“Lëvizja e rrezikshme” që mund ta “djeg” LDK-në

Politika

“Lëvizja e rrezikshme” që mund ta “djeg” LDK-në

Nga: M.H. Më: 31 mars 2021 Në ora: 15:05
Foto ilustrim

Gjatë ditës së djeshme kryetari i LDK-së ka bërë të ditur që do të qëndrojë në sallën kur do të votohet presidenti i vendit.

Abdixhiku ka thënë se kërkon unitet që ky vendim të respektohet, përcjell “Bota sot”.

“Dje kishim një takim me Kryesinë, kemi pasur debat 3 orë, me argumente e pikëpamje të ndryshme. Sot jemi takuar edhe me grupin parlamentar. A mbesim unik ose jo, ajo çfarë kam kërkuar është që secili deputet të respektojë vendimin e kryesisë. I kuptoj brengat e secilit, në politikë jemi për vendime të vështira”, ka thënë ai gjatë ditës së djeshme.

Mirëpo, pavarësisht vendimit, nuk dihet nëse me këtë janë pajtuar të gjithë deputetët e LDK-së, pasi katër emra janë përfolur që mund të mos marrin pjesë në seancë, rrjedhimisht të mos votojnë për president.

Në lidhje me këtë, njohësi i çështjeve politike Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se vendimi i LDK-së ishte i qëlluar, pasi Osmani ka qenë fryt i LDK-së dhe rrugëtimi i saj është ndërtuar nga kjo parti. Sipas tij, votimi për Osmanin bën që LDK ta kthejë elektoratin e saj.

Image
Islam Krasniqi

“Vendimi i LDK-së është vendim i qëlluar pasi që znj.Osmani ka qenë fryt i LDK-së dhe rrugëtimin e ka pasur këtu më LDK-në dhe votimi apo kuorumi i LDK-së për znj.Osmani kthen elektoratin e vet, atë që e humbi në zgjedhjet e 14 shkurtit”, është shprehur Krasniqi.

Ndërsa, lidhur me mundësinë që jo të gjithë deputetët e LDK-së do të qëndrojnë në sallë, analisti ka thënë se nuk mund të ketë përçarje, pasi që ata që janë kundër këtij kuorumi janë të njëjtit që e kanë sjellë LDK-në në këtë gjendje.

Sipas tij, sigurimi i kuorumit nga ana LDK-së për Osmanin do ta kthejë Osmanin aty ku ishte.

“Nuk mund të ketë përçarje brenda LDK-së pas që ata që janë kundër kuorumit të Presidentit janë po të njëjtit që e sillen LDK-në në këtë gjendje dhe një lëvizje e vogël e tyre mund t'i djegë vetëm ata që kundërshtojnë. Po harrojnë të tjerët se znj.Osmani edhe pse kandidoi me listën e VV-së, ajo është LDK dhe sigurimi i kuorumi e kthen këtë parti aty ku ishte”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat