Rruga e vetme që LDK ta rikthejë fuqinë, ja emrat që mund t’i nxjerrin probleme Abdixhikut për Osmanin

Politika

Rruga e vetme që LDK ta rikthejë fuqinë, ja emrat që mund t’i nxjerrin probleme Abdixhikut për Osmanin

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 31 mars 2021 Në ora: 09:07
Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani, ilustrim nga "Bota sot"

Lumir Abdixhiku dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë vendosur të martën që të marrin pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, kurdo që të mbahet seanca parlamentare për këtë çështje.

Pas shumë përpjekjeve e shumë diskutimeve brenda partisë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues për të marrë pjesë në votimin e presidentit të vendit.

“LDK-ja nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentit të vendit, që LDK si gjithherë do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues e të marrë pjesë në votimin e presidentit të vendit”, tha Abdixhiku.

Lideri i LDK-së bëri me dije se ky është vendimi i Kryesisë së LDK-së i votuar me shumicë absolute, ndërsa, u shpreh se pret që të gjithë deputetët e partisë të tij, të respektojnë këtë vendim.

“Vendimi i Kryesisë së LDK-së determinon edhe fatin tonë për një periudhë 5-vjeçare”, shtoi ai.

Njohësit e politikës e vlerësojnë lart vendimin e Abdixhikut dhe të LDK-së. Sipas tyre, edhe pse LDK-ja humbi keq në zgjedhje, me këtë vendim dhe me pjesëmarrjen e deputetëve bëhet shpëtuese institucionale e Republikës së Kosovës dhe se i largon të gjitha dilemat e krizës për të shkuar dhe njëherë në zgjedhje të jashtëzakonshme të kota parlamentare.

Mirëpo, analistët shprehen skeptik se Agim Veliu, Avdullah Hoti, Driton Selmanaj dhe shefi i Grupit Parlamentar, Arben Gashi, do të jenë njëzëri në ditën kur do votohet presidenti.

Halili: LDK pro Vjosa Osmanit presidente, çdo rrugë tjetër do të jetë me pasoja klinike për LDK-në

Nijazi Halili, anëtar i Akademisë Shqiptare Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Abdixhiku dhe Osmani janë një bërthamë e trashëguar e vijës së presidentit Rugova.

Image
Nijazi Halili

Ai tregon se LDK-ja do ta votojë Vjosa Osmanin për presidente të Kosovës e ka thënë edhe më herët dhe një gjë u konfirmua.

“Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku, janë një bërthamë e trashëguar e vijës së arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova. Të dy figurat e lartcekura kanë një të kaluar të mirë të përbashkët, andaj edhe në prononcimet e mëhershme kam deklaruar se kryetari i LDK-së, zotëri Lumir Abdixhiku do të jetë pro Vjosa Osmanit, për presidente”, ka deklaruar Halili për “Bota sot”.

Tutje, njohësi i çështjeve politike thekson se është shumë optimist se deputetët e LDK-së, do të jenë pro Vjosa Osmanit për presidente, pasi që sipas tij, çdo alternativë tjetër do të jetë me pasoja klinike për LDK-në.

“Megjithatë, në politik gjithçka mund të fshihet nga prapaskena, por ajo çka është thelbësore e këtij subjekti politik, se tani kryetar Lumir Abdixhiku nuk e ka luksin të eksperimentoj me subjektin e tij, pasi që ky subjekt tani gjendet në opozitë si pasoj e një politike të keq menaxhuar, tani pasojat janë të paparashikueshme, prandaj kryetari Abdixhiku, me çdo kusht do të luftoj rikthimin e këtij subjekti aty ku e kishte vendin vite më parë. Si përfundim jam shumë optimist se deputetët e LDK-së, do të jenë pro Vjosa Osmanit për presidente, çdo alternativë tjetër do të jetë me pasoja klinike për LDK-në”, ka thënë Nijazi Halili për “Bota sot”.

Mehazi: Vetëm kështu mund të sfidohet VV-ja dhe Kurti

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, është i mendimit se parti e Lumir Abdixhikut, vetëm me të tilla veprime mund të ngritet e të sfidojë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin.

Image
Sulejman Mehazi

“Vendimi i LDK-së është për t’u përshëndetur e i mirëseardhur nga qytetarët jo vetëm të Kosovës, po nga të gjitha trojet shqiptare. Prezenca e deputetëve të LDK-së në sallën e parlamentit me rastin e zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente do çlirojë e shpëtojë Kosovën nga ngërçi e agonia e institucioneve shtetërore. Nëse Albin Kurti e Vjosa Osmani me votat e qytetarëve shpëtuan Kosovën nga qeveritë e korruptuara, LDK-ja e Lumir Abdixhikut me pjesëmarrjen e deputetëve në parlament shpëton Kosovën nga kriza institucionale”, ka thënë profesor Mehazi, për “Bota sot”.

Mirëpo, profesori i njohur konsideron se problematike për Abdixhikun do të jenë katër deputetët e LDK-së që ai i tregon me emra, të cilët, sipas Mehazit edhe ishin më të zëshmit kundër pretendentes për të kryetare të shtetit.

“LDK-ja humbi keq, po me pjesëmarrjen e deputetëve bëhet shpëtuese institucionale e Republikës së Kosovës, largon të gjitha dilemat e krizës për të shkuar dhe njëherë në zgjedhje të jashtëzakonshme të kota parlamentare. Problemi më i madh unifikues i LDK-së në parlament do jenë katër deputetët kundërshtar të Vjosa Osmanit, e ata janë Agim Veliu, Avdullah Hoti, Driton Selmanaj dhe shefi i Grupit Parlamentar, Arben Gashi, të cilët ishin ndër më të zëshmit kundërshtarë ndaj Vjosa Osmanit”, tha ai.

Mes të tjerave, ai ka potencuar se vendimi i shumicës së LDK-së lidhur me çështjen e postit të presidentit është për t’u përshëndetur.

“Dyshojmë se këto katër deputetë të LDK-së jo që nuk do ta votojnë, Vjosa Osmanin për presidente, por edhe nuk do jenë prezent në sallën e parlamentit, megjithatë vendimi i shumicës së LDK-së është për t’u përshëndetur, vota e katër deputetëve kundër Vjosa Osmanit nuk mund ta dëmtojë procesin e mos zgjedhjes së presidentit për shkak se do kompensohet nga deputetët e pakicave jo serbe”, ka deklaruar Sylejman Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: Vendim i drejtë i bazuar në kërkesat e votueseve të LDK-së

Kurse, analisti tjetër politik Faton Mehmeti, është i mendimi se vendimi i fundit i Abdixhikut dhe LDK-së ishte i drejtë dhe i bazuar në kërkesat e votueseve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Image
Faton Mehmeti

“Në këtë logjikë e vlerësoj si shumë të dobishëm dhe krejtësisht të drejtë vendimin e kryesisë së LDK-së, e cila ka vendosur të ndryshojë kursin e saj. Vetëm kështu LDK i kthehet zërit të qytetarëve, i cili kaherë ka hasur në vësh të shurdhër të Kryesisë dhe kryetarit të mëparshëm. LDK duket se po kthehet në rrugën e drejtë, por duhet shumë reforma për të kthyer partinë aty ku duhet”, është shprehur Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Krejt në fund, analisti Mehmeti ka nënvizuar se vetëm me vendime të tilla, duke dëgjuar çdoherë zërin e qytetarëve kjo parti mund të kthehet në rrugën e saj.

“Vetëm me dëgjimin e zërit, kërkesave të qytetarëve, LDK-ja kthehet në rrugën e drejtë dhe të ngritjes së saj”, ka thënë krejt në fund, analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës duhet të ndodhë gjatë muajit që po vjen.

Lëvizja Vetëvendosje e cila doli fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit duke siguruar 58 vende në parlamentin 120 vendesh, ndërsa ka kandiduar zonjën Vjosa Osmani për presidente, nuk i ka votat e mjaftueshme për zgjedhjen e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat