Juristi: Kosovës i duhet Vettingu

Politika

Juristi: Kosovës i duhet Vettingu

Nga: M.H. Më: 3 prill 2021 Në ora: 16:40
Kuvendi i Kosovës

Kosova këto ditë është duke kaluar një tension politik duke mos arritur kurrsesi që të bëhen votat për postin e presidentit.

Edhe pse LVV mori shumicën e votave, ajo nuk po arrin që të njëjtat vota t'ia bëjë Osmanit për postin e presidentit. Partitë opozitare po vazhdojnë të jenë kundër votimit të Osmanit, shkruan “Bota sot”.

Mirëpo ajo se çfarë mori vëmendjen ishte mbrëmja e të premtes, ku u propozua të votohet për ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve, i cili nuk i pati votat e deputetëve.

Në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, ka folur juristi Muhamet Kelmendi, i cili u shpreh se ndërtimi i shtetit të së drejtës është një ndër detyrat kryesore të Kosovës, mirëpo që momenti se kur mund të ndodhin gjëra të mira është e vështirë të definohet.

Sipas tij, krimi dhe korrupsioni duhet të luftohen me mjete juridike të shtetit dhe se veprat penale me ato vepra të kryera nga profesionalo-mafiozët janë të njëjta, pasi që të dyja mbajnë energji kriminele.

“Ndërtimi i shtetit të së drejtës është një ndër detyrat kryesore dhe shumë e madhe e Republikës së Kosovës. Se si dhe sa do të ndodhi kjo dhe kur mund të shërohet sistemi juridik ka mendime të ndryshme. Mjetet dhe metodat e shërimit janë të ndryshme dhe e përbashkëta është ndërtimi i sistemit që mbështetet në ligj dhe që nuk ka dallime në kuadër të pozitës në shoqëri dhe të faktorëve tjerë dallues. Zakonisht krimi dhe korrupsioni si dukuri luftohen me mjete juridike të shtetit. Organet e shtetit i fusin në zbatim normat ligjore ku masat penale janë adekuate me veprat e kryera penale. Këtu nuk ka dallime! Vepra penale e kryer nga një parapërgatitje, me një organizim profesionalo-mafioz, si dhe nga grupimet e njerëzve të rëndësisë të veçantë në shoqëri, si dhe me energji kriminale, janë shumë të rrezikshme dhe ndaj tyre kërkohet thellimi i masave juridike”, u shpreh Kelmendi.

Juristi më tej thotë se duhet të ketë masa në spastrimin e krimit dhe nga njerëzit e korruptuar, pasi që politika ka dështuar dhe po merren parasysh vetëm përfitimet individuale.

Veprimi i mbrëmshëm për ndryshim të ligjit sipas juristit ishte i gabuar dhe nuk po vepron në drejtimin e duhur.

Image
Muhamet Kelmendi

“Kosova po vuan nga këto grupime shumë. Krimi dhe korrupsioni është shtrirë shumë në organet e shtetit. Sistemi i drejtësisë ka dështuar në parandalimin dhe në ndëshkimin e kriminelëve. Ka shumë fakte. Mirëpo ai më kryesore është bashkëpunimi i krimit në organet e drejtësisë. Këtu lypsen masa. E masa më e madhe është spastrimi i sistemit nga njerëzit e korruptuar dhe ndërtimi i tij në kuadro profesional dhe të moralshëm. Sa do të realizohet kjo varet nga vullneti i politikës. Politika ka dështuar shumë. Edhe tash po shihet se asaj nuk po i intereson shteti, populli dhe lufta për të drejta dhe liri shoqërore, por vetëm përfitimet individuale. Të vjen shumë rëndë dhe natyrisht se është shumë jo produktive veprimi i qeverisë tash. Ajo ka humbur karakterin e vetë si qeveri dhe ka ikur nga detyrat që është zgjedhur. Nuk po vepron në drejtime adekuate”, thekson juristi.

Kelmendi potencon që ky veprim nuk ishte negativ për shkak se është fjala Ligjin zgjedhor që ndalon kandidimin në zgjedhje të gjithë atyre që janë dënuar me tri vitet e fundit e që sipas juristit këtë ndryshim e dërgon vendin përsëri në zgjedhje.

Problemin aktual që kemi është luftimi me pandeminë e që qeveria nuk po merret me këtë mirëpo me ndryshim të ligjit ku i lejohet Kurtit pastaj të kandidojë si deputet.

Shërimi është vetëm me Ligjin mbi funksionimin e sistemit juridik në bazë të ligjit (VETTING) të realizohet, shton më tej Kelmendi.

“Projektligj mbi zgjedhjet ishte kulmi i anës negative. Këtu nuk është fjala për mërgatë. Për atë nuk mendohet se ka subjekt kundër. Fjala është për Ligjin zgjedhor që ndalon kandidimin në zgjedhje të gjithë atyre që janë dënuar me tri vitet e fundit. Me këtë ndryshim, qeveria po do me shku përsëri në zgjedhje. E këtë e pamë me projektligj. Aty qëndronte jo dënimi në tri vitet e fundit, por vetëm dënimet me një e më shumë vjet burg. Pra, asaj nuk po i intereson shërimi i sistemit, lufta kundër pandemisë, gjendja ekonomike e sociale si probleme, kundruall zgjedhjeve, por largimi i pengesës se Kurtin e lejon të kandidoj për deputet. Por duhet thënë se pavarësisht nga ecet, sistemi i drejtësisë mbetët një detyrë që kërkon shërim. E shërimi është vetëm me Ligjin mbi funksionimin e sistemit juridik në bazë të ligjit (VETTING) realizohet. Dhe, në vend që këtu të punohet në pamë një tragjikomedi në Kuvend me gjoja të drejtën që mërgata të voton, duke fshehur qëllimin kryesorë, largimin e pengesës që në zgjedhje të reja, Albin Kurti të jetë bartës i listës zgjedhore. Thjeshtë ishte heqja e normës për dënimi në tri vitet e fundit”, tha Kelmendi.

Nga ana tjetër juristi thotë që mërgata ka të drejtë për zgjedhur dhe për ty zgjedhur por që kjo duhet të rregullohet me ligj dhe jo në këtë kohë sepse zgjedhjet parashihen të mbahen pas 4 vjetëve.

“Natyrisht se mërgata ka të drejtë për të zgjedhur dhe për tu zgjedhë. Kjo duhet rregulluar me ligj. Por jo në këtë kohë, sepse juridikisht shkohet në zgjedhje tek pas katër vjetëve. Pra kishim synim mënjanimin e masës juridike për pengesat në zgjedhje për vepër penale. Pse?! Kjo është shqetësuese”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat