LDK-ja merr pjesë në votimin për presidentin, flasin nga kjo parti: Ja pse e morëm këtë vendim

Politika

LDK-ja merr pjesë në votimin për presidentin, flasin nga kjo parti: Ja pse e morëm këtë vendim

Nga: N. H Më: 31 mars 2021 Në ora: 16:07
Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë vendim që të marrë pjesë në zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, shkruan gazeta “Bota sot”.

Kështu kumtoi lideri i ri i partisë Lumir Abdixhiku pas takimit me deputetët e partisë së tij.

“LDK-ja nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentit të vendit, që LDK si gjithherë do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues e të marrë pjesë në votimin e presidentit të vendit”, ka thënë Abdixhiku

Abdixhiku tha se ky është vendimi i Kryesisë së LDK-së të votuar me shumicë absolute, duke shtuar se ai pret që të gjithë 15 deputetët e partisë të tij, të respektojnë këtë vendim.

Edhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Alban Zogaj, ka folur lidhur me vendimin e fundit të partisë së tij.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se thënë se LDK-ja ka vendosur ta ushtrojë vetëm detyrën që i është dhënë nga qytetari. Ndërsa, ka treguar se partia e tij vazhdimisht ka qenë kundër sabotimeve të proceseve politike.

Image
Alban Zogaj

“Ne, në Kryesi, kemi vendosur të marrim pjesë në votim për Presidentin e Kosovës, dhe të ushtrojmë detyrën tonë që na e ka dhënë qytetari. LDK vazhdimisht ka qenë kundër sabotimit/obstruksionit të proceseve politike. Këto sabotime/obstruksione i kemi konsideruar dhe i konsiderojmë shumë të dëmshme për demokracinë dhe zhvillimin e vendit”, ka thënë Zogaj, për “Bota sot”.

Tutje, Zogaj thekson poashtu se zgjedhjet e reja, të shpejta, janë të dëmshme për vendin, si në aspektin politik, ashtu edhe atë ekonomik e shoqëror.

“Mendojmë - dhe sinjalet janë të qarta - që qytetari i Kosovës nuk ka interesim për zgjedhje të reja, e të shpejta. Kjo gjithashtu është bërë e qartë, çdo ditë, edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Për më tepër, mendojmë se zgjedhjet e reja, të shpejta, janë të dëmshme për vendin, si në aspektin politik, ashtu edhe atë ekonomik e shoqëror. Andaj, të ndërtojmë institucionet e vendit e të vazhdojmë me punë, sepse këtë e pret qytetari i Kosovës”, tha anëtari i Kryesisë së LDK-së, Alban Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat