Asociacioni i Komunave Serbe i rrezikshëm për Kosovën, ky është skenari i Serbisë

Politika

Asociacioni i Komunave Serbe i rrezikshëm për Kosovën, ky është skenari i Serbisë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 30 mars 2021 Në ora: 08:00
Ilustrim

Autoritetet në vend vazhdojnë ta konsiderojnë të rrezikshëm themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Në kundërshtim ndaj kësaj ideje është deklaruar edhe kryeministri aktual i Kosovës me të marr detyrën.

I pari i Qeverisë së Kosovës Albin Kurti, ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është në kundërshtim më Kushtetutën e Kosovës.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se në Kosovë nuk mund të formohet një Asociacion i tillë.

“Në këto dhjetë vitet e kaluara prej që kemi filluar procesin negociator ka ndryshuar konteksti gjeo-politik në botë. Ndërhyrja në mënyrë të gabueshme e ShBA-së, si rasti Grenell e dëmton procesin e dialogut është i nevojshëm rikthimi i ShBA-së dhe në kuadër të një dimensioni të ri. Përgjatë këtyre viteve kemi krijuar shpërputhje juridike. Bashkësia e komunave serbe është rasti eklatant. është në shpërputhje me sistemin tonë kushtetues”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Njohësit e fushës janë të mendimit se Asociacioni serb në fushën juridiko-politiko e ekzekutiv, nënkupton shkatërrimin e tërësishëm të Republikës së Kosovës.

Madje, ata paralajmërojnë krerët e vendit për kujdes të shtuar, gjersa bëjnë me dije se këto pretendime të Serbisë duhet kundërshtuar në çdo mënyrë.

Kelmendi: Dialogimi me shtetin serb është i rëndë

Image
Muhamet Kelmendi

Muhamet Kelmendi njohës i çështjeve juridike, ka thënë se marrëveshja e Asociacionit të Komunave serbe është shpallur nga Gjykata Kushtetuese si marrëveshje antikushtetuese dhe sipas tij, as kryeministri Albin Kurti dhe as kushdo tjetër nuk ka të drejtë të dalë në kundërshtim me vendimin e tillë.

“Vendimi i Gjykatës është i formës së prerë dhe çdo veprim që është në kundërshtim konsiderohet antiligjore dhe nuk ka vend për zbatim. Kjo çështje është e qartë dhe e keqja është pse ish-qeveria e pranoi dhe e nënshkroi një marrëveshje të tillë. Por, pavarësisht kësaj pse dhe si u nënshtrua, marrëveshjet me element të huaj ose ndërkombëtare, hynë në fuqi vetëm kur nuk ka kundërshtim dhe pasi që të ratifikohen në Kuvend. Verdikti i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse fare Kuvendi nuk e shqyrtoi, e bënë Marrëveshjen për Asociacionin serb ne aspektin juridik”, ka thënë Kelmendi.

Profesori universitar konsideron se Serbia e do Kosovën të pushtuar dhe të serbizuar, ose ndarjen e saj sipas interesit serbomadh, deri në Prishtinë dhe në Brezovicë.

“As Kuvendi dhe as Gjykata Kushtetuese nuk e kanë pranuar një marrëveshje të tillë. Ndërsa, në Kuvend as që është paraqitur për diskutim dhe aprovim, pasi që e njëjta u shpall antikushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa, fakti se si dhe a duhet të bindet Serbia me faktin se Asociacioni është antikushtetuese nuk duhet fare të shqetëson Kosovën. Serbia e dinë se është antikushtetuese. Këtu nuk ka lëshime. Këtë pretendim duhet kundërshtuar në çdo mënyrë. Dhe këtu e kësaj ideje i ka shërbyer shumë z. Lajçak dhe z.Borell nga BE-ja me deklaratat se të dy shtetet duhet të bëjnë ndryshime në Kushtetutat e veta. Kosova duke pranuar Asociacionin dhe gjoja Serbia duke e hequr nga preambula elementin se Kosova është territor i shtetit serb. Madje është shkuar deri edhe të ndarja e Kosovës”, është shprehur ai.

Tutje, Kelmendi është shprehur se Asociacioni serb në fushën juridiko-politiko e ekzekutiv nënkupton shkatërrimin e tërësishëm të Republikës së Kosovës.

“Këtu del fakti se nuk duhet pranuar Asociacionin dhe asnjë pretendim territorial të shtetit serb. Asociacioni serb në fushën juridiko-politiko e ekzekutiv nënkupton shkatërrimit e Republikës. Ndërsa, në Serbi fare nuk ka rëndësi preambula. Ajo nuk e dëmton fare atë. Nuk po diskutohet këtu për Asociacionin e komunave shqiptare. Këtu është reciprociteti. Ajo që duhet të analizojë Kosova është marrëveshja për ndërrimin e territoreve që iu bashkuan Kosovës në vitin 1950 dhe rikthimi i tërësishëm, e përsërisë, i tërësishëm i Kosovës Lindore në kuadër të shtetit të Kosovës. Në këtë ndërrim nuk duhet lejuar që Ujmani, Mitrovica dhe Trepça të diskutohen dhe të futen në ndërrim. Këto janë vende të Kosovës dhe kurrsesi nuk ndërrohen me asgjë. Pjesa e Veriut, Leposaviçi me rrethin, mund të shkojnë në Serbi. Ndërsa, Medvegja, Bujanovci dhe Presheva të ribashkohen me Kosovë, si tërësi territoriale. Kjo është zgjidhja e vetme dhe shumë e qëndrueshme e raporteve me Serbinë. Të shpresojmë se kështu kuptohet. A do të veprohet dhe si do t’i qaset kësaj Prishtina, Beogradi, BE dhe SHBA-të mbetet të shihet”, ka vlerësuar profesori Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: E vetmja pengesë është nëse Serbia kërkon Asociacion me kompetenca ekzekutive

Image
Blerim Burjani

Kurse, juristi tjetër, Blerim Burjani është shprehur se problemi i vetëm është nëse shteti serb kërkon Asociacion me kompetenca ekzekutive, gjë e cila, sipas Burjanit, është e papranueshme për ne.

“Bashkimi Evropian thotë se Kosova ka pranuar marrëveshjen për themelimin e Asociacionit, e vetmja pengesë është nëse Serbia kërkon Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe kjo është e papranueshme, të tjerat janë diskutabile”, është shprehur Burjani, për “Bota sot”.

Burjani me tej ka thënë se nëse shefi i Qeverisë së Kosovës thotë se nuk do të ketë Asociacion, kjo është pengesa për dialog të mëtejmë mes dy vendeve.

“Nëse kryeministri Kurti thotë se nuk do të ketë Asociacion kjo është pengesa për dialog të mëtejmë, thënie e tillë e përfundon këtë çështje ende pa arsyetuar mirë dhe pa e diskutuar më tutje. Të gjithë e dinë se ka një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese në këtë temë, nuk mund të ketë vetëm Asociacion me kompetenca ekzekutive”, ka thënë krejt në fund, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat