Vjosa Osmani nuk kthehet në LDK, qytetarët e votuan bashkë me VV-në

Politika

Vjosa Osmani nuk kthehet në LDK, qytetarët e votuan bashkë me VV-në

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 31 mars 2021 Në ora: 11:08
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku një ditë më parë kishte zhvilluar një takim me Kryesinë e LDK-së.

Ai ka thënë se, kanë marrë vendim që partia që ai drejton do të marrë pjesë në votim për presidentin e vendit, siç tha ai pa paragjykuar votimin e deputetëve.

Kryetari Abdixhiku pas takimit kishte deklaruar se ky është vendimi i Kryesisë së partisë dhe këtë vendim ua komunikuar deputetëve.

Por, po siç po raportohet ka edhe disa nga deputetë e LDK-së janë kundër këtij vendimin.

Një çështje tjetër që është hapur është edhe mundësia për kthimin e Vjosa Osmanit dhe Listës së saj në LDK.

Kështu ka deklaruar edhe njohësi i çështjeve politike dhe profesori Vigan Qorrolli, derisa ka thënë se kjo pritet të ndodh pas diku 4 muajsh.

Por, a mund të ndodhë që Vjosa Osmanin me Listën e saj të kalojnë në LDK?

Analistët mendojnë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë sepse Osmani besimin qytetar e ka marrë bashkë me VV-në.

Mehazi: Vjosa Osmani nuk do t’i kthehet LDK-së

Profesori Sulejman Mehazi, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se ky veprim politik i Abdixhikut tregon se LDK-ja më në fund ka gjetur binarët e duhur të rrugës politike të Rugovës dhe se këto veprime të mençura politike LDK-në e Abdixhikut assesi nuk e dëmtojnë.

Sipas tij, pjesëmarrja e LDK-së në sallën e parlamentit është shenja e parë dalluese nga LDK-ja e plogësht e Isa Mustafës dhe Agim Veliut.

Image
Sulejman Mehazi

“Veprimi i LDK-së për pjesëmarrjen e deputetëve në parlament me rastin e zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente është për t'u përshëndetur, ky veprim politik i Abdixhikut tregon se LDK-ja më në fund ka gjetur binarët e duhura të rrugës politike të Rugovës dhe se këto veprime të mençura politike LDK-në e Abdixhikut assesi nuk e dëmtojnë, përkundrazi e bëjnë më të dashur para qytetarëve të Kosovës. Pikërisht, pjesëmarrja e LDK-së në sallën e parlamentit është shenja e parë dalluese nga LDK-ja e plogësht e Isa Mustafës dhe Agim Veliut, e cila me Abdixhikun po bëhet më komunikative e politike, kundruall inateve të kryetarit të mëparshëm Isa Mustafës, që nënçmoi rëndë LDK-në me veprimet e fundit politike kundër Kurtit e Osmanit. Jo vetëm të marrë pjesë LDK-ja e Abdixhikut, po duhet të votojë znj. Vjosa Osmanin presidente të Kosovës”, është shprehur Mehazi.

Por, ai thotë se Vjosa Osmani nuk do t’i kthehet LDK-së, për shkak se më shumë LDK-istë janë deputetët Agim Veliu, Avdullah Hoti, se sa Vjosa Osmani.

“Bërja e kuorumit për president nga LDK-ja na detyron të analizojmë se mos ndoshta Vjosa Osmanit i kthehet LDK-së? Duke parë principet politike të Vjosa Osmanit nuk mendojmë se ajo do i kthehet LDK-së, për shkak se më shumë LDK-istë janë deputetët Agim Veliu, Avdullah Hoti sesa Vjosa Osmani. Rrugëtimi politik i Vjosa Osmanit dallon shumë nga LDK-ja, ajo ka bërë një imazh e model të veçantë jo vetëm nga LDK-ja, po dhe në përgjithësi ka bërë ndryshime të mëdha politike, Vjosa Osmani është avangarde e politikës moderne shqiptare në Kosovë e më gjerë”, ka theksuar tutje Mehazi.

Në fund, ai thotë se Osmani nuk do të kthehet në LDK, por që për t'u bërë presidente në bashkëpunim me Ministren e Punëve të Jashtme të saj, Donika Gërvallën, do të koalicionojnë me LDK-në për poste ambasadash e konsujsh në dobi të LDK-së.

“Vjosa Osmanit i lejohet me ish-partinë e saj të LDK-së të bëjë koalicion jo qeveritar, po presidencial për diplomacinë e jashtme për poste ambasadoresh e konsujsh nga LDK-ja. Shkurt, Vjosa Osmani nuk do i bashkohet LDK-së, po për t'u bërë presidente në bashkëpunim me Ministren e Punëve të Jashtme të saj, Donika Gërvallën, do koalicionojnë me LDK-në për poste ambasadash e konsujsh në dobi të LDK-së”, ka përfunduar Sylejman Mehazi për “Bota sot”.

Ahmeti: Osmani edhe mund të kthehet në LDK, por jo në një të ardhme të afërt, pasi besimin qytetar e ka marrë së bashku me VV-në

Ndërsa, analisti politik Hidajet Ahmeti, për gazetën “Bota sot” ka thënë se vendimi i LDK është shumë racional dhe pragmatik.

Ai kujton një gjë, që Presidenti nuk të drejtë të përfaqësojë parti politike, por duhet të përfaqësojë unitet politik e institucional.

Image
Hidajet Ahmeti

“LDK-ja ka marrë një vendim shumë racional e pragmatik, pasi çfarëdo vendimi jashtë konceptit të konstruktivitet do të ishte gabim fatal për LDK-në. Presidentja në ardhje do të jetë brenda kornizave kushtetuese e ligjore, e kam fjalën si pozitë dhe çdo veprim jashtë normave kushtetuese e ligjore do ta rrezikojë funksionimin normal të kësaj pozite. Në mandatin si presidente nuk të drejtë të përfaqësojë parti politike, por duhet të përfaqësojë unitet politik e institucional brenda kompetencave kushtetuese”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, me këtë vendim LDK-ja nuk po dëshmon institucionalizim, por po mundohet të riparojë gabimet që ka bërë në të kaluarën.

Ai ka shtuar se Vjosa Osmani edhe mund të kthehet në LDK, por jo në një të ardhme të afërt, pasi besimin qytetar e ka marrë së bashku me VV-në.

“Me ketë vendim pragmatik, LDK-ja nuk po dëshmon institucionalizim, por po mundohet të riparojë gabimet që ka bërë në të kaluarën, por njëkohësisht duke i dhanë hapësirë e kohë vetes për ndryshimet e domosdoshme që e presin. Prandaj, çdo tentim për të kamufluar apo arsyetuar vendimin e LDK-së në kontekstin e kthimit të znj.Osmani në LDK, gjykoj se është i gabuar. Vjosa Osmani edhe mund të kthehet në LDK, por jo në një të ardhme të afërt, pasi besimin qytetar e ka marrë së bashku me VV-në e jo për ta braktisur këtë marrëveshje referendum”, ka përfunduar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat