Paralajmërohet fitorja e ‘shtrëngatës’ Vjosa Osmani – nga Amerika vijnë kritika të ashpra për ata që nuk e votuan

Politika

Paralajmërohet fitorja e ‘shtrëngatës’ Vjosa Osmani – nga Amerika vijnë kritika të ashpra për ata që nuk e votuan

Nga: A.Morina Më: 4 prill 2021 Në ora: 11:31
Vjosa Osmani

Në mungesë të kuorumit, seanca për votimin e Vjosa Osmanit presidente ka dështuar mbrëmjen e djeshme.

Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lista Serbe, dy deputetë të komuniteteve jo shumicë dhe tre deputetët e LDK-së (Avdullah Hoti, Driton Selmanaj dhe Ahim Veliu) refuzuan të marrin pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca njoftoi se seanca e radhës do të mbahet sot në orën 17:00.

Veprimtari nga Amerika dhe njohësi i çështjeve politike, Ramazan Bekteshi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar dështimin e seancës për votimin e presidentit të ri të vendit.

Bekteshi paralajmëroi opozitën se Vjosa Osmanin betejën që e humbi dje, do ta fitojë sot.

Image
Veprimtari nga Amerika, Ramzan Bekteshi

“Në teatrin tonë të absurdit protagonistja më e votuar, më edukuar, më e guximshmja, dhe më e përfolura, dje dështoi, por vetëm për dje se e sotmja është një ditë e re dhe një shpresë më shumë. Dje, ajo e humbi një betejë, por sot ajo pritet t’a fitoj luftën”, deklaroi ai.

Analisti tha se kjo seancë dështoi pasi humbësit u bënë bashkë në mënyrë që të dështojë dhe Kosova, pasi ata janë të pamëshirshëm kur humbin.

“Ajo dështoi sepse humbësit janë bë kokë-më-kokë që të dështojë edhe Kosova, kur ata humbin, ata janë të pamëshirshëm, dëshirojnë që të shembet çdo gjë, bilës edhe ato shembjet dhe gërmadhat që ia shkaktuan shtetit për dy dekada”, theksoi Bekteshi.

Veprimtari nga Amerika kishte edhe disa komente për kryetarin e PDK-së, Enver Hoxhajn të cilin e cilësoi si lëpirës të buzëve, ku pas çdo fjalie villte helm e vërer.

“Dje, Mr. lëpirësi i buzëve pas çdo fraze të ç ’artikuluar villte helm e vërer, dje, Mr. Hoxhaj, ish-ministri më i dështuar i Punëve të Jashtme kishte ardhur për destruksion me një mision hamletian në parlament, sepse dje LDK-ja e Isës i dilte nga duart PDK-së përgjithmonë. Ai erdhi, vajtoi, dhe iku me bishtin nën shalë, duke e lënë demokracinë tonë të brishtë nën mëshirën e bojkotit”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, Bekteshi tha disa fjalë edhe për ‘treshen’ e famshme të LDK-së që refuzuan t’ia bëjnë kuorumin Vjosa Osmanit.

Sipas tij, tre ‘zvarranikët’ e LDK-së, u impresionuan nga fjalimi i Enver Hoxhajt dhe për herë të fundit ata në parlamentin e Kosovës u paraqiten si fosile të Isa Mustafës.

“Dje, vetëm tre zvarranikë të LDK-së nuk lëvizën bishtin nga strofulli për të votuar, vetëm këta tre njerëz i mallëngjeu dhe i emocionoi monologu i fundit i Mr. Lëpirësit, Hoxhaj. Këta tre protagonistë që HTH i solli në pushtet, dje mbanin zi, për vetveten, për Hashën, dhe për Grenell, e kishin braktisur ‘amelikanizmin’ dhe e injoruan apelin e ambasadorit amerikan, Kosnett. Dje, ata u ekspozuan për herë të fundit si tre fosilet e Isës në ‘teatrin e absurdit’, të parlamentit tone”, potencoi analisti.

Kurse, sa i përket Lumir Abdixhikut dhe pjesës tjetër të LDK-së, Bekteshi tha se shkëlqyen me mençuri, maturi, vizion dhe rugovizëm. Madje, ai paralajmëroi se LDK-ja do të rikthehet së shpejti me këta njerëz.

“Dje, krye protagonist ishte Lumir Abdixhiku, dje, gjakftohtësia e tij ishte në veprim, ai me parlamentarët e tij u tregoi skeptikëve, se epoka e Isës kishte perënduar, se ata mund të ishin humbës të mëdhenj të zgjedhjeve por fryma e tyre rugoviste ishte me e fuqishme se egoja, dje, ata e tejkaluan vetveten, grupi i tij shkëlqeu me mençuri, maturi, vizion dhe rugovizëm, LDK-ja me këta njerëz do të kthehet”, u shpreh Bekteshi.

Veprimtari nga Amerika nuk e la pa e përmendur edhe befasinë e mbrëmjes së djeshme, deputeten e AAK-së, Albena Reshitaj, e cila befasoi me prezencën e saj në Kuvend.

Ai e cilësoi Reshitajn si një grua të guximshme, që tregoi më shumë trimëri dhe kurajë se sa komandantët e këtyre dy partive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat