Drama për presidentin, si duhet të veprohet që të zgjidhet kreu i shtetit?

Politika

Drama për presidentin, si duhet të veprohet që të zgjidhet kreu i shtetit?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 4 prill 2021 Në ora: 14:31
Kuvendi i Kosovës

Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme në vendin tonë, ende nuk është kompletuar formimi i institucioneve.

Me 22 mars u konstituua Kuvendi i Kosovës, me kryetar Glauk Konjufcën dhe po atë ditë u formua dhe Qeveria, me kryeministër Albin Kurtin.

Tani ka ngelur edhe zgjedhja e presidentit të Kosovës, në mënyrë që të kompletohen të gjitha institucionet.

Pavarësisht se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit kaloi lehtë dhe përfundoi në atë ditë, vështirësia ka mbetur te zgjedhja e presidentit. Kjo për shkak të mungesës së votave që i duhen.

Kandidate për presidente është Vjosa Osmani, e së fundmi është paraqitur edhe kundërkandidati i saj, Nasuf Bejta.

Mirëpo, zhvillimet politike në vend po vazhdojnë të jenë shumë “zhurmshme”, duke mos arritur një përfundim të përbashkët mes pozitës dhe opozitës.

Të shtunën e 3 prillit u mblodh Kuvendi me seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit. Por, duket se gjërat nuk shkuan ashtu siç pritej. Nuk ishin numrat e mjaftueshëm.

PDK dhe AAK kishin vendosur prej kohësh që mos ta votojnë presidentin dhe kështu vepruan. Nga AAK, përpos deputetes Albena Reshitaj, të tjerët nuk qenë fare prezent në seancë.

E nga PDK, në seancë u paraqitën u.d i kryetarit të partisë, Enver Hoxhaj dhe Bedri Hamza, i cili është nënkryetar i partisë. Të dy e lëshuan sallën pas fjalimit të Hoxhajt se nuk kanë votë për Vjosa Osmanin presidente.

Përpos këtyre dy partive, në seancë nuk mori pjesë as Lista Serbe. Mungonin edhe dy deputetë nga minoritetet.

Në seancë ishin gjithsej 82 deputetë. Por, jo aq vota ishin edhe në kuti për votimin e presidentit, në raundin e parë. Ishin vetëm 78, e më pas kur raundi i parë i votimit u përsërit për shkak të mungesës së kuorumit, ishin 79. Sërish nuk kishte kuorum. Kuvendi shkoi në pauzë e më pas u vendos që seanca të vazhdojë të dielën në orën 17.

E nga 82 deputetë sa ishin në sallë, 3 deputetë nuk po votonin. Ishin 3 deputetë të LDK-së, Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj. Se ata janë kundër dhe nuk do ta votojnë Osmanin ishte bërë e ditur edhe më herët. Dhe kjo nuk ndryshoi as në seancë.

Tani, sfida për zgjedhjen e presidentit do të vazhdojë sot, për të parë nëse është siguruar edhe vota e cila nevojitet, në mënyrë që të jenë 80 sosh, siç edhe nevojiten.

A do ta sigurojnë dhe kush do të duhej ta votojë presidentin, në mënyrë që të përfundojë me sukses edhe hapi i tretë drejt kompletimit të institucioneve të vendit?

Krasniqi: Kurti të kërkojë bashkëpunim me opozitën

Image
Islam Krasniqi

Njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se është papjekuri politike e deputetëve të cilët ditë më parë u betuan që do të punojnë në interesat e vendit dhe gjendjen e popullit.

Sipas Krasniqit, nuk dërgohet për herën e dytë populli në zgjedhje dhe se partitë opozitare duhet të qëndrojnë në Kuvend sepse e kanë obligim ligjor dhe moral.

“Kjo është një papjekur politike e atyre që u betuan pak ditë më parë në Kuvendin e Republikës se Kosovës së do të punojnë për interesat e vendit, duke e përmirësuar edhe gjendjen e popullit, duke punuar në të mirë të tyre. Nuk çohet vendi në zgjedhje sa herë të duash, tani është koha të bashkohemi dhe të luftojmë pandeminë e cila po na vret çdo ditë. Partitë opozitare duhet të qëndrojnë në Kuvend sepse e kanë obligim ligjor dhe moral sepse shkuarja në zgjedhje nuk i duhet askujt në kohë pandemie”, është shprehur Krasniqi.

Sipas tij, Kurti duhet t'i rregullojë raportet me opozitën dhe të mos veprojnë me inate politike.

“Po ashtu, edhe z.Kurti duhet t'i rregullojë raportet me opozitën dhe jo të veprojë me kokëfortësinë e numrave, pasi që nuk është koha për të bërë hapa të gabuar duke kërcënuar të tjerët që të shkojmë në zgjedhje, duke i parë nga njëmijë raste në dite me Covid dhe thërrasim të shkojmë në zgjedhje me aq komoditet. Duhet t'i lemë inatet politike dhe të bashkohemi për formimin e institucioneve, duke e bërë kuorumin për President sepse zgjedhjet e dyta të jashtëzakonshme brenda dy muajve përsëri mund të na sjellin një krizë tjetër”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

Jashari: Për Kurtin dhe Opozitën të jenë interesat e qytetarëve prioritet

Image
Shemsi Jashari

Kurse, analisti politik Shemsi Jashari, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë se pozita po injoron opozitën, pasi që nuk ka kërkuar nga kjo e fundit bashkëpunim dhe për këtë arsye edhe opozita refuzon të votojë.

Sipas tij, sjellja e Kurtit ndaj opozitës, ka zvogëluar gjasat që të kemi një mirëkuptim nga partitë opozitare dje dhe sot.

“Pozita po injoron opozitën dhe as më të voglin tentim se ka bërë për ta bindur opozitën që ta votojë presidentin. Pozita po dëshiron që ta merr votën e opozitës duke i shantazhuar me zgjedhje. Kjo sjellje është e papranueshme dhe sigurisht që detyron opozitën të barrikadohet në një skaj, duke refuzuar ta votojë kandidatin për president. Çështja e zgjedhjes së Presidentit/es, vazhdimisht ka pasur sfidat e veta që nga paslufta. Mungesa e numrave të mjaftueshëm prej 2/3 të deputetëve të koalicionit qeveritar, e bënë të domosdoshme diskutimin e gjerë me subjektet politike, për të siguruar konsensusin e nevojshëm për një personalitet që do të ishte i pranueshëm për të gjitha palët. Sjellja e tillë shantazhuese ndaj opozitës, ka zvogëluar gjasat që të kemi një mirëkuptim nga partitë opozitare dje dhe sot”, ka potencuar Jashari.

Më tej, analisti përmend rastin e deputetes Reshitaj, e cila mori pjesë në votimin e presidentit e që sipas tij ky mund të jetë një “pazar politik”, pasi që doli kundër partisë së saj.

Nga ana tjetër, analisti thotë se Kurti nëse nuk siguron votat për Osmanin, duhet të jap një emër tjetër për president në mënyrë që të evitohen zgjedhjet.

“Unë pres që sot të mos kemi votim të presidentes, nëse nuk ka ndonjë negocim serioz dhe ndonjë “pazar politik” siç ishte rasti dje i Albena Reshitaj nga AAK, e cila doli kundër vendimit të grupit të saj parlamentar. Albin Kurti, si drejtues i partisë në pushtet, duhet të kalojë inatet dhe logjikën e imponimit duke propozuar një figurë tjetër për president, nëse nuk mund të sigurojë votat për kandidaten e tanishme, që do të mundësonte votimin e presidentit dhe evitimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Për secilin deputet e sidomos për Albin Kurtin si kryeministër, duhet të jetë prioritet shteti para interesit të vet dhe Vjosa Osmani. Unë mendoj se nëse përsëri shkojmë në zgjedhje për fajin e z.Kurti, ai asnjëherë më nuk do t'i marrë 50% të votave”, ka deklaruar Shemsi Jashari për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat