Vendimi për të mbështetur Vjosa Osmanin, veprimtari “shpërthen” me kritika për Abdixhikun dhe Kryesinë e LDK-së

Politika

Vendimi për të mbështetur Vjosa Osmanin, veprimtari “shpërthen” me kritika për Abdixhikun dhe Kryesinë e LDK-së

Nga: N. H Më: 31 mars 2021 Në ora: 15:42
Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ditën e djeshme ka marr vendim që të marrë pjesë në seancën, ku pritet të votohet për presidente Vjosa Osmani.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sipas kryetarit të ri të LDK-së, partia e tij duhet të jetë unike.

“A mbetemi unik ose jo duhet të definohet me kohë. Në politikë nuk jemi për vendimet të lehta, por të vështira. Deputetët duhet të jenë në vijë me qëndrimet e partisë. Duhet të jemi unikë. Nëse nuk jemi, i bëjmë dëm partisë”, ka thënë Lumir Abdixhiku.

Në lidhje me këtë vendim të LDK-së, është deklaruar edhe veprimtari i hershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës në diasporë, Fatmir Bajraj.

Bajraj në një prononcim për “Bota sot”, këtë vendim e quan si një tradhti ndaj LDK-së.

Image
Fatmir Bajraj

“Vendimi i djeshëm i Kryesisë së LDK-së, që të mbështesë kandidaten e LVV-së, për presidente të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me arsyetimin se LDK-ja, nuk i bënë obstruksione konstituimit të organeve dhe zgjedhjes së institucioneve shtetërore, është vetëm një lajthitje e ulët përmes së cilës ambalazhohet tradhtia ndaj LDK-së, përkatësisht, tradhtia ndaj 110 mijë qendrestarëve stoik të cilët përkundër uraganit agresiv të diskursit populist të binomit bolshevik; Kurti dhe Osmani, i dhanë votën dhe mbështetjen LDK-së, dhe jo këtij binomi të rrezikshëm për demokracinë, pluralizmin dhe vet shtetin e Kosovës”, shprehet Bajraj.

Sipas veprimtarit Bajraj, mbështetja e Osmanit, është mbështetje direkte edhe për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Mbështetja për Vjosën, është mbështetje direkte për liderin shpirtëror bolshevik në krye të VV-së, të frymës populiste dhe logjikës së turmave, Albin Kurti, është mbështetje një ideologjie totalitare, dhe mbi të gjitha, është mbështetje dhe suport një organizimi dhe një konstruksioni destruktive dhe histerik i cili që në ngjizje dhe deri në fund të ditës, ishte dhe mbeti luftëtar i pakompromis ndaj proceseve historike të vendit, dhe të arriturave kulminante siq ishte liria, pavarësia dhe shtetndertimi i vendit”, tha ai.

Madje, vendimin e fundit të Abdixhikut dhe Kryesisë së re të LDK-së, Bajraj e quan si të turpshëm.

“Mbështetja për Vjosën dhe Albinin, vendim i turpshëm i Kryesisë së LDK-së, vendim kapitullues dhe disfatist përballë atyre që asnjë të mirë nuk ia kanë sjellë vendit, bilës as nuk ia kanë menduar e lerë më t’ia bëjnë, përkundrazi. Vendimi i Kryesisë së LDK-së, akt nënshtrimi dhe poshtërimi, që promovon dorëzimin para hegjemonisë dhe shtrirjen e qafës, është akt, që bie ndesh me moralin politik të LDK-së, karakterin funksional të saj dhe mbi të gjitha; me frymën dhe filozofinë e saj qendrestare dhe papërkuljen ndaj kundërshtarëve, përfshi edhe qëndresën, konsistencën dhe rezistencën kundër armikut shekullor serbo-sllav. Mbështetja për Vjosën e Albinit, është akt i paprecedent në historinë tonë parlamentare, është standard i ri në jetën politike parlamentare, me gjasë do të jetë i pari dhe i fundit, kur një parti politike, me një trashëgimi brilante historike, e mbështetë një diversante të kundërshtarit, e cila ia doli mbanë ta dëmtojë LDK-në, dhe ta detyrojë këtë të fundit që jo vetëm ta mbështesë, por edhe të merr mbi supe peshën e fajësisë dhe të inferioritetit përballë saj, absurd i llojit sui-genersis”, u shpreh me tej ai.

Në këtë bisedë dhënë “Bota sot”, Bajraj ka bërë thirrje që deputetët e LDK-së duhet t’i subordinohet vullnetit dhe votës së 110 mijë qendrestarëve të LDK-së.

“Assesi vendimit të një Kryesie e cila është shkëputur nga ai verdikt i LDK-së, dhe i është nënshtruar dhe dorëzuar mbicjes së sëmur të mercenares Osmani për pushtet, dhe atyre anëtarëve të Kryesisë së re të LDK-së, të cilët sabotuan Qeverinë e vetë, pra Qeverinë Hoti, për çfarë janë ngritë dhe përzgjedhë nga lideri i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe tani dalin hapur, pro mercenares Vjosa Osmani dhe shefit të saj, Albin Kurti”, ka potencuar veprimtari Bajraj.

Krejt në fund, Bajraj thekson se mosmbështetja e Vjosa Osmanit për presidente të vendit, do të promovonte besnikërinë e deputetëve që kanë ndaj LDK-së.

“Mosmbështetja e Vjosës së Albinit për presidente nga ana e Grupit Parlamentar të LDK-së, do provonte dhe promovonte besnikërinë e tyre ndaj shtëpisë (LDK-së), ndaj votuesit qendrestar, dhe mbi të gjitha, ndaj shtetit të Kosovës, si projekt nacional i presidentit historik Rugova, projekt ky i vënë në rrezik nga LVV-ja dhe lideri i saj shpirtëror, Albin Kurti, në mbi dy dekada veprimtarie anarkiste dhe revolucionare kundër Republikës së Kosovës. Mbështetja e mercenares Osmani nga ana e deputetëve të LDK-së, do të shënonte; përveç dorëzimin dhe poshtërimin e turpshëm të LDK-së, karshi pushtetit autoritar dhe absolutist të Kurtit, nga shtrati ideologjik i totalitarizmit dhe njëmendësisë bolshevike, edhe fillimin e fundit të pashmangshëm të LDK-së nga skena politike e vendit, dhe nga ai moment, do duhej të kujdeseshim për arkivimin e saj si relikt, e cila u ngritë nga shqiptarët, u shërbeu atyre dhe u vetëvra ‘aksidentalisht’”, tha në fund, veprimtari Bajraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat