“Shkuarja në zgjedhje të reja, do ta detyrojë Abdixhikun ta largoj nga lista Hotin, Veliun dhe Selmanajn”

Politika

“Shkuarja në zgjedhje të reja, do ta detyrojë Abdixhikun ta largoj nga lista Hotin, Veliun dhe Selmanajn”

Nga: A.Z Më: 4 prill 2021 Në ora: 17:37
Kuvendi i Kosovës

Mosvotimi i tre deputetëve të LDK-së, Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanajt, po e pamundëson kuorumin për votimin për zgjedhjen e presidentit.

Agim Veliu ka deklaruar përfundimisht se nuk do ta votojë Vjosa Osmanin për presidente.

Ndërsa edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se nuk do ta votoj Osmanin për presidente, madje i njëjti është në gjendje ta dorëzojë edhe mandatin e deputetit nëse kjo do t’i kushtëzohet.

Lidhur me këtë njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se mosvotimi nga këta deputetë, nuk e ka dëmtuar Kurtin as Osmanin, por vetëm veten.

Sipas Mehazit, mund ta vonojnë por nuk mund ta ndalin Osmanin të bëhet presidente, sepse nuk mund të ekzistojë Kosova pa president.

“Që më parë dihej se tre deputetët tekanjos: Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj, të cilët në mendësinë e tyre politike më shumë kanë vlerë inate politike ndaj, Vjosa Osmanit, sesa bërje të arsyeshme politike në të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Mosvotimi i këtyre tre deputëve të LDK-së nuk ka dëmtuar as LDK-në që mori pjesë në parlament me rastin e presidentit, as Vjosa Osmanin e Albin Kurtin, por kanë dëmtuar veten. Ata mund ta vonojnë, por kurrë nuk mund ta ndalin Vjosa Osmanin të mos bëhet presidente e Kosovës. Kosova nuk mundet të egzistojë pa president, ama parlamenti i Kosovës egziston e do egzistojë pa Veliun, Hotin e Selmanajn”, deklaroi ai.

Tutje shtoi se këta duhet ta kenë të qartë se nëse shkohet në zgjedhje, për shkak të ngritjes së LDK-së, Abdixhiku do të detyrohet t’i largojë nga lista në zgjedhjet e ardhshme, paralajmërim që shihet edhe nga deklarata e Kurtit për dorëzimin e mandatit, pra vetëvetiu do të eliminohet nga skena politike.

“Tre deputetët e LDK-së duhet ta kenë të qartë se nëse nuk zgjidhet presidenti shkohet në zgjedhje të reja parlamentare, nëse kjo ndodh atëherë Abdixhiku për shkak rejtingut të ngritjes së LDK-së do të jetë i detyruar t'i largonte Veliun, Hotin e Selmanajn jo vetëm nga lista e deputetëve të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, por edhe nga partia e LDK-së. Paralajmërimi i largimit të tyre shihet edhe nga deklarata e Hotit që tha: "se nuk do ta votoj Osmanin për presidente, madje është në gjendje ta dorëzojë edhe mandatin e deputetit nëse kjo do t’i kushtëzohet." Pra, mosvotimi i Veliut, Hotit e Selmanajt do ju bëjë keq atyre, vetëvetiu do eliminohen nga skena politike”, përfundoi Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat