gjumë’ që nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi, duke e ‘përkëdhelur’ shtetin serb.

Image
Islam Krasniqi

“Serbia gjithmonë ka përdorur dy kartat njërën me Evropë e tjetrën me Rusinë, të cilës i ka shërbyer kjo lëvizje për t'u përafruar me BE-në. BE-ja ka ra në gjumë që nga fillimi i negociatave më Serbin duke i përkëdhelur dhe ledhatuar ata të cilët u viktimizuan edhe pse ishin xhelati”, ka deklaruar ai.

Tutje, Krasniqi ka potencuar se Rusia ka qenë gjithmonë pengesë për marrëdhënien e Kosovës me Amerikën, mirëpo SHBA-të nuk i interesuan kërcënimet e Rusisë dhe aleatëve të Serbisë dhe vazhduan të jenë çelësi kryesor i çlirimit të Kosovës.

“Rusia gjithnjë ka qenë pengesë lidhur me çështjen tone, mirëpo ShBA-ja ishte çelësi kryesor të cilit nuk i interesuan fortë kërcënimet e Rusisë apo aleatëve të Serbisë. Gjithsesi se duhet të reagojnë ShBA-ja dhe BE-ja për t'i treguar shtetit serb se janë në rrugë të gabuar dhe së rruga e vetme është BE-ja duke ja vrarë edhe shpresën e gabuar që ka!”, ka përfunduar Islam Krasniqi për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat