Zgjidhja e presidentit, në cilin rast mund të shpërbëhet Kuvendi?

Politika

Zgjidhja e presidentit, në cilin rast mund të shpërbëhet Kuvendi?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 3 prill 2021 Në ora: 08:31
Deputetët e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës

Pas konsitutimit të Kuvendit dhe krijimit të Qeverisë në krye me Albin Kurtin kryeministër, tani vendi është në pritje të zgjedhjes së Presidentit të ri. Aktualisht pozitën e ushtron Glauk Konjufca, si kryetar i Kuvendit.

Kjo pozitë mbeti ‘bosh’, pasi në muajin nëntor ish Presidenti Hashim Thaҫi dha dorëheqje, për shkak të akuzës nga Gjykata e Hagës për krime lufte dhe ende po vazhdon të mbahet në Hagë.

Ndër emrat e përfolur për pozitën e Presidentit ishin Vjosa Osmani dhe Ramush Haradinaj. Ky i fundit në zgjedhje mori vetëm 40 mijë vota, ndërsa AAK mori vetëm 7 për qind të votave.

Kurse, Vjosa Osmani doli më e votuara në Kosovë, me mbi 300 mijë vota, derisa ishte kandidate për presidente.

Thuhet se Osmani  ka siguruar votat e nevojshme për tu zgjedhur Presidente e ardhshme, mirëpo kjo mbetet të shihet në seancën e Kuvendit, kur do të votohet presidenti.

Vetëvendosje: Seanca do të mbahet shumë shpejt

Mirëpo se kur do të thirret kjo seancë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku ka thënë për “Bota sot” se kjo mund të ndodhë së shpejti.

Image
Drita Millaku

“Ende nuk është caktuar, por shumë shpejt do të mbahet”, ka thënë deputetja Millaku.

Burjani: Presidentja do të zgjidhet e LDK më mirë të bëjë marrëveshje për koalicion

Njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se zgjedhja e Presidentit të Kosovës pritet këtë javë. Sipas tij edhe LDK-ja do të ishte mirë që të bëjë marrëveshje për koalicion e pastaj t’ia jap votat.

Image
Blerim Burjani

“Këtë javë pritet mbledhja e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, presidentja do të zgjidhet e LDK më mirë ishte të bëjë marrëveshje për koalicion, pastaj për t’i dhënë votat, se sa të bëhet servis i zgjidhjeve për të tjerët”, thekson Burjani.

Burjani kritikon po ashtu këtë parti për të cilën thotë se ka humbur sensin e të qenit serioze.

“LDK e ka humbë sensin e të qenit parti serioze, ky subjekt po vjen duke humbur gjithnjë e më shumë me një logjikë që vështirë kuptohet në politikë”, thotë juristi Blerim Burjani.

Zgjedhja e Presidentit sipas Kushtetutës

Mirëpo si e sheh Kushtetuta zgjedhjen e Presidentit të vendit?

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti zgjidhet me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Mirëpo nëse dështon në mundësinë e parë, kandidatit i jepen edhe dy mundësi të tjera.

“Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. 5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës. 6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”, thuhet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat