Reagoi edhe Departamenti Amerikan, Mehmeti tregon se çfarë po synon Hashim Thaçi për Specialen

Politika

Reagoi edhe Departamenti Amerikan, Mehmeti tregon se çfarë po synon Hashim Thaçi për Specialen

Nga: P.R Më: 29 mars 2021 Në ora: 21:52
Hashim Thaçi

Departamenti Amerikan i Shtetit, edhe njëherë ka ripërsëritur qëndrimin se institucionet e Kosovës duhet t’i ofrojnë mbështetje të plotë Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar “kanë besimin e plotë të qeverisë amerikane”.

“Ne vazhdojmë të besojmë se institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë mbështetje të plotë dhe të qartë për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, deklaroi për Euronews një nga zëdhënësit e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ky reagim vije pasi një shoqatë e ish-luftëtarëve të UÇK-së që jetojnë në SHBA i shkruajtën Presidentit Joe Biden për sjelljen e Gjykatës Speciale në Kosovë.

E krejt këtë, analisti politik Faton Mehmeti, e sheh si përpjekje të Hashim Thaçit për ta zhbërë Specialen.

Image
Faton Mehmeti

“Hashim Thaçi përmes veglave të tija që janë të lirë, mundohen të bëjnë çdo gjë për t'i shpëtuar dënimit. Në këtë mënyrë ata po mundohen për të bërë veprime që do të qojnë drejt zhbërjes së Gjykatës Speciale”, shprehet Mehmeti.

Ai shton se Thaçi nuk e ka besuar që do të përfundojë në Hagë si i akuzuar.

“Edhe pse kjo gjë duket, dhe faktikisht është e pamundur të ndodh, këto veprime dëshmojnë më së miri frikën që i ka kapluar. Thaçi kurrë s’ka besuar se vet do të përfundojë në Gjykatën Speciale, ai ka pasur qëllim që shokët e tij t'i eliminojë politikisht, dhe vet të mbetet i paprekshëm”, nënvizon Mehmeti.

“E gjithë kjo do të vinte si pasojë e marrëveshjes me Vuçiqin, nga ku Thaçi do të përfitonte amnisti. Meqenëse kjo gjë nuk i ndodhi, Thaçi po përdor marionetat e tija në organizatat e luftës për të bërë ç‘është e mundur që të zhbëhet”, shton analisti Mehmeti.

Për fund, ai thotë se Hashim Thaçi përfundimisht nuk do të kthehet më në Kosovë.

“Thaçi e di se më nuk kthehet në Kosovë, mes frikës dhe panikut të madh, ky është vetëm fillimi i presioneve që do të bëj përmes organizatave të luftës, por të gjitha pritet të jetën të kota”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat