Frika nga Kurti ia ka humbur busullën Baton Haxhiut

Politika

Frika nga Kurti ia ka humbur busullën Baton Haxhiut

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 2 prill 2021 Në ora: 09:23
Albin Kurti dhe Baton Haxhiu

Ka më shumë se një javë që kryeministri i vendit, Albin Kurti ka ndërruar vendbanim.

Lajmi që Kurti ka ndërruar vendbanim bëri bujë në gjithë opinionin publik të vendit, shkruan “Bota sot”.

Kurti nga “Lagja e Muhaxherëve” ku kishte jetuar deri më tani në një shtëpi 60 metra katrorë me qira, ai është zhvendosur në lagjen “Taslixhe” të kryeqytetit.

Kjo zhvendosje u përfol mjaft, duke e quajtur lëvizje taktike të Kurtit. Edhe pse politikanë të shumta kanë shtëpi e banesa tejet luksoze që prej kohësh, ndërrimi i vendbanimit të Kurtit, edhe pse në një shtëpi me qira, ngjalli shumë debat dhe ai po vazhdon ende.

Kryeministri Kurti nuk ka reaguar në lidhje me këtë temë por zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu, ka thënë se arsyeja e zhvendosjes së kryeministrit është për çështje sigurie.

“Për shkak të protokollit, unë nuk mund të flas shumë për këtë çështje. Unë besoj që ekziston edhe ky dimension dhe madje besoj se është përcaktues për një vendim të tillë, pra nga ana e sigurisë së tij si Kryeministër i Kosovës. Kryeministri ka një protokoll të sigurisë pavarësisht nivelit të sigurisë së tij, janë çështje të caktuara me Ligj”, ka thënë ai.

Pavarësisht kësaj, është gazetari Baton Haxhiu ai i cili sikur mezi pret të bëhet Kurti temë diskutimi dhe të e “godas” këtë të fundin.

Se Kurti dhe Haxhiu nuk kalojnë mirë është më se e ditur, mirëpo që reagimet e Haxhiut kundra Kurtit nuk po kanë të ndaluar. Ai së fundmi komentoi edhe zhvendosjen e Kurtit në shtëpi të re, e që sipas tij ishte e paramenduar.

Dialogu që ai ka bërë më të varfrit sipas Haxhiut, ka qenë një “tallje politike” me të cilën ai nuk është i befasuar.

Akomodimi në një vilë të asaj madhësie me argumentin “për motive sigurie”, në gjykimin e gazetarit është thjeshtë një frazë e njohur në jetën e politikanëve.

Haxhiu, me këtë deklaratë edhe njëherë tregoi euforinë dhe mllefin që ka për pushtetin që po posedon Kurti aktualisht.

Kujtojmë që Haxhiu muaj më parë kishte deklaruar që Kurti synon që të bashkojë Kosovën me Shqipërinë, duke hyrë në Kuvendin e Shqipërisë me kandidatët për deputetë.

Mirëpo pavarësisht që Haxhiu nuk lë mundësi për ta “sulmuar”, Kurti nuk reagon karshi deklaratave duke ruajtur qetësinë si kryeministër i vendit.

Ndërsa, njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, u shprehën që  deklarata e Haxhiut ishte e pritshme duke marrë parasysh që po i njëjti njihet për miqësinë që ka me Thaçin dhe Ramën.

Shahu: Kurti nuk rrëshqet për një shtëpi

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar në lidhje me deklaratën që Haxhiu bëri për Kurtin, duke u shprehur se ajo shtëpi nuk mund të krahasohet me shtëpitë që krerët e tjerë posedojnë.

Image
Rexhep Shahu

Sipas Shahut, Kurti nuk bën një gabim të tillë për një shtëpi të humbas krejt çfarë ka ndërtuar deri tani.

“Nuk mendoj se zhvendosja e Kurtit në një shtëpi të re të madhe gjigante është ajo që e dëmton atë si kryeministër apo është se u kap kryeministri me presh në dorë apo në korrupsion për një shtëpi, mendoj se është e vogël kjo histori. Shtëpi më të mira e më të mëdha se sa ajo që thuhet për Kurtin kanë mijëra e mijëra shqiptare. Korrupsioni edhe nëse është këtu është shaka. Nuk rrëshqet Kurti për një shtëpi. Ajo që Batoni e të gjithë mund të shqetësohen për arrogancën e Kurtit, nëse ai del mbi ligjin, nëse ai bëhet autoritar, nëse ai bën shaka banale të tipit edhe mbledhjet do t’i bëjmë në këmbë se nuk kemi kohë të humbasim pasi ne punojmë 25 në 24 orë për Kosovën”, është shprehur Shahu.

Tutje, analisti thotë që Kurti nuk duhet të mbështes Erdoganin për kundër ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe se nuk duhet të kemi frikë për shtëpitë e politikanëve por duhet të vendos që të mos i jep më asgjë Serbisë për ta njohur Kosovën shtet i pavarur.

“Nëse Kurti bëhet e mbetet vasal i Erdoganit apo i mbështetësve të tij në segmente të ndryshme fetare që e nxisin kundër ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Nëse Kurti tranohet dhe fërkon duart para titujve të tillë si, “Kurti e dridh Serbinë”, etj, etj. Pra korrupsioni që kemi e duhet të kemi frikë nuk është shtëpia e politikanit, por korrupsioni politik, pranimi apo tërheqja në përballje me Serbinë duke u nënshtruar e duke e pranuar fatin e kolonisë apo diktimin e kushteve prej serbëve. Kosova nuk ka çfarë i jep Serbisë që Serbia të pajtohet pse Kosova është tashmë shtet i pavarur”, ka theksuar analisti.

Gjithashtu, Shahu thotë që Kosova tashmë i ka dhënë mjaft Serbisë dhe Kurti nuk duhet më të lëshojë pe në këtë drejtim.

E në fund, analisti vlerëson se Kurti nuk dëshiron të merret me Batonin sepse sipas tij Batoni është kryeministër që tërheq për hunde Ramën dhe Kurtin.

“Kosova ka dhënë më shumë se duhet, Serbia e ka mbajtur më shumë se që duhet Kosovën të pushtuar dhe nuk arriti ta bënte Serbi. Nëse Kurti lëshon pe për të tilla gjëra, nëse Kurti instalon një shtet majtist dhe harron që barazitizmi nuk tolerohet në Kosovë, atëherë ky është korrupsioni. Batoni dhe Kurti kanë gjithë arsyet të merren vesh mirë mes tyre por Kurti duket nuk do t’i jap grada më shumë se që ka Batonit, pasi po krijohet përshtypja se Batoni është kryeministër në hije të gjithë shqiptarëve, që tërheq për hunde Ramën e Kurtin”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Mehazi: Haxhiu pritet të flas kundër Kurtit sepse mbetët shoku i Thaçit dhe Ramës

Në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” ka folur edhe profesori Sulejman Mehazi, i cili e quan të pritshme këtë deklaratë sepse dihet që Haxhiu ka shoqëri me Thaçin dhe Ramën.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas Mehazit, është absurde që të kritikohet kryeministri Kurti për zhvendosjen që ka bërë për shkak të sigurisë, derisa krerët e tjerë lënë shtëpitë për arsye të luksit, duke vazhduar të krahasojë me SHBA-të që veprojnë në të njëjtën mënyrë për siguri të kryeministrit.

“Çfarë mund të presim prej shokut të Thaçit e Ramës, Baton Haxhiut përveç kundërshtimeve e akuzave politike të palogjikshme e absurde ndaj Albin Kurtit. Të akuzohet për veprimet e gabuara politike është e arsyeshme, ama të kritikohet për zhvendosjen e Albin Kurtit nga banesa e tij e ngushtë në një shtëpi me hapësirë më të gjerë, me komode e më të sigurt si Kryeministër është budallallëk, kësi akuza budallallëqesh mund të bëjë vetëm Baton Haxhiu i Prontos dhe Ramës. Nëse presidentët e zgjedhur të SHBA-së për shkak përgjegjësive të mëdha politike, shtetërore, lënë banesat e tyre e zhvendosen për shkak sigurisë, qetësisë e rahatisë politike shtetërore në Shtëpinë e Bardhë pse dhe Albin Kurti si kryeministër i Kosovës të mos lë banesën e tij me kushte katastrofike, po me përgjegjësi të madhe shtetërore të mos zhvendoset në një shtëpi më komode, po jo e blerë nga ai, po me qira, ashtu si i ngjanë një kryeministri”, ka thënë Mehazi.

Profesori vazhdon t’i parashtrojë pyetje Haxhiut, se si do të mundej Kurti të protokollonte banesën e tij kur në ndërtesë gjenden edhe banorë të tjerë? E më pas duke ia vënë para shumë arsye që zhvendosja e Kurtit ishte e domosdoshme sepse më pas siguria për Kurtin do të ishte e vështirë.

Mehazi më tej thotë që frika e Batonit ndaj Kurtit ia ka humbur radakën e arsyes duke mos pasur bazë në atë se çfarë thotë.

“E pyesim kritikuesin e Albin Kurtit, Baton Haxhiun se si do mundej Albin Kurti të protokollonte banesën e tij të kryeministrit së bashku me banorët e tjerë të së njëjtës ndërtesë ku jeton Albini. Si është e mundur Baton Haxhiu "i mençur" të mos e di se të gjitha shtëpitë e udhëheqësve shtetëror kanë statute të veçanta shtetërore, janë shtëpi protokollare e zyrtare shtetërore me rregulla të veçanta politike e sigurie. Për shkak inatit e frikës së madhe para Albin Kurtit, Baton Haxhiut i ka humbur radakja e arsyes e nuk di se çfarë flet. Me kryeministrin e ri, Albin Kurtin e me Vjosa Osmanin presidente, do shkojë në harresë, Baton Haxhiu së bashku me miqtë e tij ideologjik për shkëmbime territoresh”, ka përfunduar Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat