Fajtori për “përplasjen” Veliu-Muhaxheri dhe rreziku për shembjen e LDK-së

Politika

Fajtori për “përplasjen” Veliu-Muhaxheri dhe rreziku për shembjen e LDK-së

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 29 mars 2021 Në ora: 10:57
Agim Veliu dhe Gazmend Muhaxheri

Gjithçka dukej se ishte në rregull brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, derisa u zgjodh kryetari i ri dhe kryesia e saj. Por, tashmë kanë filluar përplasje në mes figurave të rëndësishme të kësaj partie.

Së fundmi pati një përplasje të ashpër me deklarata, në mes të nënkryetarit të ri të LDK-së, Gazmend Muhaxherit dhe ish-nënkryetarit të kësaj partie Agim Veliut.

Ai që kishte nisur i pari ishte nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri, i cili deputetin e kësaj partie, Agim Veliun, e ka quajtur person që “mendon vetëm për vete” dhe se Veliu i është imponuar ish-kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës.

“Kjo është ajo energjia e keqe, që fola më herët. Unë ia kam tërhequr vërejtjen zotëri Veliut, që mos ta lë postin e kryetarit të Podujevës për t’u bërë ministër. Por, ai mendojke vetëm për vete. Edhe iu imponojke kryetarit Mustafa. Shikoni se çka na ndodhi“, ka thënë ndër të tjera Muhaxheri.

Pas këtyre deklaratave të Muhaxherit, ka reaguar Veliu, i cili ka thënë se LDK-ja me eksponent si soji i Gaz Muhaxherit, tashmë e ka bërë veten fajtorë kryesorë për çdo dështim eventual të fituesit të zgjedhjeve për konstituimin e institucioneve, duke insistuar që nga pozita e tretë e duke amnistuar të parin e të dytin, të bëhet adresa e vetme e fajësimit në rast të dështimit të zgjedhjes së Presidentit.

Madje, Veliu ka thënë se ai është “Kali i Trojës” i instaluar në LDK dhe e ka quajtur edhe “Gazi i botës” Muhaxherin, i cili në mënyrë fëmijërore shfaqi prapaskenat, dhe se fryma e re e LDK-së, mund të ndërtohet vetëm duke përjashtuar anëtarët besnik të saj.

“Ky far Gazi i botës, shpërfaqi në mënyrë fëmijërore, gjithë prapaskenat dhe ndyrësitë prapa zgjedhjeve të fundit në LDK, duke treguar se “fryma e re” në LDK dhe veprimi politik i saj, këtu e tutje, ndërtohet vetëm duke përjashtuar nga radhët e saj çdo anëtar të devotshëm dhe besnik të saj të cilin, sipas Gaz-it, “po e kritikojkan populistët dhe përfaqësuesit e partive tjera politike, si dhe “kinezët e Facebook-ut”, kishte thënë Veliu.

Shahu: Fajtor është Mustafa, për gjendjen e LDK-së

Image
Analisti politik, Rexhep Shahu

Lidhur me këto përplasje në mes nënkryetarit të ri të LDK-së, Gazmend Muhaxherit dhe ish-nënkryetarit të kësaj partie Agim Veliut, ka pasur reagime të shumta.

Analisti Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se të gjitha këto tregojnë gjendjen e LDK-së, pasi që tani LDK-ja nuk është në ditë të mira.

Sipas Shahut, fajtor i gjithë kësaj është Mustafa sepse ai e kishte mbyllur partinë, madje ka larguar edhe senatorë dhe se LDK-ja duhet t’i ketë këta senatorë sepse nuk është organizatë që drejtohet me një projekt.

“Sherret me fjalë që po ndodhin në LDK mes zyrtarëve e ish zyrtarëve, mes shokësh e miqsh janë pasqyrë e gjendjes dhe ato e japin më mirë gjendjen ku është LDK-ja, në dëshpërim dhe në mungesë orientimi e mungesë vendimmarrjesh të forta e të guximshme, në dyshime e dilema nga të shkojmë e nga t'ia mbajmë. LDK-ja ka fatin që të vëzhgohet nga të gjithë qytetarët sepse të gjithë kanë të lidhur pjesë të jetës së tyre me LDK-në, ka qenë shtëpia e të gjithëve. Sot nuk është në ditët e saj më të mira dhe ka rrezik të mos orientohet. Në këtë dëshpërim ndodh edhe konflikti mes Veliut e Muhaxherit. Fajtori i madh është Isa Mustafa pse është kjo që është sot LDK-ja, se ai e kishte mbyllë partinë dhe kishte dëbuar senatorët. LDK-ja ka qenë e duhet të bëhet parti e senatorëve, LDK-ja ka pasur brenda saj kuadro elitare dhe nuk është LDK-ja si një organizatë joqeveritare që drejtohet me një projekt që mund ta financojë Sorosi apo kushdo rival i LDK-së kundërshtar i saj”, ka deklaruar ai.

Sipas Shahut, në këtë parti Isa dhe disa të tjerë kanë menduar se janë të përjetshëm, kjo parti që dikur ka ngritur shtetin, sot rrezikon të shembet sepse sulmohet nga të gjithë.

Po ashtu, Shahu thotë se LDK-ja nuk duhet të zgjedh presidentin, por as të ua jap votën kundërshtarëve të saj.

“LDK-ja as nuk është parti inati dhe as parti që duhet të shpërblejë e gradojë ata që ia kanë thye çoromidhet e shtëpisë e xhamat e dritareve të shtëpisë. Isa dhe disa patën menduar se janë të përjetshëm dhe sikur janë zota, u shkëputën nga anëtarësia e madhe e LDK-së. Kjo parti e madhe është e tillë sepse ka pasur një organizim kapilar në Kosovë dhe diasporë. Kjo parti ka ngritur shtetin e Kosovës dhe sot rrezikon të shembet vet, sepse nga të gjitha anët e sulmojnë nga jashtë e brenda, gjithë komunistët e enveristët, gjithë majtistët sepse LDK-ja është kombëtare, e djathtë, parti jo internacionaliste, por nacionaliste dhe ka marrë pjesë masivisht në luftë për lirinë, se ka qenë luftë nacionale me dëbuar pushtuesin shekullor, e jo internacionale. LDK-ja ka provën e fundit të qëndresës kundër të gjithëve me zgjedhjen e presidentit të vendit. Ajo nuk duhet të zgjedhë president, nuk duhet të japë votën asnjë kundërshtari të saj dhe asnjë njeriu të anshëm politikisht, asnjë ushtari të askujt”, ka përfunduar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Bajraj: LDK-ja nuk është e dëmtuar nga Mustafa, ai është vetëm një zë

Image
Analisti politik. Fatmir Bajraj

Ndërsa analisti Fatmir Bajraj, ka thënë se LDK-ja sulmohet që nga shekulli i kaluar nga Serbia armike, madje edhe nga qarqet shqipfolëse, në kohë kur autorësinë e mbante Sejdiu, LDK-në e ndanë në dysh, dhe tani me Osmanin.

Ai thotë se ngritja e LVV-së dhe rënia e LDK-së, janë rezultat i luftës politike të LVV-së ndaj LDK-së, kështu duke e fajësuar dhe penalizuar LDK-në.

“LDK-ja, është luftuar nga jashtë dhe është sabotuar nga brenda. LDK-ja, sulmohet e luftohet prore, që nga ngjizja e saj në fundvitet e 80-ta, të shekullit të kaluar, si Lëvizje nacionale e shqiptarëve të Kosovës në krye me presidentin historik Rugova, nga Serbia armike dhe jo rrallë herë edhe në sinkron me qarqe shqipfolëse në vend që penetrojnë në mënyrë diversive & perverse deri në palcën e saj. Pas testit "demokratik" në LDK, autorësinë e të cilit mbante z.Sejdiu & Co, që i arritën të ndajnë në dysh LDK-në e Rugovës bashkë me akademik Nexhat Dacin, tanimë, i njëjti skenar por vetëm me ndërrim të akterëve kryeso, i ndodhi LDK-së, përmes Vjosa Osmanit, e cila u përdor si "Kal Troje" nga LVV-ja e z.Kurti, për ta fragmentarizuar edhe një herë LDK-në dhe për ta dobësuar fuqinë e saj politike në vend. Ngritja e LVV-së, përkatësisht dyfishimi i saj dhe rënja drastike e LDK-së, përkatësisht, përgjysmimi i saj, janë rezultat i luftës politike agresive të LVV-së kundrejt LDK-së, përmes frymës populiste dhe diskursit të instaluar publik e medial, duke e fajësuar dhe penalizuar LDK-në si regjim i vjetër dhe shkaktarë e gjëja dështimit të shtetit të Kosovës në 20 vitet e fundit, derisa LDK-ja ishte në qeverisje me vendin në një kohë të jashtëzakonshme dhe sfiduese përballë Pandemisë dhe Dialogut”, ka theksuar Bajraj.

Më tej, ai ka shtuar se LVV-ja dhe Osmani kishin zgjedhur prishjen dhe thirrjen e mocionit në vend të bashkëqeverisjes me LDK-në, ky mocion i cili mori mbi 83 vota, madje edhe krijimin e shumicës nga ana e LDK-së.

“Në anën tjetër, LDK-ja kishte humbur imunitetin ngase në radhët e saja deri në maja të "piramidës", kundërshtari politik (LVV), ia kishte dalë mbanë që të penetrojë thellë me mendësi dhe akterë të cilët ishin gjithçka tjetër por jo edhe LDK-iste dhe në shërbim të saj, kur ky shërbim ishte imediat për shtëpinë e cili i ushqeu dhe i ngriti në karrierë, siç ishte rasti me Vjosa Osmanin, ish kandidate e LDK-së për Kryeministre dhe më pastaj në shërbim të LVV-së dhe të Albin Kurtit. Rrëzimi i Qeverisë Kurti dhe shkarkimi i Vjosa Osmanit, imediat. Kurti dhe Osmani, në vend të bashkëqeverisjes me LDK-në, kishin zgjedhur prishjen e marrëveshjes dhe provokimin e thirrjes së mocionit, për çfarë ky mocion mosbesimi, mori mbi 83 vota në Parlament, dhe krijimi i shumicës së re nga ana e LDK-së dhe formimi i Qeverisë Hoti ishte veprim i duhur dhe në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës i cili përballej me Pandeminë dhe procesin e Dialogut me Serbinë”, ka thënë ai.

Bajraj ka theksuar LDK-në e sabotuan oportunistët që donin dështimin e kabinetit të Hotit, sipas tij, LDK-ja nuk është dëmtuar nga Mustafa, sepse ai ishte vetëm një zë, madje as për shkarkimin e Osmanit që ishte vendim i KP-së dhe i Kryesisë.

“Kryeministrin Hoti dhe lidershipin e LDK-së gjatë gjithë kësaj periudhe e sabotuan nga brenda "reformistët", përkatësisht oportunistët të cilët fërkonin duart në dështimin eventual të kabinetit Hoti, brishtësinë në numra të shkaktuar nga deputetët e vetë LDK-së, por lojal ndaj Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, si binom i LVV-së. LDK-ja, nuk kishte alternativë tjetër përballë frymës së "ndryshimit", të mbështetur nga diskursi populist dhe agresiviteti madiatik i studiove televizive dhe rrjeteve sociale në njërën anë, si dhe sabotimi që i bëhej nga brenda në çdo qasje dhe veprim në qeverisje dhe në proceset sfiduese në shtet ndërtim. LDK-në, nuk e ka dëmtuar akademik Isa Mustafa si Kryetar i LDK-së, për vendimet e strukturave të partisë në lidhje me mocionin për shkarkimin e Qeverisë Kurti, ku z. Mustafa ka qenë vetëm një zë dhe kishte vetëm një votë, sikurse nuk e ka dëmtuar në rastin e shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së LDK-së, kur ky vendim ishte i KP-së dhe i Kryesisë dhe jo i Kryetarit Mustafa i cili ishte vetëm njëri prej tyre”, ka shtuar tutje Bajraj.

Kështu, ai ka vazhduar se Veliu nuk e ka dëmtuar LDK-në as kur është shkarkuar Hoti, por LDK-ja është e dëmtuar nga sabotuesit që nuk punuan dhe nuk kanë promovuar suksesin e Hotit, por kanë bërë të kundërtën e saj. Madje edhe shkarkimin e Osmanit e quanin përjashtim nga LDK-ja

“LDK-në, nuk e ka dëmtuar Agim Veliu kur është shkarkuar nga ish Kryeministri Kurti duke e shkelur marrëveshjen e koalicionit qeverisës me LDK-në, ngase nuk ishte vullneti i z.Veliu, por i z.Kurti. LDK-në, e kanë dëmtuar oportunistët dhe sabotuesit të cilët, jo vetëm që nuk punuan dhe nuk promovuan qeverisjen e LDK-së dhe sukseset e Kryeministrin Hoti, por bënë të kundërtën duke u deklaruar hapur në media dhe rrjete sociale se të njëjtit nuk ishin për shkarkimin e Kurtit dhe aq ma pak të zonjës Osmani, mandej shkarkimin e kësaj të fundit e quanin edhe përjashtim nga LDK-ja, gjë që nuk ishte fare e vërtetë, edhe pse kjo e fundit hapur kishte shkelur statutin e LDK-së, dhe promovonte LVV-në dhe z.Kurti. Oportunistet të cilët në emër të reformimit dhe ndryshimit janë të gatshëm nesër t'ia kthejnë shpinën lidershipit të ri, sikurse bënë sot kundrejt lidershipit të larguar, ngase interesat e ngushta personale dhe ato klientaliste e grupor, i kanë mbi moralin politik dhe mbi parimet bazë të një relacioni të ndërtuar e të proklamuar”, ka shtuar ai.

Bajraj më tej theksoi se pas humbjes së 14 shkurtit, LDK-ja filloi me lidership dhe organe të reja drejtuese.

Sipas Bajrajt, tani LDK-ja nuk duhet të marrë fajësinë për dështimin e shtetit, të mos jetë nënshtrim nga hegjemonisë por pikë reference në piedestal.

“Si humbëse e zgjedhjeve të 14 shkurtit, LDK-ja, ka pranuar rezultatin dhe konform tij, mori përgjegjësitë e humbjes dhe filloi një proces ndryshimi radikal, i cili kulmoj me lidership të ri dhe organe të reja drejtuese, dhe në këtë proces reflektimi, ajo duhet të kujdeset me sa vijon: Të mos merr autorësinë e fajësisë për "dështimin" e shtetit, dhe cilësimin si "regjim i vjetër", konstrukt ky i diskursit populist dhe agresivo-propagandistik i LVV-së dhe liderit të saj shpirtëror, Kurthi, në mënyrë që humbja e zgjedhjeve të mos lexohet si dorëzim dhe nënshtrim ndaj hegjemonisë, por si pikë reference për ngritje dhe ngjitje në piedestal. Marrja e LDK-së me vetveten dhe "lufta" penalizuese brenda llojit, në vend që të merret me proceset dhe vetë kundërshtarin, do t'ia lehtësonte kundërshtarit shtrirjen e hegjemonisë e cila përveç nënshtrimit disfatist do të ishte edhe poshtërim fatal për LDK-në”, ka deklaruar Fatmir Bajraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat